Zjarret në Himarë nën kontroll, vijon evidentimi i dëmeve

TIRANË, 5 shtator/ATSH/ Situata në zonat e prekura nga zjarri në Himarë paraqitet nën kontroll, ndërsa vijon puna për shuarjen përfundimtare të vatrave të mbetura dhe evidentimin e dëmeve.
Në një vëzhgim të Agjencisë Telegrafike Shqiptare rezulton se nga zjarri janë prekur sipërfaqe të konsiderueshme të mbjella me ullishte dhe bimësi, ndërkohë që dëme janë shkaktuar edhe për bletërritësit e zonës.
Ndërhyrjet për vënien nën kontroll të zjarreve masive të një dite më parë që përfshinë terrenin kodrinor të Himarës, u bënë nga toka dhe ajri, ndërkohë që puna e strukturave në terren po vijon për të siguruar që situata të mbetet nën kontroll dhe të mos ketë riaktivizim të vatrave.
Në këtë operacion u angazhuan mbi 170 efektivë nga Forcat e Armatosura, mbi 300 zjarrfikës dhe mbi 21 automjete zjarrfikëse.
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi informoi se nga zjarret nuk ka pasur humbje në jetë njerëzore, por janë dëmtuar gjashtë shtëpi.
Në mbështetje të këtij operacioni ka qenë po ashtu edhe Policia e Shtetit, që ka ndihmuar për pjesën e evakuimit dhe menaxhimit të gjithë perimetrit të sigurisë.
Ndërkohë, komisioni i ngritur nga bashkia Himarë po vijon verifikimin në terren për të evidentuar dëmet e shkaktuara dhe familjet, fermerët dhe banorët që kanë nevojë për mbështetje.
Kryebashkiaku i Himarës Vangjel Tavo informoi se punonjësit e bashkisë janë të angazhuar për largimin e mbetjeve të shkaktuara nga zjarri dhe rikthimin gradual të normalitetit në zonat e prekura.
Në dispozicion të banorëve të zonave të prekura që duan të raportojnë dëmet apo të kërkojnë ndihmë është vënë në dispozicion edhe numri i Drejtorisë së Emergjencave pranë Bashkisë Himarë: +355 68 630 0930.
Pasojat e zjarrit në Himarë; Fotoreporter: Andrin Hoxha 1 nga 30/m.m/r.e/