E Diel, 1 Nëntor 2026

Himarë, banorët sulmojnë komisariatin e policisë

 

Policia qëllon me armë në ajër për të larguar turmënprej 50 banorësh të armatosur me gurë dhe me shkopinj

Situatë e tensionuar pas shoqërimit të dy personave dhe rrahjes së një inspektori policie

HIMARË- Përfaqësues të organizatës OMONIA sulmojnë komisariatin e policisë së Himarës me gurë dhe shkopinj. Situata e tensionuar ka vazhduar për minuta të tëra dhe është qetësuar në një farë mënyrë vetëmkur policia ka nisur të qëllojë me armë në ajër për të larguar protestuesit. Ata kanë vazhduar të qëndrojnë të grumbulluar duke hedhur parulla antishqiptare dhe duke pretenduar se Himara është Greqi. Menjëherë nga Vlora janë nisur me urgjencë disa makina të mbushura me policë të forcave speciale ndërsa organi i akuzës ka dërguar dy prokurorë për të ndjekur ndeshjen. Prokurori i Vlorës, Sokol Malaj, ka kontaktuar edhe me kryetarin e bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, i cili ka ndërhyrë në qetësimin e situatës. Burimet e policisë pohuan se efektivat e dërguar në orët e mbrëmjes do të qëndrojnë në Himarë për të ndjekur çështjen dhe për të mbajtur situatën nën kontroll.

***

Ngjarja e ka zanafillën dy ditë më parë kur një patrullë e policisë së Vlorës ka ndaluar një makinë për kontroll dokumentesh. Brenda në mjet ndodheshin shtetasit Jorgo Rrapo dhe Manol Zoto, të cilët kanë qenë pa dokumente dhe janë shoqëruar në komisariat. Dy të ndaluarit kanë deklaruar se janë anëtarë të organizatës OMONIA. Ata janë mbajtur për rreth dy orë e më pas janë lënë të lirë nga policia lokale. Mëngjesin e djeshëm këta dy persona kanë paraqitur pretendimin se janë keqtrajtuar në komisariat dhe janë rrahur. Policia e Vlorës dhe SHKB dërguan dy inspektorë për të verifikuar situatën. Burimet e policisë lokale shpjeguan se inspektorët kanë takuar dy pretenduesit por ata nuk kanë pasur asnjë shenjë dhune në trup. Për këtë gjë çështja është mbyllur.

***

Por kur u mendua se gjithçka u mbyll me kaq situata është përkeqësuar në mënyrë të menjëhershme. Dy banorë të zonës kanë parë inspektorin e policisë Leonard Llallaj teksa po lëvizte në qytet dhe e kanë sulmuar. Burimet e policisë pohuan se shtetasi Robert Bollano ka goditur disa herë inspektorin e policisë me grushte duke i shkaktuar atij plagë të rënda. Kolegët e inspektorit kanë ndërhyrë për ta ndihmuar por menjëherë dhjetëra banorë të Himarës si dhe përfaqësues të organizatës OMONIA. Ata kanë sulmuar policët, të cilët janë tërhequr në mjediset e brendshme të komisariatit për tu mbrojtur. Banorët e zonës kanë vazhduar sulmin duke marrë me vete gurë dhe shkopinj. Ata kanë rrethuar komisariatin dhe kanë nisur që ta godasin me gurë. Nën kërcënimin e turmës prej rreth 50 njerëzish, efektivët e policisë janë detyruar që të nxjerrin armët dhe të qëllojnë në ajër për t'i trembur. Pas disa të shtënash të policisë banorët janë larguar nga mjediset e komisariatit. Por ata kanë vazhduar që të hedhin parulla antishqiptare si "Himara nuk është Shqipëri" dhe "Larg shqiptarët nga Himara".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›