Aleanca, protesta në Vlorë e Rrogozhinë për të arrestuarit
Të shoqëruar nga përfaqësues të shoqërisë civile ata janë takuar me prokurorin e Vlorës për lirimin e të burgosurve
VLORË- Përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës dhe të shoqërisë civile kanë zhvilluar dje dy protesta në Vlorë dhe Rrogozhinë për lirimin e tre anëtarëve të arrestuar disa ditë më parë. E para është përqendruar në Rrogozhinë pasi përfaqësuesit e aleancës dhe shoqërisë civile kanë shkuar në ambientet e burgut për të takuar tre të arrestuarit. Ata nuk janë lejuar të bëjnë një gjë të tillë pasi nuk kanë qenë të pajisur me një leje nga prokuroria e Vlorës.
Pasi kanë udhëtuar drejt ambienteve të burgut të Rrogozhinës për të takuar aleancistët, analistë e opinionistë të njohur, përfaqësues të medias e organizatës Mjaft janë zhvendosur më pas në prokurorinë e Vlorës. Të përkrahur nga qytetarë vlonjatë, aleancistë dhe nën thirrjet "Lironi bijtë tanë", protestës i janë bashkuar veç emrave të të njohurve në këto tubime si Sazan Guri e Lavdosh Feruni, edhe Artur Zheji, Arjan Cani, Mustafa Nano, Aleksandër Cipa, Andrea Stefani e përfaqësues të Mjaft. Nën një zinxhir të gjatë forcash policore, përfaqësuesit e medias kanë kërkuar një takim me kreun e prokurorisë së Vlorës, për siguruar lejen e takimitme përfaqësuesit e aleancës që po mbahen të izoluar, si dhe për fatin e mëtejshëm të tyre, në lidhje me masën e sigurisë, si dhe kërkesën për lirimin e tyre. Pasi kanë pritur për disa kohë në ambientet e rrugës para prokurorisë së Vlorës, ku kërkesa prokurorit i është bërë me megafon nga të ardhurit, kanë hyrë në takim Nano, Zheji, Stefani, Cani e Guri. I pari nga takimi ka dalë Zheji, i cili menjëherë ka bërë publik zhgënjimin e tij nga takimi me numrin një të prokurorisë së Vlorës, i cili për lirimin e tyre ka vënë kushte. Një prej kushteve ishte që aleancistët duhet të firmosnin më parë se nuk do të organizonin më protesta dhe bllokime rruge. "Ka qenë e çuditshme përgjigja e prokurorit, i cili këmbëngulte që aleancistët duhet të heqin dorë nga bllokimet e mëtejshme të rrugëve, e nëse nënshkruajnë këtë ata do të nxirren",- tha Zheji. "Por ne i thamë se nuk do të hiqet dorë nga protestat dhe ky lloj negocimi me kusht është i pakuptimtë",- shpjegoi ai. Ndërkohë analisti Andrea Stefani tha se "Nën germat e ligjit dhe neneve, më shumë se shpjegimi ligjor për aleancistët që mbahen pa pasur asnjë precedent të izoluar, fshihet politika dhe presioni i saj". Nga ana tjetër, Zheji e ka metaforizuar bazën ligjore me një çorape fëmijësh, brenda së cilës ka hyrë këmba e elefantit. "Kjo është një farsë, veshur nën gërmat e neneve dhe ligjeve, që do të përligjë atë çka është vendosur",- thanë përfaqësuesit në takim. "Të zbatohet fryma e ligjit dhe të mos kapen te gërmat e ligjit për këta protestantë paqësorë", ka ritheksuar Stefani. Sipas tij, fryma e ligjit në Shqipëri është të mos prangosen protestues paqësorë. "Por unë kam dyshime, dyshime që besoj se i ndaj me të tjerët, se në mënyrën me të fshehtë, përmes prokurorisë dhe organeve të drejtësisë, këtu po vepron politika dhe dora e saj e padukshme është e padrejtë",- deklaroi Stefani.