Himni i SALIUT në këtë 28 Nëntor: Ti Shqipëri, me jep (te)nder!
Ndër gjithë krijimtarinë e poetit dhe rilindësit të madh Naim Frashëri, vargu Ti Shqipëri më jep nder. vazhdon e recitohet me kënaqësi të madhe shpirtërore prej shqiptarëve, si një HYMN krenarie atdhetarie. Ky HYMN mbi 100 vjeçar, do të jetë pjesë e këngës shpirtërore dhe krenarisë së shqiptarëve brez pas brezi. Këtë dëgjova të bënin shumë njerëz të çdo moshe edhe dje në 28 Nëntor, që të përfshirë në emocionet e Ditës së Pavarësisë, këndonin krejt natyrshëm me vete, vargun: Ti Shqipëri më jep nder. Këtë HYMN e dëgjova të dilte dje, edhe nga gryka e një altoparlanti të vendosur në sheshin qendror prej qeverisë SALI. Këtë varg, në këtë ditë historike të kombit tonë, jam i bindur që e ka kaluar nëpër mendje dhe e ka mërmëritur nëpër buzë edhe kryeministri SALI, edhe fëmijët e tij, edhe mbesat e nipërit e tij, edhe ministrat e deputetët e pushtetit të tij. Nuk ka shqiptar, që të shpëtoj nga ky varg-himn kombëtar, veçanërisht në përkujtime ngjarjesh historike kombëtare e në ditë të vështira për kombin.
Mirëpo, më duket se ky HYMN i madh shpirtëror e jo zyrtar për shqiptarët, që këndohet pa urdhër, pa protokoll qeveritar, pa rreshtime administrate në sheshe, pa ceremoni paradash e topash garde, pa daulle fanfarash, mendoj se për kryeministrin SALI nuk ka e nuk duhet të ketë asnjë asnjë kuptim, asnjë vlerë, asnjë ndjesi, asnjë emocion atdhetarie. Ky himn ka humbur kuptim e vlerë dhe për familjen e tij, për ministrat dhe deputetët që ka në oborrin e qeverisjes. Sipas konstatimit tonë, për kryeministrin SALI, ka vite që vargu-himn Ti Shqipëri, me jep nder, ka marrë tjetër kuptim, larg lidhjes me atdhetarinë, duke u zëvendësuar me pushtetin, me qeverinë, me ekonominë e tij familjare. Për SALIUN, himni Ti Shqipëri më jep nder, ka marrë këtë trajtë gjuhësore e kuptimore: Ti Shqipëri më jep (te)nder! Pse? Sepse SALIU po dëshmon, se nuk e konsideron veten kryeministër për të zhvilluar e integruar Shqipërinë, por për ta shfrytëzuar atë si burim për të shtuar pasuritë e familjes. Saliu nuk e ka konsideruar dhe nuk po e trajton Shqipërinë si vendi që të jep NDER e që duhet t’i jap kontribute, por si pushteti që të jep tender, që të pasuron duke vjedhur pasuritë kombëtare. SALIU nuk këndon më vargun: Ti Shqipëri më jep nder, por belbëzon e jeton ditë e natë me psikozën e vargut: Ti Shqipëri me jep (te)nder!
Sepse për SALIUN, Shqipëria nuk është ATDHEU, por është “fabrika” e “prodhimit” të pasurive familjare, fisnore, klanore. Me tender po pasurohet në mënyrë të përbindshme e kriminale familja e tij, duke u kthyer në bankiere, pronare trojesh, vilash, fshatrash turistikë, tokash në bregdet, plazhesh, zonash malore turistike, hidrocentralesh, rrjete dyqanesh, tregjesh monopol, universitetesh, pusesh nafte, kompanish energjie, prodhuese e tregtare Kështu si SALIU, si familja dhe fisi i tij, jo për krenari kombëtare, jo për NDER, por për tendera, për pasuri e llogari bankare e duan Shqipërinë edhe ministrat, edhe deputetët, edhe shërbëtorët e pushtetit të tij.
Nëse SALIU guxon e këndon himnin e madh: Ti Shqipëri më jep nder, mendojmë që vetë SALIU, duhet të jap këtë përgjigje: Ti Shqipëri më jep nder. Ndërsa unë, po të marrë nderin, dinjitetin, historinë, pasuritë, deri dhe trojet.
