E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipoteka: Do bllokojmë tjetërsimin e pronave nga Edi Rama me ortakët e tij

Tiranë, 27 Gusht 2010 NOA - Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, paralajmëroi sot kryebashkiakun e Tiranës, se do të jetë një pengesë ligjore, ndaj të gjitha tentativave të tij, për tjetërsimin e trojeve private e publike, në funksion të ortakëve e bashkëpunëtorëve të tij.

Reagimi zyrtar nga ZRPP erdhi pasi siç tha ajo, Gazeta e Partisë Socialiste, nën dirigjimin e Edi Ramës, kryetarit të kësaj partie, njëherazi edhe kryetar i bashkisë së Tiranës, ka zgjedhur Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për të bërë objekt të shpifjeve dhe përbaltjeve të saj të radhës.

Sipas ZRPP, prej dy ditësh, kjo gazetë, mbrojtëse e interesave të Edi Ramës, për atë që ai ka bërë në tjetërsimin e pasurive private e publike në Tiranë në funksion të ortakëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, në dy numrat e saj të fundit, nën pretendimin se ka marrë flamurine mbrojtësve të interesave të qytetarëve të Tiranës, ka shpifur në mënyrë të qëllimshme.

Ajo që në shkrimet e kësaj gazete trumbetohet si një bllokim nga zyrat e hipotekës (Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme), e pronës së familjes Dema, duam të sqarojmë se nuk është gjë tjetër, veçse pasqyrimi i vullnetit të palëve kontraktore, i materializuar në një kontratë sipërmarrjeje të vitit 2006, - thuhet në një komunikatë të ZRPP.

Kurse sqarohet më tej se në këtë kontratë sipërmarrjeje, palë e së cilës është edhe pala pronare e truallit, familja Dema, është parashikuar regjistrimi i kontratës në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe moskryerja e veprimeve juridike me pasurinë pa marrëveshje mes palëve.

Është parashikuar gjithashtu se zgjidhja e mosmarrëveshjeve do të bëhet nga gjykata. Ndaj dhe një herë theksojmë se veprimet e Zyrës e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, janë në përputhje të plotë me ligjin dhe me vullnetin e palëve kontraktore, - thotë ZRPP.

Kurse në përfundim, paralajmëron: Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke i konsideruar sulmet e gazetës së Partisë Socialiste, si presione të pronarit të saj Edi Rama, gjen rastin ti rikujtojë kryebashkiakut të Tiranës, se asnjë herë, nuk do të bëhet, pre e presioneve të tij të ulëta, përkundrazi do të jetë një pengesë ligjore, ndaj të gjitha tentativave të tij, për tjetërsimin e trojeve private e publike, në funksion të ortakëve e bashkëpunëtorëve të tij.

e.r/NOA

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›