Hipoteka verifikon pronat në Ksamil
Regjistrimi
Në Shqipëri, prej disa muajsh po ndërtohet sistemi i ri i regjistrimit të pasurive të paluajtshme bazuar në Ligjin Nr. 33/2012, i datës 21. 03. 2012 Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Baza e këtij sistemi krijohet nëpërmjet procedurës së regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme nën drejtimin e kryeregjistruesit të Shqipërisë. Në vijim të ndërtimit të sistemit të ri, ZQRPP njoftoi dje se ka filluar Afishimi Publik i Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme për Zonën Kadastrale Nr. 2297, Ksamil të rrethit të Sarandës. Ky afishim bëhet, saktësisht në adresën, Kompleksi Ilir Goxhaj, Rruga Ksamil-Sarandë, përballë sheshit Konti Ugolini Ksamil, Sarandë. Periudha e afishimit publik nis më 1 qershor (prej ditës së sotme) dhe përfundon më 15 korrik 2012, pra 45 ditë kalendarike. Të gjitha subjektet private dhe shtetërore që kanë të drejta pronësie, ose të drejta të tjera reale mbi pasuritë e paluajtshme duhet të verifikojnë Regjistrimin Fillestar të pasurive të tyre. Në rast se gjatë kësaj faze konstatohen mangësi në informacionin e afishuar, atëherë pronari, si dhe personat që kanë interesa të tjera mbi pasurinë, duhet të bëjë plotësimet e nevojshme dhe ti paraqesë vetë ato, brenda afatit të afishimit publik, në ambientin e afishimit, pranë specialistëve të ngarkuar me këtë detyrë te Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë.