E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipotekat, jepen lejet për 385 banesa

13/01/2012  Basha takon ndërtuesit. Reduktohen 18 dokumente, për marrjen e lejeve të përdorimit

Ndahen lejet e përdorimit për 11 objekte, në proces 25 të tjera me 1000 apartamente.

Shkojnë drejt mbylljes procedurat për hipotekimin e rreth 385 apartamenteve në kryeqytet, ndërkohë 1000 të tjera janë ende në proces të përgatitjes së dokumentacionit. Në takimin e zhvilluar dje me drejtuesit e Shoqatës së Ndërtuesve kryebashkiaku Lulëzim Basha ka ndarë 11 lejet e reja të përdorimit, të cilat përfshijnë pallate, ambiente tregtare e shërbimi dhe parkime. Vetëm për këto objekte janë bërë gati dosjet që do t’i përcillen zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për hipotekim përfundimtar të një numri prej 385 apartamentesh banimi. Sipërfaqja e objekteve të reja që u pajisen me lejen e shfrytëzimit llogaritet të jetë rreth 70 mijë metra katrorë ndërtim. Megjithatë, ky proces nuk do të ndalet me kaq, kjo pasi deri më tani bashkia ka kryer të gjitha kontrollet, ku janë të gatshme për të mbyllur procesin e miratimit të lejeve të përdorimit edhe për një grup tjetër prej 25 dosjesh, të cilat kanë nevojë vetëm për angazhimin e subjekteve ndërtuese për plotësimin e dokumentacionit të domosdoshëm për pajisjen me këto leje shfrytëzimi. Finalizimi i këtij procesi vetëm për këtë grup prej 25 objektesh do të bëjë të mundur përcjelljen pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për hipotekim përfundimtar një numër mbi 1000 apartamentesh banimi, por edhe të një numri të madh ambientesh tregtare, shërbimi apo parkimi, të gjitha këto me një sipërfaqe rreth 175 mijë metra katrorë ndërtim.

Lejet e shfrytëzimit

“Ne po japim lejet e përdorimit për 11 objekte, që përfaqësojnë 385 apartamente banimi, 385 familje, të cilave deri më tani u është mohuar e drejta e tyre e ligjshme për të pasur tapitë e shtëpive, si dhe përfundimin e shpejtë të 25 objekteve të tjera, që përfaqësojnë afro 1000 apartamente banimi, pra në total mbi 1300 apo 1400 apartamente, të cilat me këto akte u hapet rruga për një hipotekim të shpejtë dhe pajisen me tapitë, me dokumentet e regjistrimit të pasurive të tyre në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, pra në hipotekë”, - ka deklaruar kryebashkiaku Basha. Krahas lejeve të dhëna bëhet me dije se janë edhe një numër i konsiderueshëm dosjesh të tjera që po sistemohen. Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në këtë institucion ka evidentuar specifikat edhe për një kategori tjetër, prej rreth 40 dosjesh, një pjesë e konsiderueshme e të cilave rezultojnë se kanë thjesht probleme të plotësimit me dokumentacion, që kërkojnë angazhimin e subjekteve ndërtuese për plotësimin e dokumentacionit të domosdoshëm deri në pajisjen me këto leje.

Regjistrimi

“Ne po monitorojmë nga afër se si po menaxhohet procesi nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, pra nga hipoteka, dhe jam i inkurajuar nga fakti që brenda një kohe relativisht të shkurtër, afro 50 ditë, pas dërgimit të mbi 120 lejeve të shfrytëzimit pranë hipotekës, duket se rreth 107 prej tyre kanë përfunduar dhe pjesa tjetër është në përfundim e sipër. Edhe kjo natyrisht që kërkon një bashkëpunim, një komunikim të ndërsjellë midis institucionit përkatës dhe ndërtuesve”, - konfirmoi Basha. Ndërsa kreu i Shoqatës së Ndërtuesve, Avenir Kika, si dhe ai i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, kanë vlerësuar hapat për nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet ndërtuesve dhe Bashkisë së Tiranës në të mirë të zhvillimit të kryeqytetit.

Bashkëpunimi me ndërtuesit

Pas ndarjes së lejeve dhe prezantimit të planit të bashkëpunimit, ndërtuesit kanë aprovuar planin e përgatitur nga Bashkia për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy palëve. “Ne nuk duam asgjë më tepër sesa një partner si ky që ju na paraqitët sot. Ky është pretendimi ynë dhe me kaq jemi të kënaqur. Ne duam që këtë partneritet ta institucionalizojmë. Bëhet fjalë për planin urbanistik ose për zhvillimin në të ardhmen. Ajo që është theksuar edhe nga ju vetë është partneriteti publik apo privat. Nëpërmjet Shoqatës së Ndërtuesve është mënyra më e mirë që të mund të organizohet. Duke qenë më të organizuar, mund t’i ofrojmë edhe ne si grupim privat administratës publike një zgjidhje, një mundësi, një bashkëpunim, që nënkuptohet është gjithnjë në interesin tonë, sepse ka pasur edhe ankesa për ndërtimin me të drejtë, por nuk jemi më në atë kohë. 20 vjet tranzicion kanë sjellë ndryshime në mentalitetin e ndërtuesve dhe ne e dimë, një objekt yni do të ecë, nëse do të jetë i mirë, pra duhet të rritim bashkëpunimin”, - ka deklaruar drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve Maksim Muçi.

Hartimi i planit të ri urbanistik

pritet të zhbllokojë lejet e ndërtimit

Ndërtuesit do të jenë pjesë e rëndësishme e konsultimeve për hartimin e planit urbanistik të Tiranës. Sipas Bashës, Plani i ri urbanistik pritet të përfundojë brenda 6-mujorit të parë të këtij viti dhe ky grup interesi do të jetë pjesë e konsultimeve që do të zhvillohet për këtë plan. Detajimet që do të përmbajë ky plan do të zhbllokojnë edhe procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit në kryeqytet, i cili prej kohësh mbeti pezull: “Së shpejti plani urbanistik i Tiranës do të hyjë në fazën e konsultimit. Unë i mbetem plotësisht premtimit tim për ta përmbyllur këtë plan brenda 6-mujorit të parë të këtij viti dhe njëkohësisht ne po punojmë edhe me qeverisjen qendrore për të hartuar mekanizmat e duhur që kërkon ligji i ri i urbanistikës, në mënyrë që menjëherë pas përfundimit të planit ne të jemi në gjendje të pajisim komunitetin e ndërtuesve me leje ndërtimi në përputhje me ligjin, në përputhje me parametrat urbanë të Tiranës së shekullit të 21-të, në përputhje me kërkesat e tregut, me kërkesat e qytetarëve të Tiranës”, - ka deklaruar Basha.

Lehtësimi i procedurave për pajisjen e ndërtuesve me leje

Reduktohen 18 dokumente për marrjen e lejeve të përdorimit

Për t’u ardhur sa më shumë në ndihmë ndërtuesve, si dhe për të lehtësuar procedurat për pajisjen me leje përdorimi, Bashkia e Tiranës ka reduktuar numrin e dokumenteve të nevojshme për të marrë këtë leje. Kryebashkiaku Basha ka kërkuar bashkëpunimin e ndërtuesve që të shprehin angazhimin e tyre për plotësimin e dokumentacionit për pajisjen me leje përdorimi: “Ajo që unë dua të theksoj këtu në praninë e ndërtuesve, që pajisen me lejet e përdorimit, është se me të njëjtin angazhim kërkoj nga pjesa tjetër e komunitetit të ndërtuesve të plotësojnë detyrimet e tyre. Lajmi i mirë është se nga 34 dokumente që duheshin deri më sot për të përmbyllur procesin ne e kemi thjeshtuar atë në 16 dokumente. Sigurisht që nuk janë pak, por më shumë se gjysma e dokumenteve që kërkoheshin më parë, dhe kjo është në frymën e energjisë pozitive, në frymën e re që ne si bashki po mundohemi të injektojmë në marrëdhëniet me komunitetin e biznesit në tërësi dhe me ndërtuesit në veçanti, të thjeshtimit të burokracive, të bërjes së procesit transparent, sa më të menaxhueshëm dhe sa më efektiv”, - tha Basha

Edhe një herë tjetër Basha ka deklaruar se puna e institucionit që ai drejton nuk përfundon vetëm me kryerjen e detyrave të saj për pajisjen me leje përdorimi, por ajo do ta ndjekë nga afër procesin, deri në hipotekimin e këtyre objekteve.

Basha: “Konfirmohet dhënia e lejeve të përdorimit për 11 objekte, që përfaqësojnë 385 apartamente banimi, 385 familje, të cilave deri më tani u është mohuar e drejta e tyre e ligjshme për të pasur tapitë e shtëpive, si dhe përfundimin e shpejtë të 25 objekteve të tjera, që përfaqësojnë afro 1000 apartamente banimi, pra gjithsej mbi 1300 apo 1400 apartamente, që me këto akte u hapet rruga për një hipotekim të shpejtë dhe pajisen me tapitë, me dokumentet e regjistrimit të pasurive të tyre në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, pra në hipotekë”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›