Hiqen gafitet antishqiptare në periferi të Shkupit
Në lagjen periferike Draçevë të Shkupit janë fshirë sot të gjitha grafitet me përmbajtje antishqiptare dhe raciste.
Dy ditë më parë grafite fyese dhe antishqiptare me porositë "Vdekje për shqiptarët", ishin shkruar kryesisht në rrugën kryesore që lidh fshatrat e banuara me shqiptarë të zonës së Karshiakës.
Kryetari i komunës së Studeniçanit, Fati Iseni theksoi se ka reaguar pranë institucioneve përgjegjëse për të ndërmarrë masat për të shlyer grafitet e tilla me mesazhe antishqiptare dhe raciste.
"Ne dënojmë aktet e tilla dhe kërkojmë që MPB të gjejë autorët e porosive të tilla nxitëse dhe që rrënojnë marrëdhëniet ndëretnike. Andaj vlerësojmë se pas alarmimit të kësaj ngjarje, u mor vendimi për të shmangur ato", theksoi kryetari i komunës së Studeniçanit.
Lagja Draçevë në dalje të Shkupit është kryesisht e dominuar me popullsi maqedonase. Pas incidenteve të fundit në Maqedoni janë shtuar edhe grafitet raciste dhe antishqiptare në Shkup, Ohër, Manastir dhe qytete tjera.