Serbi, arrestohen të dyshuarit për zjarrvënie në ambasadën amerikane

Policia serbe ka ndërmarrë bastisje në qytete të ndryshme të vendit duke arrestuar disa persona të cilët akuzohen për zjarrvënie në Ambasadën e SHBA-së në Beograd, në vitin 2008, gjatë trazirave kundër pavarësisë së Kosovës.
Prokurorja serbe, Zagorka Dollovaç, tha se policia ka filluar operacione në disa qytete të Serbisë, përfshirë edhe Beogradin, por nuk ka thënë se sa të dyshuar janë arrestuar deri më tani.
Qindra protestues nacionalistë kishin hyrë në Ambasadën amerikane më 21 shkurt të vitit 2008, në shenjë proteste kundër mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës.
Deri më tani, një person i dyshuar është paraqitur në gjykatë për sulmin në ambasadë, gjatë së cilit një protestues është vrarë.