Hiqen nga qarkullimi certifikatat personale
Këta tek gjendja civile më thonë që nuk ta japim, se ka një urdhër nga Ministria e Brendshme që nuk e lejon dhënien e tyre. Por, si ka mundësi të lëshohen këto urdhra kur në institucione të shumta të kërkojnë certifikatë personale dhe jo kartë identiteti?, është shprehur e moshuara, banore e njësisë bashkiake nr. 9 në Tiranë. Ndërkohë që ky urdhër absurd nuk është vetëm për kryeqytetin, por për të gjitha gjendjet civile në vendin tonë. Ekzistenca e këtij vendimi është konfirmuar edhe nga kryetarët e disa njësive bashkiake që ne kemi kontaktuar. Një prej tyre është edhe kryetarja e njësisë nr. 6, e cila ka theksuar se ky vendim është marrë në mënyrë që të gjithë qytetarët të pajisen me letërnjoftimin elektronik. Kjo taktikë e detyrimit të qytetarëve është përdorur edhe më parë nga Bashkia e Tiranës, e cila nuk lëshonte asnjë lloj certifikate ose vërtetimi pa paguar taksat. Por, në fund të fundit, pasi paguaje taksat, certifikatat dhe shërbime të tjera që qytetarët kërkonin të merrnin në gjendje civile ofroheshin. Ndërkohë, me këtë urdhër, edhe pse një person ka kartë identiteti dhe shkon në gjendje civile me fotokopjen e saj për të tërhequr një certifikatë personale, sërish nuk i jepet. Kjo, edhe pse për plotësimin e dokumenteve për pension, për në ambasadë, por edhe në bankë të kërkohet pikërisht certifikata personale.