Duo për violinë dhe piano, nga motrat Seferaj
Dy artistet e njohura shqiptare Alma dhe Nertila Seferaj kanë interpretuar duo pjesë për piano e violinë. Ato kanë sjellë për publikun pjesë nga Mozart, Johanes Brahms, C. Debussy, si dhe Pablo Sarasate. Koncerti i cili u shfaq në hotel Rogner u mirëprit nga publiku. Të dyja motrat Seferaj, mësimet e para për piano e violinë i kanë marrë në shkollën "Dëshmorët e Lirisë",
më pas ato kanë nisur studimet në liceun artistik "Jordan Misja" në Tiranë. Motrat instrumentiste më pas kanë studiuar në universitetin "Johannes Gutenberg" në Mainz të Gjermanisë, ku edhe janë diplomuar. Violinistja Alma Seferaj, gjatë studimeve ajo ka fituar audicionin për Akademinë e Orkestrës së Aachenit në Gjermani. Ka fituar një kontratë pune të përhershme me orkestrën simfonike të Goettingenit po në Gjermani. Gjithashtu violinistja është edhe pjesëtare e orkestrës Filarmonike të Bonn-it. Po kaq e suksesshme është edhe pianistja Nertila Seferaj, talenti i së cilës ka spikatur qysh në moshë të vogël, ndërkohë që ajo është caktuar pedagoge e pianos në Konservatorin e Mainzit në Gjermani.