E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqeni janarin

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger mendon se nuk duhet të ekzistojë afati kalimtar i janarit. Strategu francez thotë se futbollistët që janë në dispozicion për transferim gjatë dimrit janë kryesisht ata që nuk kanë luajtur në skuadrat e tyre dhe u nevojitet kohë për t’u adaptuar në një klub të ri. Për të, janari nuk paraqet periudhë për korrigjimin e skuadrës.

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger ka theksuar dëshirën e tij për anulimin e afatit kalimtar të janarit dhe insiston se nuk do të joshet nga angazhimi i futbollistëve të rinj në vazhdim të këtij muaji.

Wenger fillimisht kishte sugjeruar se do të ndërhyjë në treg dimëror për të sjellë mbulesë defensive pas listës së gjatë të futbollistëve të lënduar përfshirë Thomas Vermaelen, Andre Santos, Kieran Gibbs, Bacary Sagna e Carl Jenkinson, por pavarësisht dëmtimit më të ri të Francis Coquelinit, Wenger nuk mendon se mund të gjejë zëvendësues të dobishëm.

Strategu i gjigantit londinez beson se futbollistët që dëshirojnë të largohen gjatë janarit nuk do të jenë të gatshëm të përshtaten në skuadrat e para të ekipeve të tjera, sepse nuk kanë luajtur rregullisht në klubet e tyre, ose kanë pak përvojë në Premierligë.

“Ju gjeni futbollistë të cilët nuk kanë qenë duke luajtur në klubet e tyre, dhe vendosen të largohem gjatë janarit”, tha Wenger për të përditshmen angleze, The Guardian.

“Ata janë gjithnjë e më pak të përqendruar për të ndihmuar një skuadër. Ne kemi dalë nga një periudhë kur edhe nëse nuk luani, ju jeni të përqendruar në klubin tuaj dhe nuk kishit opsion tjetër përveç se të luftoni. Tani ekziston një rrugëdalje e lehtë, largimi. Ose do të lija tregun e hapur, ose do ta mbyllja tërësisht. Ky është në mes kur të gjithë fillojnë të hidhërohen rreth nëntorit”, shtoi strategu francez.

Wenger po ashtu thekson se janari nuk jep kohë të mjaftueshme për të analizuar situatën mes angazhimit të një përforcimi, para rikuperimit të një futbollisti të lënduar.

“Nganjëherë nëse një futbollist nuk ka luajtur, edhe gjatë kohës kur është mirë fizikisht, në skuadrën tuaj ndodh të kthehen futbollistët e lënduar. Ose, ju gjeni një futbollist të ri diku, duhet të keni parasysh se do t’i nevojiten tre ose katër muaj për t’u adaptuar në Premierligë. Nëse na kthehet Vermaelen javën e ardhshme, do të kemi mjaft futbollistë në dispozicion”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›