E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha shënon dhe çartet

Besart Berisha më në fund e ka gjetur golin. Ai i ka siguruar Brisbane Roarit tri pikë të vlefshme në minutën e fundit të lojës shtesë. Por pas ndeshjes, sulmuesi kosovar ka bërë një gjest të pahijshëm duke e ftuar futbollistin e Sydneyt, Pascal Bosschart që të qërojnë hesapet. Sjelljet e 26-vjeçarit janë kritikuar nga kampioni i Australisë.

Besart Berisha iu është rikthyer golave pas një agjërimi disa javësh. Sulmuesi kosovar ishte vendimtar në derbin australian ndërmjet skuadrave Brisbane Roar dhe Sydney, e cila përfundoi 2:1.

Reprezentuesi i Shqipërisë i ka sjellë fitore shumë të rëndësishme Brisbane Roarit në minutën e pestë shtesë, pasi nga afërsia nuk e pati të vështirë ta mposhtë portierin e Sydneyt, i cili ishte në avantazh deri në fund të takimit.

Pos pas përfundimit të ndeshjes, Besart Berisha ka bërë një sjellje ‘allashqiptarçe’. Pas përfundimit të ndeshjes, kosovari e ka ftuar futbollistin e Sydneyt, Pascal Bosschart që të takohen në zhveshtoret për të qëruar hesapet.

Mirëpo sigurimi dhe zyrtarët e klubit kampion të Australisë qetësuan kosovarin dhe nuk e lanë të bëjë ndonjë skandal. Nga skenat që pa në fushë trajneri i Brisbanes, Ange Postecoglou ishte i dëshpëruar me Berishën.

“Gjatë ndeshjeve ne bëjmë mjaft gjëra të mira, por kacafytjet nuk janë njëra prej tyre ato duhet t’ua lëmë sporteve të tjera. Nga ajo që pashë unë, Besarti nuk është dashur të shkojë te Bosscharti”, ka thënë Postecoglou për mediat australiane.

“Ishte hallakamë e madhe, por në fund nuk ndodhi asgjë e madhe. Nëse Berisha e ka kaluar kufirin, unë do të merrem me të, por për momentin pres të marr informacione që na nevojiten e pastaj do të merrem me to”, theksoi ai.

Edhe mesfushori i skuadrës Brisbane Roar, Massimo Murdocca nuk e di se çfarë e zgjoi konfliktin por ndejnë se Berisha duhet të kontrollojë më mirë sjelljet. “Mendoj se Berisha duhet të kontrollojë më mirë veten, ai ka një karakter më të vrazhdë, më të ashpër, por ne e duam si futbollist dhe është prej atyre që na nevojitet në sulm”, u shpreh ai.

Ky është goli i 11-të i prishtinasit në Kampionatin australian, duke u shndërruar në lojtarin kryesor të kësaj skuadre, e cila momentalisht renditet në pozitën e dyta në renditjen tabelore me 28 pikë të tubuara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›