Hiqeshin si ndërtues pallatesh, vilnin mijëra euro
Mashtronin qytetarët duke u hequr si ndërtues pallatesh dhe u merrnin në formë parapagimi shuma të konsiderueshme parash. Një person është arrestuar, një tjetër është në kërkim dhe një i tretë ndiqet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale të mashtrimit, pas një operacioni të kryer nga një njësi task-force e Prokurorisë së Rrethit dhe Policisë së Korçës. Operacioni i koduar Ndërtuesi që është finalizuar mbrëmjen e së enjtes, ka bërë të mundur jo vetëm zbulimin dhe dokumentimin e këtij mashtrimi, por edhe arrestimin e 31-vjeçarit, Altin Uruçi nga Lushnja, shpalljen në kërkim të 41-vjeçarit, Stefanaq Çuro, si dhe ndjekjen penale në gjendje të lirë për 80-vjeçarin, Fori Çuro nga fshati Zhepe i Përmetit. Policia bëri të ditur se zbulimi i këtij mashtrimi është arritur pas një pune disamujore me teknika speciale hetimi, çka nënkupton përgjimin e personave të marrë tashmë të pandehur si mashtrues. Sipas të dhënave zyrtare, tre personat prezantoheshin si ndërtues pallatesh. Deri më datën 25 prill kur edhe është finalizuar operacioni i Prokurorisë dhe Policisë së Korçës, ata i kanë marrë një shumë prej 22 mijë eurosh shtetasve Jorgji Jorgji nga Gozhdorazhda e Leskovikut, si dhe 51-vjeçarit Sotiraq Vangjel nga Zhepe e Përmetit. Personave që u merrnin paratë, u premtonin se do të përfitonin dyqane në Tiranë. Për të realizuar planin e tyre të mashtrimit, 31-vjeçari Altin Uruçi prezantohej herë pas here me emra dhe identitete të ndryshme. Policia tha se ka sekuestruar një mjet me të cilin qarkullonin ndërtuesit e rremë të pallateve si dhe katër aparate celularë. Arrestimi i njërit prej tyre, që dyshohet se ka luajtur edhe rolin kryesor të mashtrimit, 31-vjeçari Altin Uruçi, është kthyer në qytetin e Korçës. G.A
Hiqeshin si ndërtues pallatesh, vilnin mijëra euro burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email