Polici vret kushërirën 18-vjeçare me armën e punës: Doja ta frikësoja
E premtja e zezë
Konflikti për pronën në Lekbibaj të Tropojës, Fran Papleka qëllon ndaj Gjyste Paplekës
Sulejman Dida
E premtja e kësaj jave mund të quhet si e premte e zezë, pasi ngjarjet kanë pasuar njëra-tjetrën, madje me bilance lufte. Ngjarja më e rëndë është shënuar në Tropojë, ku u vra një 18-vjeçare dhe ku paradoksalisht autori është kushëriri i parë i saj, një punonjës i policisë lokale. Të dhënat e para japin si motiv atë të pronësisë, por hetimet do të zbardhin gjithçka në ditët në vijim.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë është shënuar të premten paradite në Lekbibaj të Rrethit të Tropojës, ku një punonjës policie me emrin Fran Papleka, 55 vjeç, ka vrarë me pistoletën e punës 18-vjeçaren Gjyste Papleka për motive pronësie, të paktën kështu thuhet në një njoftim zyrtar të policisë. Zëdhënësi i policisë së Qarkut të Kukësit, Jaho Çaushi, pak orë pas ngjarjes, ka njoftuar se autori i krimit është vetëdorëzuar në polici ku po mbahet në paraburgim. Ai thotë se është sekuestruar arma e krimit, përkatësisht pistoleta që mbante polici Papleka ndërsa grupi hetimor që ka udhëtuar në vendngjarje po punon për zbardhjen e rrethanave të vrasjes. Zëdhënësi Çaushi nënvizon faktin që gjatë konfliktit kur u krye vrasja, polici Papleka nuk ka qenë në orarin e punës. Policia nuk njeh ose nuk bën të ditur detaje të ngjarjes tragjike, por pohon se viktima dhe vrasësi ishin kushërinj mes tyre.
Banorët
Një burim nga vendi i ngjarjes thotë se vrasja është kryer pa dashje, por kjo mbetet për tu zbardhur nga hetimet. Të dyja familjet Papleka janë të një barku dhe protagonistët janë fëmijë xhaxhallarësh. Njerëzit thonë se autori i vrasjes, polici 55 vjeç, ka një familje të madhe në numër, prej 11 fëmijësh, dhe po kaq janë edhe nga familja e xhaxhait të vet. Fshatarët e paktë që kanë mbetur në Lekbibaj pohojnë se dy familjet kanë emër të mirë në fshat edhe pse vitet e fundit ata janë futur në sherr për shkak të tokës, të kufijve mes tyre. Por ata tregojnë opinionin e tyre, sipas të cilit, asnjë shkak nuk do ta çonte 55-vjeçarin të shtinte me armë kundër kushërirës. Megjithatë kjo ngjarje ndodhi dhe një zot i di rrethanat, tha një fshatar, duke shtuar se deri dje, do të vija dorën në zjarr nëse 55-vjeçari mund të bënte një vrasje, pasi njihej si burrë i urtë. Nga ana tjetër, banorët pohojnë se mjerimi është ulur këmbëkryq në fshatin e tyre, madje në çdo familje, por kjo mund të shihet si një rrethanë negative të cilën njerëzit kanë humbur qetësinë, siç komentoi një burrë i moshuar, por nuk mund të lidhet direkt me vrasjen.
Autori: E vrava pa dashje
Autori mësohet se gjatë shoqërimit ka dhënë një version të tijin të ngjarjes, sipas të cilit vrasja ka qenë pa dashje. Por ai nuk ka mohuar që mes 18-vjeçares dhe atij ka pasur një sherr për pronën e tokës kufitare. Kemi bërë sherr dhe unë kam dashur të shkrep pistoletën në ajër, por gabimisht plumbi ka rënë në trupin e saj dhe tani më vjen keq si ndodhi kjo, mësohet të ketë thënë i akuzuari për vrasjen e kushërirës. Mësohet se vajza ka vdekur nga një plumb i vetëm që e ka qëlluar në qafë dhe kjo goditje ka qenë fatale, pasi askush nuk ka mundur të ndalojë rrjedhjen e gjakut. Konfliktet e pronësisë në Qarkun e Kukësit edhe më herët kanë shkaktuar gjakderdhje. Pak vite më parë një ngjarje e ngjashme ka ndodhur në një fshat të Kukësit ku viktimë ka qenë gjithashtu një 18-vjeçare të cilën e vrau me një goditje pistolete djali i xhaxhait për shkak, që siç u mor vesh më vonë, se viktima ishte ngjitur në pemën e qershisë së autorit. Në atë kohë u mësua se dy familjet kishin qenë në konflikt për një copë tokë ku ndodhej edhe pema e qershisë. Pronësia mbi tokën, duke përfshirë arat e bukës, zabelet, kullotat apo ujin vaditës etj., në fshatrat e Qarkut të Kukësit, shpeshherë është bërë shkak për gjakderdhje tragjike brenda fisit e deri edhe brenda familjeve.
Polici vret kushërirën 18-vjeçare me armën e punës: Doja ta frikësoja burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email