E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e ish-boksierit, e paralajmëruar, denoncoi kërcënimet e Gjinajve në polici

Silvana Muça

Ngjarja

Dëshmitarët: Adrian Levanti ishte administratori i pallatit, u zu para një muaji me disa djem që pinin hashash

Silvana Muça

Banesa ku u vra Adrian Levanti (1) Banesa ku u vra Adrian Levanti (2) Banesa ku u vra Adrian Levanti (3) Banesa ku u vra Adrian Levanti (4)

Vrasja e ish-boksierit Adrian Levanti, mbrëmjen e së enjtes në Tiranë, ka qenë e paralajmëruar. Viktima, me precedentë të shumtë penalë për vjedhje dhe goditje për shkak të detyrës, ka denoncuar në policinë e Tiranës kërcënimet që ka pasur nga vëllezërit Pjetër dhe Zef Gjini, ky i fundit dyshohet se është edhe autori i krimit. Familjarët e 28-vjeçarit akuzojnë strukturat e policisë për neglizhencë, ndërsa deri më tani, policia thotë se ka një autor dhe motiv. Sipas tyre, konflikti mes familjes Levanti dhe Gjini ka nisur në muajin mars të vitit 2013. Mësohet se Adrian Levanti, së bashku me vëllanë e tij, Marjanin, kanë plagosur me thikë Zef Gjinin, i cili u ka shpëtuar plagëve të marra në trup. Menjëherë pas plagosjes, policia ka bërë shoqërimin e viktimës dhe arrestimin e vëllait, Marjanit që dyshohet së është autori i krimit. Pavarësisht kësaj, vëllezërit Gjini nuk janë kënaqur me arrestimin, duke kërkuar që ti çojnë gjërat në fund, ashtu siç ua do zakoni. Rreth orës 23:30 të së enjtes, Levanti ka qenë duke u kthyer në shtëpi, pas një kafeje që kishte pirë me miqtë. Në hyrje të pallatit 28-vjeçari ka parë dy persona që e prisnin. Sapo ai i ka pikasur autorët e krimit, është larguar me shpejtësi në drejtim të hyrjes, për tu futur brenda në banesën e tij, që ndodhej në katin e tetë. Në këtë moment agresorët e kanë ndjekur, duke mos i dhënë kohë që ai të trokiste në derë. Autori ka ngjitur shkallët deri në katin e shtatë të pallatit, me shpresën se do të gjente një derë hapur, për tu strehuar. Plani i dështoi dhe e vetmja mënyrë, ishte që tu vërsulej. Ka qenë e kotë, pasi ata ishin të armatosur. Nuk patën kohë për të bërë fjalë. Agresorët kanë qëlluar në drejtim të tij rreth 7 herë.

Dëshmitarët

Viktima, Adrian Levanti

Viktima, Adrian Levanti

Krismat e armëve kanë terrorizuar banorët e pallatit, të cilët nuk kanë pasur as guximin për të njoftuar policinë. Teksa i pyet se çfarë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, pjesa më e madhe e tyre thonë se nuk kanë dëgjuar gjë. Madje disa prej banorëve nuk guxojnë që të hapin derën, pasi kanë parë tmerr me sy dhe nuk duan të përfshihen në problemet e familjes Levanti. Gjithsesi disa prej tyre pranojnë të thonë disa gjëra për gazetën, duke u lutur për anonimatin. Jam mjaft i terrorizuar dhe sa herë që më trokasin në derë, nuk kam guxim ta hap. Ka qenë vonë, nuk e mbaj mend mirë. Tek shkallët dëgjova disa hapa të shpejtë. Ishte e dukshme që dikush po tentonte të fshihej. Këto lloj gjërash janë pothuajse të përnatshme tek pallati ynë dhe nuk u bëra kureshtar që të dilja për të parë. Këtu pihet shumë hashash dhe djemtë zihen me njëri-tjetrin. Pas disa sekondash dëgjova disa krisma. Nuk di të them se sa të shtëna dëgjova, sepse në ato momente deri në tre dija të numëroja. U bllokova. Instinktivisht dola dhe përgjova nga syri magjik i derës. Pashë dy persona, njëri prej të cilëve ishte me pistoletë në dorë. Ai kishte veshur xhup me zinxhirë dhe në kokë mbante një kapele. Xhinset ishin ngjyrë blu. Personin tjetër nuk e mbaj mend se çfarë kishte veshur. Fytyrat e tyre më kujtohen si mjegullnajë. Po ti shoh tani në rrugë, kam përshtypjen që nuk do ti njihja. Ata ikën me shpejtësi nga shkallët e pallatit, nuk pritën që të merrnin ashensorin, shprehet dëshmitari i pallatit. Ai thotë se nuk ka arritur të dëgjojë nëse personat janë zënë verbalisht me njëri-tjetrin.

Zënka për hashashin

Sipas banorëve, Adrian Levanti ka qenë administratori i pallatit 8-katësh. Zona në fjalë është mjaft problematike nga përdoruesit e drogës. Në mbrëmje nuk rrihet në ballkon, pasi vjen era hashash. Mjaft të rinj mblidhen te hyrja e pallatit prej errësirës. Kur ishte Adriani administratori i pallatit, ai nuk i lejonte drogaxhinjtë që të rrinin aty. Si pasojë e kësaj, ka pasur edhe shumë konflikte. Para një muaji, unë kam parë një përleshje mes Adrianit dhe këtyre personave. Ata donin që të pinin hashash këtu dhe administratori nuk i la. Kam përshtypjen që ky ka qenë motivi i sherrit. Pas kësaj përleshjeje, ai nuk donte që të punonte më si përgjegjës i pallatit. Pas ikjes së tij nga detyra, situata u bë shumë e keqe, thotë banori i pallatit për kronologjinë e ngjarjes së nisur rreth një muaj më parë. Ndërkaq, një zonjë e moshuar tregon momentet pa jetë të Adrianit. Është shumë e rezervuar nga ato që thotë. Këmba e Adrianit ishte para derës së shtëpisë. Unë isha shtrirë pasi jam e sëmurë si njeri. Nuk kam dëgjuar asnjë zhurmë apo zënkë, para se të ndodhte vrasja. Kur papritmas dëgjova të shtënat. Fillimisht mendova se ishin fishekzjarrë, por më pas u binda që ishte një vrasje në pallat. U tmerrova. Nuk dija se çfarë të bëja. Shkova dhe u fsheha në banjë. Mora vajzën në telefon se u tremba. Ajo nuk ishte në shtëpi, sepse kishte dalë me miqtë e saj për darkë. Kur erdhi, e gjeti Adrianin të shtrirë për tokë. Disa minuta pas vrasjes, në derën time trokiti policia. Nuk e hapa por i fola nga përtej derës. Më thanë që ishte policia dhe se kishin nevojë për ndihmën time. Në momentin që hapa derën, pashë këmbët e Adrianit para derës së shtëpisë. Sytë më panë edhe disa gëzhoja plumbash, të cilët i mori policia. Nuk pata guxim që të dilja, kështu që i ftova policët brenda. Ata më kërkuan një çarçaf për të mbuluar viktimën. Gjithashtu më morën në pyetje. U thashë ato që dija dhe ikën. E para që erdhi lart, ishte mamaja e Adrianit. Pastaj erdhi bashkëshortja e tij. Ato momente kanë qenë një tmerr i vërtetë, tregon e moshuara.

Intervista

Aliu tregon ëndrrën me Adrianin: E putha disa herë në faqe, u bëra shumë keq

Vjehrri i viktimës: Nëse policia

do ndërhynte, sdo kishte vrasje

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›