E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqet taksa e qarkullimit për tragetet dhe makinat private të huaja

Automjetet me targa të huaja që qëndrojnë përkohësisht në territorin e Republikës së Shqipërisë për qëllime private do të përjashtohen nga taksa e qarkullimit. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Propozimi për përjashtimin nga taksa e qarkullimit është marrë nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi. Projektvendimit për taksimin e automjeteve rrugore për përdorim privat në trafikun ndërkombëtar është shtuar edhe vendimi që automjetet e huaja rrugore të palëve kontraktuese që operojnë në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve në territorin e Shqipërisë, si edhe automjetet e huaja rrugore për përdorim privat që qëndrojnë përkohësisht në territorin e Shqipërisë, përjashtohen nga taksa e qarkullimit për automjetet. Në bazë të ligjit nr. 8977, datë 12.12.2002 "për sistemin e taksave në Republikën e Shqipërisë", taksa e qarkullimit të automjeteve të huaja për autoveturat me më pak se 8+1 vende për 60 ditë qëndrimi është një euro, ndërsa për automjetet e tjera sipas përcaktimit në këtë konventë në bazë të reciprocitetit. Konventa mbi taksimin e automjeteve rrugore për përdorim privat në trafikun ndërkombëtar ka për qëllim lehtësimin e zhvillimit të turizmit ndërkombëtar nëpërmjet qarkullimit të lirë të mjeteve dhe njerëzve. Kjo konventë përjashton nga taksa e qarkullimit automjete e huaja të përdorimit privat në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve me më pak se 8+1 vende, duke mos përfshirë në këtë përjashtim transportin e udhëtarëve kundrejt pagesës, shpërblimit ose formave të tjera, si edhe nuk përfitojnë nga përjashtimi i taksës së qarkullimit, automjetet e transportit të mallrave për nevoja industriale ose tregtare me ose pa pagesë. Në zbatim të detyrave të përcaktuara në programin e qeverisë për transportin rrugor dhe në planin kombëtar të transportit është hartuar projektligji "për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën për taksimin e automjeteve rrugore për përdorim privat në trafikun ndërkombëtar. Kjo konventë është nënshkruar në Gjenevë, më 18 maj 1956. Me aderimin në këtë konventë, automjetet e regjistruara në territorin e një prej palëve kontraktuese, automjetet e lejuara për të qarkulluar në këtë territor, si edhe ato të përjashtuara nga detyrimi për t‘u regjistruar në këtë territor, kur qëndrojnë përkohësisht për përdorim privat në territorin e një shteti tjetër kontraktues do të përjashtohen nga taksa dhe pagesat tarifore të vëna për qarkullim ose mbajtjen e automjeteve në territorin e atij shteti kontraktues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›