Qeveria paguan 890 mijë euro gjobë për qiranë e papaguar
Berisha lan borxhin e vjetër. Qiraja e mospaguar për rezidencën e ambasadës shqiptare në Romë në vitin 1993 e detyron shtetin shqiptar sot të japë 890 mijë euro për t‘i dhënë fund konfliktit që ka përfunduar deri në gjyq mes tij dhe ish-pronarit të godinës ku ndodhej rezidenca jonë në Romë. Qeveria vendos të paguajë supergjobën e detyruar edhe nga vendimi i prerë i gjykatës italiane, por edhe nga frika e sekuestrimit të pasurive të shtetit shqiptar nga pala italiane. Historia për mospagimin e qirasë së godinës ku ishte e vendosur ambasada shqiptare në Itali ka nisur që në vitin 1993, ku janë zhvilluar edhe disa procese gjyqësore. Kërkesa e pronarit për pagimin e qirasë së shtuar dhe të papaguar nga ana e ambasadës është pranuar nga Gjykata e Romës, e cila me vendimin e dhënë në vitin 1993, në mungesë të palës shqiptare, e detyron shtetin tonë t‘i paguajë pronarit shumën prej 1.490.942.242 lireta, e barasvlefshme sot me 770.007.501 euro si dëmshpërblim paditësit për qiranë e papaguar, vendim i cili ka marrë formë të prerë. Në mbarim të afatit për ekzekutimin e vendimit ndaj palës shqiptare ka nisur një proces i dytë gjyqësor ku familja Xhani, për vendosjen e sekuestros mbi llogaritë e shtetit shqiptar në disa banka në Itali, duke kërkuar si dëmshpërblim shumën 2.774.287.84 euro, për vonesën e mosekzekutimit të vendimit të formës së prerë. Kjo kërkesë për sekuestrimin e parave nuk është pranuar nga Gjykata e Romës. Ky vendim është ankimuar në Gjykatën e Apelit nga familja Xhani për ekzekutimin e detyrimit të shtetit shqiptar, i cili llogaritet tashmë 2.774.287.84 euro në disa prej bankave italiane ku ndodhen asete të shtetit shqiptar. Për ndjekjen e kësaj çështjeje, në zbatim të ligjit nr. 8551, datë 18.11.1999 "për avokaturën e shtetit" është angazhuar institucioni i Avokatit të Shtetit, i cili është struktura përgjegjëse për ndjekjen e çështjeve gjyqësore dhe mbrojtjen e interesave të shtetit shqiptar. Ky institucion ka bashkëpunuar me studion ligjore, Polverini-Agaçi, e cila ka mbrojtur interesat e shtetit shqiptar edhe për procesin gjyqësor të pronësisë 10 apartamenteve të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Romë. Avokatura e shtetit, e cila ka ndjekur nga afër këtë proces gjyqësor në bashkëpunimin me studion ligjore Polverini-Agaçi, pas analizimit dhe vlerësimit të fakteve të kësaj çështjeje kanë rënë dakord se rruga e vetme për të evituar zbatimin e titullit ekzekutiv të vendimit të Gjykatës së Romës së vitit 1993 dhe të sekuestrimit të pasurive eventuale të shtetit shqiptar është arritja e një zgjidhje jashtëgjyqësore nëpërmjet një marrëveshje pajtimi ndërmjet palëve gjyqësore. Pas negociatave të studios ligjore me avokatët e familjes Xhani, si edhe me miratimin e Avokatit të Shtetit është rënë dakord të përfundohet një marrëveshje, ku familjes Xhani t‘i jepet shuma prej 750 mijë eurosh. Në relacionin e hartuar zëvendësministrja e Jashtme, Edith Harxhi, citohet se "duke pasur parasysh rrethanat, ku rrezikohen seriozisht nga sekuestrimi pasuritë e shtetit shqiptar, kjo marrëveshje ndërmjet palëve gjyqësore vjen si zgjidhje e këtij konflikti, e cila parashikon vetëm 750 mijë euro nga shuma prej 2.774.228.84 euro e detyrimit të shtetit shqiptar ndaj familjes Xhani, ndërkohë që ky detyrim rritet si pasojë e shpenzimeve, interesave dhe rivlerësimit monetar, në rast se do të kishim një zgjatje të mëtejshme të procesit gjyqësor". Studioja ligjore "Polverini Agaçi dhe Assacoati" në lidhje me shërbimet e kryera ka paraqitur kërkesën për shërbimet e kryera. Në bazë të tarifave mbi bazën e padisë që aplikohet në rastin konkret shuma i korrespondon 20% të vlerës së padisë, që parashikon shumën 370 mijë euro. Studioja ligjore duke konsideruar bashkëpunimin e vazhdueshëm profesional me shtetin shqiptar ka vlerësuar kërkesën për pagesën e shumës 140 mijë euro për të gjitha shpenzimet në këtë proces, duke përfshirë edhe fazën e negociatave për marrëveshjen. Duke qenë se Ministria e Jashtme dhe Avokatura e Shtetit nuk disponojnë fond për pagimin e kësaj shume, Këshilli i Ministrave vendos që pagesa prej 890 mijë eurosh të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.