Qeveria, masa për makinat e vjedhura
Këshilli i Ministrave propozon që Prokuroria e Përgjithshme për mjetet e sekuestruara sipas ligjit "për trafikim të mjeteve motorike", neni 141/a i Kodit Penal, ndërmjet një qarkoreje të orientojë prokuroritë vartëse që këto automjete të mos u lihen në ruajtje poseduesve të tyre, por të sigurohen në vende parkimi nga drejtoritë e policisë në qarqe. Vendimi është marrë në kuadër të miratimit të planit kombëtar të veprimit për luftën kundër trafikimit të mjeteve motorike. Fitimet e mëdha që përfitoheshin nga trafikimi i makinave të vjedhura, mungesa e legjislacionit, ka bërë që ky aktivitet kriminal të marrë përpjesëtime të mëdha dhe Shqipëria gradualisht filloi të shndërrohet në një treg të rëndësishëm për makinat e vjedhura në vendet e Evropës Perëndimore. Këshilli i Ministrave ka vendosur dje të krijojë grupin ndërministror të punës për të rikuperuar mangësitë që ka hasur deri tani në luftën kundër trafikut të makinave. Duke përcaktuar masat për të menaxhuar situatën, qeveria ka vendosur që në pikat kufitare të vendosen mjete teknike të posaçme për leximin automatik të targave dhe pajisje me kompletë çelësash dhe hapje makinash. Gjatë mbledhjes së qeverisë, është vendosur që të merren masa për identifikimin e makinave të trafikuara, nëpërmjet përmirësimit të procedurave të gjetjes së makinave të vjedhura dhe bashkëpunimit me të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit. Është kërkuar gjithashtu, edhe identifikimi i trafikantëve të makinave, përfshirja e tyre në procese ligjore, përfundimi i hetimeve, dënimi i tyre dhe kthimi i makinave të vjedhura te pronarët e ligjshëm.