Hiqini penalltitë!

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka kërkuar nga presidenti i nderit i Bayern Munichut, Franz Beckenbauer, që të vijë me ndonjë alternativë për ‘tragjedinë’ e penalltive.
Beckenbauer është kryetar i Task Forcës së Futbollit 2014, grup ky i projektuar për të bërë rekomandimin për ndryshimin e rregullave.
“Futbolli mund të jetë një tragjedi kur shkohet në penallti. Në futboll nuk duhet të shkohet një kundër një, sepse kur po shkohet në penallti, futbolli po e humb esencën. Beckenbauer dhe grupi i tij mund të na gjejnë një zgjidhje, ndoshta jo sot, por në të ardhmen”, tha Blatter para delegatëve në Kongresin e FIFA-s të premten.
Finalen e Ligës së Kampionëve këtë sezon e fitoi Chelsea me anë të penalltive, me gjithë dominimin e Bayern Munichut gjatë tërë takimit. Kjo ishte hera e 10-të që një finale e garës elite të klubeve evropiane u vendos me njëmbëdhjetëmetërsha.
Po ashtu edhe Zambia ka fituar Kupën e Afrikës këtë sezon, pasi në finale mposhti Bregun e Fildishtë pas gjuajtjeve të penalltive. Kampionati botëror është vendosur dy herë me penallti: me Brazilin që mposhti Italinë më 1994 dhe Italinë që mposhti Francën më 2006.
Blatter iu referua si ‘tragjedi’ fitores së Italisë më 2006, edhe pse katër vite me vonë kishte sugjeruar që të gjitha ndeshjet që përfundojnë me barazim në grupe, të shkojnë në penallti. FIFA ka njoftuar se vendimi për përdorimin e teknologjisë në vijën e portës do të merret në Zurich më 5 korrik, vetëm tri ditë pas finales së Euro 2012 në Kiev.
‘Syri i shqiponjës’, sistem i bazuar në kamera, do të përdoret në ndeshjen miqësore ndërmjet Anglisë dhe Belgjikës më 2 qershor, edhe pse zyrtarët e këtij takimi nuk do të kenë qasje në të dhëna dhe teknologjia në vijën e golës nuk do të ketë ndonjë ndikim në rastet e dyshimta.