Vetëvendosje vendos të jetë opozitë në Ferizaj

Vendimin për moshyrje në koalicion në zgjedhjet e balotazhit për kryetar të Ferizajt me këto dy subjekte politike e ka paraqitur në një konferencë për media, Faton Topalli, kandidat i Vetëvendosjes në zgjedhjet e 29 prillit në Ferizaj.
Topalli, moshyrjen në koalicion e arsyeton me shembujt të keqqeverisjes nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhje Demokratike e Kosovës, të cilat sipas tij, po bëjë shantazhe ndaj qytetarit dhe bizneseve. Për më tepër, ai tha se qeverisja e PDK-së në Ferizaj nuk është as më shumë e as më pak se një filiale e politikës shtetërore që po zhvillohet sot në Kosovë, me të cilën shumica e qytetarëve të Kosovës nuk pajtohen.
“Partia Demokratike e Kosovës, partia në pushtet, është shembulli më tipik se si nuk duhet të jetë pushteti. Që nga fillimi kjo parti përmes korrupsionit ia ka zënë frymën zhvillimit ekonomik dhe në këtë mënyrë edhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve. Ajo jo vetëm që ka përjashtuar qytetarët nga vendimmarrja dhe bashkëqeverisja, por në periudha të caktuara ka suspenduar parlamentin dhe shfuqizuar Republikën e Kosovës. Gjatë gjithë periudhës së qeverisjes të saj është karakterizuar nga korrupsioni, abuzimi me mjetet publike, shantazhi ndaj bizneseve dhe qytetarëve dhe mbi të gjitha dekurajimit të qytetarëve për ndryshime dhe angazhimit të tyre për një jetë më të mirë”, ka thënë Topalli.
Ai shprehet i bindur se Kosova ka nevojë për ndryshime rrënjësore në të gjitha fushat e jetës, të cilat siç është shprehur ai nuk mund të vijë nga partitë politike që garojnë në Ferizaj për kryetar të Komunës.
Ai shton se as Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është subjekti politik i cili mund të bëjë ndryshime në Kosovë e as në Ferizaj.
“Drejtuesit e kësaj partie kanë qeverisur së bashku me drejtuesit e PDK-së. Përgjatë të gjitha mandateve të përbashkëta nga këto dy subjekte, Kosovës i është shtuar papunësia, varfëria, korrupsioni dhe në vazhdimësi i janë bërë koncesione Serbisë. Sot, edhe pse drejtuesit e LDK-së në kuptimin formal nuk janë në pushtet, vazhdojnë të bëjnë koalicione të çastit me udhëheqjen e PDK-së, duke i zgjatur në këtë mënyrë jetën qeverisjes së keqe”, ka thënë ai.
Më tej Topalli ka bërë të ditur se Lëvizja “Vetëvendosje” nuk do të mbështes asnjërin nga kandidatet që garojnë në zgjedhjet për kryetar të Ferizajt, për arsye se nuk dëshiron të jetë pjesë e një pushteti të tillë.
“Në parim, ne jemi për koalicione të cilat pajtohen me konceptin e Lëvizjes Vetëvendosje, por nuk duam të bëhemi pjesë e asnjë koalicioni i cili për qëllim ka ndarjen e pushtetit për përfitime personale. Ne do të vazhdojmë edhe në Ferizaj të jemi opozitë e këtij pushteti të padrejtë dhe të dëmshëm dhe angazhohemi për një pushtet krejtësisht ndryshe nga ky që ka qenë deri më sot”, ka thënë Topalli.
Përndryshe, të dielën me 27 maj, do të mbahen zgjedhjet e balotazhit për zgjedhjen e kryetarit të Ferizajt, për shkak se në zgjedhjet e 29 prillit, të dy kandidatët, ai i PDK-së dhe ai i LDK-së, nuk kishin arritur të kalonin 50 përqindëshin e votave të nevojshme. Kurse, i tërë procesi zgjedhor në këtë komunë erdhi ngase kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemajli, u dënua me 2 vjet burg, për shkak se u shpall fajtor për humbjen e jetës së një të riu në një aksident komunikacioni./kosovapress/