Hiri i vullkanit të Islandës ndalon fluturimet në Europë
Një re hiri nga vullkani aktiv në Islandë është përhapur nëpër Europë dhe ka ndaluar një pjesë të mirë të trafikut ajror në veri të kontinentit. është hera e parë që pas sulmeve të 11 shtatorit në vitin 2001, që kaq shumë avionë nuk kanë pasur mundësi të nisen. Bëhet fjalë për avionë nga Irlanda, Britania e Madhe dhe gjithë vendet nordike. Me qindra fluturime janë anuluar, duke stresuar dhe lënë në pritje mijëra pasagjerë, dhe sipas zyrtarëve, ende nuk ka një njoftim të sigurt në lidhje me rifillimin e fluturimeve. Të paktën, sipas komentit të një shkencëtari bërë në media, kjo situatë mund të zgjasë ditë të tëra, çka do të thotë që për ditë të tëra do të ndërpriten, apo do të ketë çrregullime në trafikun ajror. Reja ka marrë drejtimin e Britanisë së Madhe dhe trafiku ajror i vendit është ndaluar që nga orët e para të mëngjesit të djeshëm. Edhe autoritetet e fluturimit në Irlandë i kanë ndaluar fluturimet për të paktën 8 orë dhe ndërkohë masa të tilla kanë ndërmarrë edhe vende të tjera nordike si Danimarka, Suedia, Finlanda. Kjo lëvizje ka mbyllur 5 aeroporte shumë të rëndësishme të Londrës, të cilat të marra së bashku menaxhojnë 1200 fluturime me rreth 18000 pasagjerë gjatë gjithë ditës. Ndalime fluturimesh ka pasur edhe në vende të tjera të Europës, si në Francë, Belgjikë dhe Holandë. Në fakt, ndikimet e masave të tilla kanë filluar të ndihen në të gjithë botën. Linjat ajrore të Shteteve të Bashkuara kanë anuluar disa fluturime për në Europë dhe kanë vonuar disa të tjera. Në disa aeroporte situata ka qenë kaotike. Për sa u përket dëmeve më të mëdha, aeroporti i Londrës i ka shkaktuar ato pasi është pikë kyçe e kalimit të fluturimeve nga të gjitha kontinentet. Tymi dhe hiri të dalë nga vullkani paraqesin një rrezik shumë të madh për avionët, sepse ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në vizibilitetin e ajrit dhe copëzat e ndryshme të hirit mund të krijojnë probleme edhe në vetë funksionimin e helikave, madje kjo mund të ndodhë edhe në lartësi të mëdha. Nuk është hera e parë që trafiku ajror është ndalur për shkak të pasojave të erupsionit të vullkaneve, por megjithatë një ndalim qarkullimi kaq i madh nuk është parë që 10 vjet më parë, me rastin e 11 shtatorit. Sipas presidentit të një aeroporti të madh në Europë, nuk ka pasur një ndalim më të madh këto 10 vitet e fundit. Në aeroportin e Hithrows, pasagjerët kanë shpresuar më kohë për rifillimin e fluturimeve brenda pak orësh. Një tjetër rast i një ndalimi të madh të fluturimeve nga ana e autoriteteve të aeroportit të madh ka qenë edhe ai i vitit 1952, kur për shkak të mjegullës aeroporti u mbyll për dy ditë rresht. Ndërsa në Islandë, qindra banorë të zonave në afërsi të vullkanit i kanë lënë shtëpitë që kur ai filloi të kishte një aktivitet shumë të madh dy ditë më parë. Ky lloj erupsioni ishte i dyti i përmasave të tilla brenda këtij muaji. Bëhet fjalë për sasi uji shumë të nxehtë që zbret nga maja e malit së bashku me llavën dhe hirin e dendur që qëndron në qiell pezull. Një pjesë e madhe e këtij hiri të dendur përmes erërave të forta është shpërndarë deri në qiejt e Europës. Për momentin, nuk ka asnjë parashikim në lidhje me situatën, sepse ajo është tërësisht në varësi të erës. Kryesisht e prekur nga pasojat e përhapjes së hirit është pjesa jugore e vendit.
#