E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbivendosjet, 487 familje të prekura në Dajt e Farkë

Prokuroria po verifikon abuzimet me pronat në periferi të Tiranës

Abuzimet me pronat private kanë vënë nën hetim disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të komunave Dajt e Farkë në periferi të Tiranës. Task Forca kundër krimit ekonomiko-financiar dyshon se komunarët kanë dhënë tituj pronësie false në një sipërfaqe prej dhjetëra dynymësh me vlerë miliona euro. Skandali është denoncuar nga banorët e zonës, të cilët në përpjekje për të kryer procedura për tjetërsimin e truallit që zotërojnë kanë konstatuar në hipotekë se prona nuk ishte e tyre, por e dikujt tjetër. Të alarmuar janë drejtuar në komunë, te krerët vendorë, prej të cilëve kanë marrë një përgjigje të prerë: “Ju nuk keni prona”. Pas kësaj procedure kanë kryer denoncime në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka filluar një hetim të gjerë, duke kërkuar ndihmë nga banorët e zonës që të denoncojnë rastet. Nga hetimet e seksionit të Task Forcës janë regjistruar dhjetëra kallëzime dhe rezulton se 487 familje në këto dy komuna janë prekur nga mbivendosjet e pronave. Pretendimet e banorëve po krahasohen me të dhënat në komunë, nga ku janë konstatuar dhjetëra parregullsi për titujt e pronësisë, ku disa banorë kanë tituj për të njëjtën pronë.

Hetimet në terren

Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë se janë vënë nën hetim disa komunarë nën akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe të “mbivendosjes së pronave”. Sipas hetuesve të çështjes, dosja e Farkës ngjason me hetimet për mbivendosjet në Komunën e Kasharit, ku disa krerë vendorë të komunës u vunë në pranga për abuzime me dhënien e titujve të pronësisë. Por krahas drejtuesve vendorë të komunës, prokuroria dyshon se mbivendosjet e pronave janë bërë edhe me ndihmën e disa punonjësve të Hipotekës, të cilët kanë regjistruar një pronë dy herë. Burimet thonë se hetimet e mëtejshme mund të përcaktojnë personat e tjerë të përfshirë në këtë aferë, si dhe sipërfaqet e sakta të mbivendosura në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në afërsi të zonës së Dajtit, si dhe në zonat përreth Tiranës, të cilat janë mjaft të preferuara për biznesmenët. Mësohet se në Komunën e Farkës janë ndërtuar dhjetëra vila, ku disa pronarë kanë përfituar truall në bazë të mbivendosjes. Për këtë çështje ka folur edhe Kryeministri Berisha, i cili do të deklaronte se komunat kanë dhënë leje ndërtimi pa u miratuar më parë plani pjesor i zonës dhe kërkoi anulimin e këtyre lejeve. Vitet e fundit, kodrat e Tiranës kanë qenë të parapëlqyerat e ndërtuesve për të ndërtuar objektet e tyre.

Sekuestrimi i dokumentacionit

Zyrat e kadastrave në Komunat Farkë e Dajt, në periferi të Tiranës, janë verifikuar nga Task Forca, në kuadër të hetimeve për mbivendosjet e pronave në këtë zonë. Hetues të kësaj njësie kanë materiale voluminoze në komunat, në lidhje me titujt e pronësisë të dhëna nga zyrtarët vendorë. Me procesverbalet e sekuestrimit të dhëna nga Gjykata e Tiranës, hetuesit kanë marrë hartën e të gjithë komunës me pronat që dyshohet se janë mbivendosur. “Janë sekuestruar në zyrat e kadastrës në Farkë dhe Dajt dokumentet që vërtetojnë lëshimin e titujve të pronësisë të dhëna nga zyrtarët vendorë brenda tre viteve të fundit. Janë marrë të gjitha dokumentet që u nevojiten hetuesve të çështjes për të krijuar një dinamikë sa më të gjerë të këtyre abuzimeve”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Sipas tyre, pas analizës së dokumenteve do të vazhdohet me hapat e tjerë të hetimit, ku nuk mund të përjashtohen as arrestimet.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›