E Diel, 1 Nëntor 2026

Qershor, ndryshon mosha e daljes në pension

Mosha e pensionit që kërkohet për të tri kategoritë e punëve, sipas llogaritjeve dhe gjinisë

Në kuadër të reformës së pensioneve, sipas ligjit të miratuar pak vite më parë për moshën e kërkuar, rezulton të ketë një rritje edhe për këtë vit. Si për të rregulluar të gjitha diferencat mes brezave, është rënë dakord që të bëhet një rritje graduale nga viti në vit. Ndërkohë që Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka sqaruar se sipas llogaritjeve të kryera, më 2010-n gratë kanë mundësi të dalin në pension vetëm pasi të kenë mbushur 59 vjeç e 6 muaj, ndërsa burrat vetëm pasi të kenë mbushur plot 64 vjeç e 6 muaj. Kështu, të gjithë ata që janë pranë moshës së pensionit, duhet të informohen për përmbushjen e kriterit të moshës, të viteve të punës. Ekspertët e ISSH-së kanë specifikuar kushtet kryesore që duhet të plotësojnë personat për të ligjëruar të drejtën e pensionit. Kushtet për të përfituar pension të plotë pleqërie deri më 30 qershor 2011, për të dyja gjinitë sipas kategorive, janë si më poshtë. Për punët e kategorisë së parë, mosha e daljes në pension për burrat është 58 vjeç e 6 muaj, kurse për gratë 53 vjeç e 6 muaj. Periudha e vjetërisë në punë për burrat dhe gratë që bëjnë pjesë në kategorinë e parë do të jetë e njëjtë, përkatësisht me 30 vjet të siguruara. Ndërsa për punët e kategorisë së dytë, mosha e përfitimit të pensionit është 63 vjeç e 6 muaj për burrat dhe 58 vjeç e 6 muaj për gratë. Periudha e sigurimit në vite për të përfituar pension të plotë për punë të kategorisë së dytë është 35 vite pune për të dyja gjinitë. Për punët e kategorisë së tretë është përcaktuar që mosha e daljes në pension për burrat të jetë 64 vjeç e 6 muaj dhe për gratë 59 vjeç e 6 muaj, ndërsa periudha e sigurimeve që duhet plotësuar është 35 vjet pune. Harku kohor që ka të bëjë me vjetërsinë e punës ngushtohet më shumë kur bëhet fjalë për nënat që janë me shumë fëmijë. Mosha për të përfituar një pension pleqërie për këtë kategori është 50 vjeç, ndërsa kushtet për ta plotësuar atë dhe që lidhen me periudhën e sigurimit në vite janë 30 vjet vjetërsi pune. Për punët e kategorisë së parë dhe të dytë, nga vjetërsia e punës gjithsej që kërkohet, 3/4 e saj duhet të jenë kryer në punë të kategorisë së parë dhe të dytë, me përjashtim të personave që kanë punuar në miniera në nëntokë ose në punime të tjera të nëntokës, të cilëve u kërkohet që 1/2 e periudhës së punës të jetë në këto punime. Po ashtu, për llogaritjen e pensionit nevojitet edhe kategoria e punës në të cilën përfshihet profesioni. Menjëherë pas marrjes së informacionit për moshën e kërkuar, kategorizimin, si dhe viteve të sigurimit në skemën e kontributeve shoqërore, secili mund të nisë nga puna për procedurat e pensionit. Madje për të marrë përfitimin e shumës së pensionit në kohë, për llogaritjen e tij, si dhe për kërkimin e informacionit, Institutit i Sigurimeve Shoqërore kërkon nënshkrimin e një kërkese me shkrim për të nisur nga verifikimet dhe gjetjen e dokumentacionit në arkivat e secilit sektor ku janë derdhur sigurimet. Për këtë vit, për harmonizimin e moshës mes brezave, kërkohet mosha 59 vjeç e 6 muaj për gratë dhe plot 64 vjeç e 6 muaj për burrat.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›