Histori e shëmtuar me tradhti
Nga Flurin Claluena, Neue Zuercher Zeitung
Ndodh ende që ekipet kombëtare të futbollit të keqpërdoren për propagandë nacionaliste. Me lojën bëhet politikë dhe në këtë mjedis të ngarkuar emocionalisht çdo fjalë bëhet e rrezikshme. Zvicra do të luajë të martën kundër Shqipërisë dhe kanë nisur që të përdoren fjalë si tradhtar. Po flitet për besnikëri e besim dhe për faktin se si nuk duhet shitur ekipi kombëtar.
Pesë lojtarë zviceranë janë me rrënjë shqiptare. Valon Behrami, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka janë nga Kosova, Blerim Xhemaili dhe Admid Mehmeti kanë lindur në pjesën shqiptare të Maqedonisë. Kur të pesë lojtarët bëhen bashkë, flasin shpesh shqip, ata ndjehen të lidhur me këtë kulturë dhe Xhaka thotë se ai është gjithmonë një i huaj, nuk ka rëndësi se ku është. Në Shqipëri njerëzit më shohin si zviceran, në Zvicër si shqiptar.
Është një dilemë që do të kujtohet shumë, veçanërisht këto ditë. Gjithçka që mund të thonë ata do të interpretohet kundër tyre, qoftë në Zvicër, qoftë në Shqipëri. Në Zvicër ata duhet të jenë një model, duhet të flasin për çështjet e integrimit dhe duhet të jenë shembull për reputacionin e shqiptarëve në Zvicër. Dhe në Shqipëri për disa njerëz jemi tradhtarë, thotë Behrami.
Këto ditë ai ka parë një video me muzikë agresive, të hedhur në YouTube. Aty mund të shihet një lojtar i kombëtares shqiptare me një mikrofon në dorë dhe me trupin e zhveshur nga mesi e sipër, duke u folur fansave. Behrami e ka kuptuar ku do të dalë ai: u tregon tifozëve se nuk duhet të shitemi. Ndërmend ka Xhakën, Shaqirin, Xhemailin, Mehmetin dhe Behramin, që kanë vendosur për të luajtur me kombëtaren zvicerane.
Në këtë kontekst ka lindur edhe një tjetër pyetje: kush do të luajë me Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, por që nuk është lejuar akoma të ketë një ekip kombëtar.
Xhaka e Shaqiri u shprehën në fundjavë se ata do e mendojnë nëse do luajnë për kombëtaren e Kosovës. Dhe menjëherë online nis loja e fjalëve me tradhtarë në qendër.
Ndoshta është më mirë që në këtë debat të ndezur, përpara ndeshjes me Shqipërinë në Lucernë, të dëgjojmë fjalët e Xherdan Shaqirit. Kjo do jetë një lojë emocionale. Por në fakt bëhet fjalë vetëm për të fituar tre pikë. Në këtë rast fjalët e Shaqirit janë qetësuese.