Rama: Programi ynë do ndryshojë rrënjësisht arsimin shqiptar. Test kombëtar për analfabetizmin
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka uruuar mësuesit e nxënësit në nisje të vitit të ri shkollor. Ai tha se programi i PS do ndryshojë rrënjësisht arsimin. Rama tha se me programin e PS, mësuesi, mjeku dhe polici do jenë shërbëtorë të shoqërisë.
Vit të mbarë të gjithë nxënësve, studentëve, mësuesve, pedagogëve! I siguroj se programi ynë i ri do ta ndryshojë rrënjësisht arsimin shqiptar.
Jo vetëm do rrisim rrogat e mësuesve, po do t’u rikthejmë mësuesve dinjitetin dhe autoritetin e nëpërkëmbur keq në këto vite çorodie në arsim.
Jo vetëm do ndërtojmë shkolla të reja, po nuk do lejojmë që fëmijët të mbeten pa shkollë për mungesë librash e mundësish në familjet e varfra.
Jo vetëm nuk do e fshehim më analfabetizmin që rritet, po do ta fillojmë betejën tonë për rilindjen e arsimit me një test kombëtar për këtë.
Jo vetëm do rivendosim parimin e konkurrencës në prodhimin e teksteve shkollore, po do garantojmë tekste shkollore të standardeve evropiane.
Jo vetëm do vendosim rregulla të forta për arsimin privat që paratë e prindërve mos shkojnë dëm, po do fuqizojmë ndjeshëm arsimin publik.
Jo vetëm do nxisim përparimin në futjen e teknologjisë së re në sistemin arsimor, po do investojmë edhe për sportin në shkollë e universitet.
Arsimi është për ne politika më e mirë ekonomike dhe përmes arsimit ne do forcojmë bazat e rilindjes së ekonomisë familjare e kombëtare.
Mësuesi, mjeku, polici do jene tre shërbëtorë të denjë të shoqërisë sonë, po edhe tre pika referimi të dinjitetit dhe autoritetit të shtetit, tha Rama.