Histori me Kadarenë? Rajmonda Bulku: Jam e shokuar nga fantazitë e Myftarajt
Aktorja dhe deputetja e njohur, Rajmonda Bulku padit në gjykatë Kastriot Myftarajn, pas aludimeve të tij mbi historitë rozë të shkrimtarit Ismail Kadare. Bulku: Deklarimet dhe shkrimet e tij kanë tejkaluar çdo fantazi halucinante dhe shpifja në drejtimin tim, në mjedise mediatike dhe publike më ka sjellë një shqetësim të madh
Komentet e ndezura në Tiranë, pas botimit të librit “Kohë e pamjaftueshme” të Helena Kadare, e që kanë pasur më së shumti në fokus historitë rozë të shkrimtarit të madh, ua kanë lënë vendin reagimeve të të përfolurve. Aktorja e njohur, njëherazi deputete në Kuvendin e Shqipërisë, Rajmonda Bulku ka paditur dje në Gjykatën e Tiranës Kastriot Myftarajn, kolumnist në gazetën “Sot”, pas aludimeve të këtij të fundit se ishte ajo, njëra prej protagonisteve në historitë e dashurisë së Ismail Kadaresë. E kontaktuar dje nga MAPO, Rajmonda Bulku është shprehur se kishte dorëzuar padinë në Gjykatën e Tiranës dhe se të gjitha deklaratat e artikujt publikë të Myftarajt, sa i takon aludimeve për lidhjen e saj të fshehtë me shkrimtarin Kadare janë shpifje dashakeqe, të cilat e kanë dëmtuar rëndë atë. “Unë dorëzova padinë ndaj Kastriot Myftarajt dhe tani i takon drejtësisë të bëjë punën e saj. E kuptoj që gazetarët edhe e teprojnë ndonjëherë, por nuk mund të toleroj halucinacionet dhe shpifjet të arrijnë deri në këtë gradë dhe të thuhen të tilla gjëra në drejtimin tim”, - i tha dje MAPO-s Rajmonda Bulku. Aktorja e njohur është shprehur se është ndjerë e shokuar pas deklarimeve publike të Kastriot Myftarajt, të cilat morën më tepër jehonë në emisionin “Zonë e Lirë” e Arian Çanit, ku ai ishte i ftuar. “Deklarimet e tij kaluan çdo cak normal dhe etik”, - shton Bulku për MAPO-n, duke shpjeguar objektin e padisë së saj dorëzuar në gjykatë. Rajmonda Bulku e cilëson fantazi halucinante, teorinë e Kastriot Myftarajt për historitë e dashurisë së Ismail Kadaresë, duke shpjeguar se këtë herë nuk mund të qëndronte indiferente. “Pavarësisht faktit që tani ushtroj një funksion, në formimin tim unë jam artiste dhe jam shumë herë më e ndjeshme ndaj të tilla shprehjeve që janë thënë nga i padituri në drejtimin tim. Nuk mund të mos bëja një padi, pasi deklarimet dhe shkrimet e tij kanë tejkaluar çdo fantazi dhe shpifja një drejtimin tim, në mjedise mediatike dhe publike më ka sjellë një shqetësim të madh. Dua t’i shkoj deri në fund kësaj çështjeje dhe dua që dhe ju si media ta pasqyroni këtë qëndrim timin. Unë do t’i shkoj deri në fund kësaj çështjeje, pasi dua që të jetë drejtësia ajo që t’i japë përgjigjen e merituar këtyre shpifjeje halucinante që janë bërë në drejtimin tim”, - është shprehur dje Bulku. Pas kësaj padie, Kastriot Myftaraj do të përballet me Rajmonda Bulkun në gjykatë, ku do t’i duhet të paraqesë prova për shkrimin e tij konspirativ, të cilin e ka përsëritur më pas në emisionin “Zonë e Lirë”, në përfundim të të cilit ka arritur, siç tha vetë pas leximit të librit autobiografik të Helena Kadaresë dhe studimit që u ka bërë romaneve të shkrimtarit Ismail Kadare. Në kuadrin e këtij procesi gjyqësor, jehona e librit “Kohë e pamjaftueshme” e Helena Kadaresë dhe komentet mbi të pritet të vazhdojnë gjatë në vend.
Shkrimi i Myftarajt, ku
përmendet Rajmonda Bulku
…“Në romanin “E penguara”, të botuar në 2009-ën, Ismail Kadare pohon një tjetër histori dashurie të tij. Në roman rrëfehet një histori e vërtetë, ajo e vajzës së Liri Belishovës (Çomo), Drita Çomo. Vajza e cila gjendej e internuar me nënën në Cërrik, kishte një shoqe të ngushtë në shkollën e mesme të këtij qyteti, atë që më pas do të bëhej aktorja e njohur Rajmonda Bulku. Kjo e fundit e pohoi këtë gjë publikisht edhe me rastin e promovimit të romanit. Drita adhuronte Ismail Kadarenë dhe donte që ta njihte, por nuk mund të shkonte në Tiranë, se nuk mund të lëvizte lirisht. Ndërkohë, Rajmonda Bulku, e cila falë bukurisë së saj kishte filluar që të luante në filma, u njoh dhe u miqësua në Tiranë me Ismail Kadarenë, dhe i foli për shoqen e saj. Në roman, shkrimtari Rudian St., i cili ka shkruar romanin “Dimri i suferinës së madhe”, aluzion i qartë për romanin e Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”, njihet me një vajzë të re, me emrin Migena, e cila posa ka mbaruar shkollën e mesme dhe kërkon të hyjë në shkollën e Arteve në Tiranë. Në këtë kohë Migena bëhet e dashura e shkrimtarit, të cilit i flet për shoqen e saj në provincë, me emrin Linda B., e cila është e internuar. Kur Migena shkon në provincë, shoqja e saj i kërkon që t’i tregojë për shkrimtarin dhe dashurinë me të. Qartësisht, pas Migenës qëndron Rajmonda Bulku, me të cilën Ismail Kadare u njoh, siç thotë vetë, kur erdhi në Tiranë dhe filloi të luante në filma artistikë. Bulku do të ishte aktorja që do të kishte rolet kryesore femërore praktikisht në të gjithë filmat që u bënë sipas librave të Ismail Kadaresë….