Gjendet vajza 2-vjeçare, ish-polici kërkon negocim
Pas vrasjes së të shoqes, Ismet Hysa ka dërguar vajzën 2-vjeçare tek të afërmit në periferi të Tiranës. Policia vazhdon kërkimet, edhe pse pritet një vetëdorëzim i 40-vjeçarit
Policia e Tiranës ka gjetur dje vajzën 2-vjeçare të Ismet Hysës, i cili vrau me thikë bashkëshorten e tij dy ditë më parë. Policia bëri të ditur se vogëlushja u gjet në banesën e familjarëve të 40-vjeçarit, në periferi të kryeqytetit. Ishin të afërmit e autorit të krimit ata që kanë vënë në dijeni policinë për praninë e vajzës në shtëpinë e tyre, madje u kanë ofruar hetuesve edhe mundësinë e negocimit për dorëzimin e Ismet Hysës. Policia e Tiranës, nga ana e saj ka treguar gatishmëri për të negociuar me Ismet Hysën për një rikthim vullnetar të tij dhe dorëzimin përpara organeve të drejtësisë. Megjithatë, deri në momentin kur të kryhet vetëdorëzimi, policia do të vazhdojë kërkimet e saj për 40- vjeçarin, që dyshohet si vrasës i 25- vjeçares. Krimi brenda familjes ndodhi ditën e diel rreth orës 12:45, pranë Unazës së Madhe në Tiranë, në katin e dytë të një vile, ku vrasësi jetonte me qira prej më shumë se gjashtë muajsh. Burime policore i thanë MAPO-s se, ndonëse ishin martuar prej disa vitesh, çifti në muajt e fundit nuk jetonin bashkë. Pasi ka kryer vrasjen, kryefamiljari 4o-vjeçar Ismet Hysa është larguar duke marrë me vete dhe vajzën 2-vjeçare, ndërsa ka qenë e motra e viktimës ajo që ka shkuar e para në vendin e ngjarjes dhe më pas e terrorizuar ka njoftuar gjitonët e më pas policinë. Nga ekzaminimi që i kanë bërë viktimës mjekët ligjorë ka rezultuar se 25-vjeçarja Doçi ka marrë gjithsej 5 goditje me thikë. “Ka pasur dy goditje në kokë dhe tri goditje në trup, ka humbur jetën menjëherë pasi ka marrë goditjet”, - u shprehën dje burime nga grupi hetimor. Për policinë kanë qenë të afërmit e viktimës ata që kanë hedhur dritë dhe mbi motivet e mundshme të bashkëshortit vrasës për kryerjen e këtij akti të rëndë. Paraprakisht mësohet se 25-vjeçarja e vrarë në muajt e fundit kishte vendosur të jetonte te prindërit e saj, të cilët banojnë në Sauk. Sipas tyre, ajo kishte vendosur të ndërpriste jetesën me bashkëshortin e vet, një ish-polic objektesh me profesion, për shkak se në muajt e fundit vështirësitë ekonomike kishin sjellë edhe debate të forta dhe një situatë të nderë në familjen e tyre.