E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja rrëzon Gjykatën e Kushtetuesja rrëzon Gjykatën e

SHKRUAN: Leonard Bakillari 08-11-2011 11:24

Dosja e organizatës “Hakmarrja për drejtësi” rikthehet për shqyrtim gjyqësor. Avokatët në Kushtetuese: Gjykata e Lartë mohoi procesin e rregullt, për shkak se njëri prej gjyqtarëve ka qenë zv/prokuror i Përgjithshëm

Tiranë Pas një odiseje të gjatë gjyqësore, që u duk se u mbyll vitin e shkuar, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kthejë për rigjykim çështjen ndaj 10 të akuzuarve si pjesë e organizatës “Hakmarrja për Drejtësi”. Kushtetuesja ka shpallur dje vendimin, duke pranuar pjesërisht kërkesën e avokatëve mbrojtës për garantimin e një procesi të rregullt ligjor. Arsyetimi i vendimit të shkallës më të lartë të gjyqësorit pritet të jepet në ditët në vijim, por ajo që konfirmohet është fakti se ndaj të akuzuarve si pjesëtarë të organizatës “Hakmarrja për Drejtësi” do të ketë një tjetër proces gjyqësor. Sipas burimeve mësohet se në vitin 2010, pas vendimit të Gjykatës së Lartë që vendosi të mos pranojë rekursin e të pandehurve, avokatët e tyre mbrojtës i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar prishjen e këtij vendimi. Ndër argumentet e dhëna nga pala mbrojtëse ishte dhe fakti se një prej anëtarëve të trupit gjykues që ka vendosur mospranimin e rekursit ka qenë zv/prokuror i Përgjithshëm gjatë kohës që kryheshin hetime. Gjithashtu, mbrojtësit kanë deklaruar se nga mospranimi i rekursit, të pandehurve u është mohuar e drejta e një procesi të rregullt ligjor. Sipas burimeve mësohet se avokatët mbrojtës kanë ngritur edhe një sërë pretendimesh të tjera, ku kërkojnë prishjen e vendimit të Gjykatës së Lartë. Pas më shumë se një viti, Gjykata Kushtetuese ka vendosur njëzëri të shfuqizojë vendimin e korrikut të vitit 2010 të Gjykatës së Lartë, duke kthyer çështjen për rigjykim në këtë gjykatë me një tjetër trup gjykues. Tashmë pritet zbardhja e vendimit dhe botimi i tij në Fletoren Zyrtare për rinisjen e procesit gjyqësor ndaj 10 të akuzuarve si pjesë e organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi”, të cilët dyshohen për 24 krime, mes të cilave edhe disa vrasje. Dy prej të pandehurit e “Hakmarrjes për Drejtësi” janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe tetë të tjerët me 167 vjet burg. Sipas vendimit të Gjykatës për Krime të Rënda, i lënë në fuqi edhe nga Apeli për Krime të Rënda, të pandehurit akuzohen se gjatë periudhës 1992-1996 kanë kryer 4 vrasje, 17 plagosje dhe 13 vjedhje dhe grabitje me armë. Të 10 të pandehurit u shpallën fajtorë në mungesë nga Krimet e Rënda, duke u dënuar me 167 vite burg dhe dy burgime të përjetshme, por vetëm njëri prej tyre u rikthye në qeli për të bërë disa ditë burg, pasi të gjithë të tjerët kanë përfituar azil jashtë vendit. Sipas gjykatës rezulton se të pandehurit Altin Arapi e Orik Shyti kanë qenë në rolin e drejtuesve të organizatës, në emër të së cilës kanë kryer një sërë veprash të rënda penale, për të cilat deklarohen fajtorë dhe dënohen me “burgim të përjetshëm”. Historia gjyqësore ndaj të pandehurve ka nisur në vitet 2000, ndërsa në vitin 2003, Gjykata e Tiranës ka vendosur t’i shpallë ata të pafajshëm, pasi akuzat e ngritura ndaj tyre nuk u provuan. Vetëm një vit më vonë, Krimet e Rënda nisën një tjetër proces gjyqësor, i cili vazhdoi për katër vite me radhë dhe në përfundim të tij të gjithë të pandehurit u shpallën fajtorë.

Vëllezërit Shyti: “Hakmarrja..”, sajesë e politikës

Orik e Leart Shyti reagojnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke pohuar se u kishin humbur shpresat se mund të gjykoheshin në Shqipëri

Menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese kanë reaguar vëllezërit Leart dhe Orik Shyti, të akuzuar si drejtues të organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi”. Vëllezërit Shyti që aktualisht kanë arritur të fitojnë azil, ripërsërisin akuzat se emri “Hakmarrja për Drejtësi” është një sajesë e politikës. “Me qindra herë Sali Berisha ka deklaruar botërisht se ne kishim krijuar organizatën kriminale ‘Hakmarrja për Drejtësi’ dhe se në zbatim të platformës së saj kishim kryer dhjetëra krime. Gënjeshtrave dhe shpifjeve të tij u jemi përgjigjur me fakte. Në dosjen gjyqësore ndodhen të administruara dëshmi dhe të tjera prova shkresore dhe shkencore që faktojnë se Saliu është ati, nuni dhe pagëzori i ‘Hakmarrjes Shqiptare për Drejtësi”,- deklarojnë vëllezërit Shyti. Sipas tyre, Gjykata e Lartë jo vetëm që nuk u dha pafajësi sikurse pretendonin, por refuzoi të gjykonte këtë çështje duke venitur kështu shpresat për zgjidhjen e çështjes në Shqipëri. “E kemi bërë disa herë të qartë se shqetësim për ne nuk ka qenë pafajësia, por gjykimi i çështjes sipas ligjit dhe provave. Këto qëndrime na kishin bërë të humbnim besimin se mund të gjykoheshim nga Gjykata Kushtetuese”, - deklarojnë vëllezërit Shyti, duke shtuar që një kërkesë e tillë në Kushtetuese ishte e domosdoshme, pasi humbiste e drejta për të kërkuar drejtësi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në letrën e hapur, Orik dhe Leart Shyti pretendojnë se janë të pafajshëm, edhe pse sipas tyre, asnjë gjyqtar nuk ka pasur guximin ta thotë një gjë të tillë. “Pafajësia jonë ka qenë e ulur këmbëkryq në dokumentet e falsifikuara që prokuroria i ka paraqitur gjykatës. Gjykata e Shkallës së Parë e ka pasur të lehtë ta argumentonte pafajësinë, por e ka pasur shumë vështirë ta shprehte. Në të vërtetë e shprehu në shkurt të vitit 2003, por vendimi i saj jetoi pak muaj”,- shprehen ata duke shtuar se si pasojë e presionit të politikës, çështja u rikthye sërish në gjykatë.

Vendimet në Apel

1. Altin Arapi burg përjetë

2. Orik Shyti burg përjetë

3. Kreshnik Spahiu 24 vjet burg

4. Nikolin Novruzaj 24 vjet burg

5. Leart Shyti 24 vjet burg.

6. Gëzim Gjoni 5 vjet burg

7. Pasho Novruzaj 17 vjet burg

8. Dritan Hate 23 vjet burg

9. Gentian Caka 25 vjet burg

10. Roland Shyti 25 vjet burg

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›