E Shtunë, 31 Tetor 2026

Histori me rrepa që sbëhen dot rrape

BALIL GJINI

Nuk e di çndodh andej nga ju, por administrata e qytetit tim, Beratit, është e mbushur buzë për buzë, jo me lugetër, siç do të thoshte Kuteli, por me rrepa. Rrepa të vogla, nga ato të kuqet, mediokret, që i hanë lepujt, që sdallojnë fare nga njëratjetra. Ndërkohë që e dimë fare llagar se, të paktën drejtuesit duhet të jenë rrape të mëdha, që bëjnë hije jo vetëm për vete, por edhe për të tjerë. Kështu duhet të ndodhë përderisa paguhen nga taksat tona. Dhe këtë e di fare qashtër edhe Genc Pollo, kryetar i grupit të punës për këtë nahije. Desmod Morisi, biologu i famshëm anglez, ftillon se kur dy majmunë a gorilla, hyjnë në luftë me njëri-tjetrin, kur i dobëti paraqet dëshirën për tu dorëzuar, përgatitet për ritualet e nënshtrimit. Nga këto rituale nënshtrimi, më i sigurti është i ai pozicionit seksual, pra kthimi i prapanicës drejt më të fortit. Po ky biolog ka vënë re se këto rituale nënshtrimi janë ruajtur të sublimuara gjer në kohën tonë, më të shumtën e herëve të maskuara si rituale pastrimi. Kur duam të zbutim një polic që na ka gjobitur për kundërvajtje, jo vetëm që e pranojmë menjëherë gabimin, por, në mënyrë instinktive hiqemi si kundërshtar i parrezikshëm (duke kruar mjekrën, duke fërkuar duart ose duke belbëzuar), duke shprehur faktin se aktiviteti ynë potencial është shndërruar në një deklaratë miqësie që shpreh nënshtrim. Pas kësaj askush nuk mund të na ndalojë, madje as Genc Pollo, që të themi se drejtuesit e institucioneve të nahijes sonë sjanë gjë tjetër veçse majmunët e mundur që u kanë kthyer prapanicat shefave. Duhet të themi se kulti i nënshtrimit, i servilosjes dhe i të qenit i poshtëruar, është një filiz i ri kulture mes gërmadhave të këtij vendi, i rritur e veselitur prej vetë shefave partiakë. Dhe kjo është diçka shumë tronditëse. Drejtuesit e shkretë (Po Tartufi?… I shkreti!…), janë bërë mehmurë të hyqymetit falë këtij nënshtrimi, sepse në thelb ata sjanë gjë tjetër përveçse kërcunj të lagur ugaresh që nxjerrin tym të zi prapambetjeje dhe injorance. Ata i kanë marrë këto poste pa merita e WC (!), thjesht si darovitje, mu ashtu siç daroviste sulltani vasalët e bindur. I daroviste pasi i kishte tredhur. Po në rastin tonë puna ndryshon, sepse në shoqëritë ku sundon kultura e njëshit te burrat bie vlera e testoseronit, pra kemi më shumë një zhburrërim. Dhe këtë ska si mos ta dijë as Genc Pollo, që, o për hir interesash, o për mungesë shijeje, mëton të na bindë se rrepat e kuqërremta, mediokre, mbirë pa pikë sharmi e klasi në nivelet e larta të administratës, mund të vijë koha që (larg qoftë!) të na duken si rrape. Autori i këtyre radhëve ka qenë një nga themeluesit e PD-së, kandidat për deputet në zgjedhjet e para pluraliste, por atëherë as që i shkonte në fiqir se sot, pas njëzet e kacafiu vjetësh, do të drejtonin po ata Palër e Lenka. Zaten edhe më zi. E tmerrshme dhe e turpshme njëherazi. Parulla e komunizmit Politika në plan të parë është fshirë nga muret e godinave dhe është gdhendur në muret e kokës. Çpo ngjet kështu vallë?! Të gjithë rrinë e bëjnë sehir këtë dramë dhe hera-herës ngjiten edhe vetë në skenë për të luajtur role. Njëzet-tridhjetë veta i janë turrur Kryesisë së partisë dhe slënë kurrkënd tjetër të qaset aty. E kanë privatizuar. Pa merita, pa vlera. Të gjithë drejtorët e rrethit të Beratit janë anëtarë të Kryesisë së PD-së. Niveli i tyre kulturor dhe profesional është për të qarë hallin. Janë ata që i synojnë dhe i marrin të gjitha postet shtetërore. Flitet e përflitet se ata kanë paguar për këto poste. Pra, në një farë mase, i kanë privatizuar ato. Ata e dinë bajagi bukur se posti që u kanë dhënë sështë gjë tjetër përveçse sinia me thela të majme, të cilën smund ta mbrojnë ndryshe, veçse duke rritur thonjtë, duke u gërnjepsur, duke hungërirë. Menjëherë pas kësaj, edhe në paçin vlera, tek ata fillon një proces i llahtarshëm tëhuazimi dhe janë gati të shndërrohen në qilima të butë për ti shkelur të gjithë. Baltë e pluhur do të bëhem të më shkelë këmbë e …tij. Amin! Tek e shohin veten kësisoj, apo makar si dordolecë të shenjtë, ngulur në fundet e bahçeve partiake, tek ata fillon procesi i zhdukjes së gjurmëve që i lidhin me miqtë, të njohurit dhe të gjithë të tjerët që ua dinë dobësitë. Pa fillojnë e blejnë një kostum allafrënga, një kollare, ndonjë celular më të shtrenjtë dhe… procesi i shitjes së kashtës për flori ka filluar. Por kaq smjafton: duhet pasur mirë me shefat. Intuita u thotë se duhet ti bëjnë sytë katër: shefit si dhurohen vetëm buqeta buzëqeshjesh, por edhe buqeta parash, të cilat, bekuar qofshin, kur numërohen, kanë një fëshfërimë më të ëmbël se fëshfërima e të brendshmeve të mëndafshta të sekretareve nëpër ministri. Dhe këtë ska si të mos e dijë as Genc Pollo, kryetar i grupit të punës për Beratin.Të mbyllur brenda personalitetesh të paformuar ata vuajnë dramën e papërsosmërisë dhe i gjithë ai pezëm e maraz i zi që u formohet në shpirt kërkon ulluqe ku mund të shkarkohet. Dhe zgjyra e llurba derdhet mbi kokat e vartësve dhe, veçanërisht, të njerëzve me dinjitet. Njerëzit e partisë smund ta durojnë njeriun e lirë e të pavarur, sepse ai, me lartësinë e vet, u kujton vazhdimisht zgafellën e vesit ku kanë rënë. Kësisoj zgjedhin e punojnë me metodat e kahmoçme të dhunës: mbledhje, ulërima, shkarkime. Hierarkia e administratës shtetërore në Berat (e pse jo edhe në qytetet e tjera, sepse siç thotë Foucault, për të parë më mirë si funksionon një pushtet mjafton të shikohet delta fundore e tij), është hierarkia e rrathëve të lisit. Në qendër është pika e njëshit, pastaj vijnë rrathët e tjerë. Janë rrathë të atillë që, mu si rrathët e kadeve, kanë funksion vetëm shtrëngimin. Në këtë rast shtrëngimin e piramidës së poshtërsive, me qëllim që ajo të rrijë në këmbë. Kurrgjë tjetër. Shefat me vetëdije venë poshtë tyre servilë e të nënshtruar, mjaft të kenë hundën e gjerë, bash atë hundë ku do të hidhet hallka e zinxhirit, për ti tërhequr si arusha cirku fshat më fshat e miting më miting. Kështu ka bërë dhe Genc Pollo. Është rrethuar nga tre-katër njerëz, të cilët, me kujdesin dhe arrogancën e qenieve të poshtëruara, slënë tjetërkënd ti qaset pranë. Vetë ai, ashtu siç bëjnë detarët në det, e ka kundruar qytetin nga larg, duke përdorur si gypa tejqyrash trupat dhe mendjet e këtyre njerëzve. A thua, vallë, ti ketë vajtur ndonjëherë ndër mënd se qelqet e xhamave të këtyre tejqyrave mund të jenë miope, ose të veshura me avull? Është e habitshme sa shumë shkon tregu i falsitetit në këtë vend. Diploma false, intelektualë falsë, buzëqeshje false, merita false. Gjithçka shitet e blihet si në një treg trami: dy okare nënshtrim shkëmbehen me tre karroqe servilosje. Sepse drejtuesit e institucioneve nuk kanë ndonjë meritë përveç faktit të të qenit spaciatorë droge, kodoshë femrash, blerës diplomash false, apo burra grash që janë dashnore deputetësh. Madje atë skanë as merita partiake, sepse për të qenë i tillë duhet që në shpatet e trurit të të mbijnë ide dhe jo kuçkulla ugaresh. Kësisoj, drejtuesit në fjalë shkojnë te partia thjesht si kësolltarë: ulen në karrige, pinë aty nja dy-tri paketa cigare, shkëmbejnë tek-tuk edhe ndonjë fjalë me të zotin e konakut: kryetarin e PDsë. Kaq. Pastaj kthehen në shtëpi të lumtur, me gjasë se e kanë kryer detyrën. Jezu Krishti, pasi pastroi tempullin nga farisenjtë, tha se su duhen hedhur xhevahire derrave. Të mirat e përbashkëta janë xhevahiret tona dhe ua kemi vënë derrave të babëzitur mu te feçka. Po derrat ushqehen me krunde dhe jo me xhevahire. Dhe këtë e di fare mirë edhe Genc Pollo, i cili ka mbrojtur e promovuar rrepat mediokre, pa vlera, me të cilat mund të shtrohet në tryezën e demokracisë vetëm një supë e lëtyrshme fakirfukarenjsh.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›