E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gripi i shpendëve, Kullolli: 23 mijë pula të ngordhura, rasti i izoluar në një kompani

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë në Tiranë, Sulejman Kullolli, tha sot se, “23 mijë pula të ngordhura janë konstatuar në kompaninë “Rea’s”, nga gripi i shpendëve, nga 69 mijë që ka në total kjo firmë, në njësinë administrative Rrashbull, Bashkia Durrës”.

Ndërkohë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural pritet të përcaktoje vendin për asgjësimin e shpendëve të ngordhur.

Në një intervistë për mediet, Kullolli bëri të ditur se, “asnjë produkt nuk ka dalë në treg nga ferma prej 3 marsit, ndërsa do të vendoset të mërkurën pasdite për mënyrën si do të bëhet asgjësimi i shpendëve të ngordhura: groposje, incenerimi ose dërgimi në kompani që merren me përpunimin e shpendëve të ngordhur”.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se kemi të bëjmë me një rast të izoluar vetëm në subjektin “Rea’s”.

“Deri tani nuk kemi dyshime për ferma të tjera të prekura me gripin e shpendëve”, informoi Kullolli.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve po vazhdon hetimin epidemiologjik në lidhje me rastin e gripit të shpendëve.

Gjithashtu, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve lidhur me situatën njoftojnë se është në fuqi urdhri për rritjen e masave të biosigurisë.

Ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po monitoron tregjet nëse ka produkt nga kjo kompani.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›