E Diel, 1 Nëntor 2026

“Historia e Kosovës nuk rishkruhet në një sallë gjyqi”, Selimi: Çfarë duhej të bënim ne, kur Serbia dhe Millosheviçi po vrisnin popullin tonë?

Pas Hashim Thaçit dhe Kadri Veseli, para Hagës foli  ish-deputeti Rexhep Selimi.

Selimi ishte i ashpër ndaj ZPS-së, duke deklaruar se kjo Prokurori ka krijuar përshtypjen se pavarësinë e Kosovës e trajtoi si qëllim criminal.

“Prokuroria edhe pse në fillim të paraqitjes së saj, deklaroi se nuk kërkon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm, gjatë gjithë Kosovës, shënjestër ishte pikërisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe në veçanti qëllimi i saj, pavarësia e Kosovës. Po krijohej një përshtypje sikur vet pavarësia po trajtohej si qëllim i përbashkët criminal”, tha Selimi.

Rexhep Selimi parashtroi pyetjen se ndërsa Serbia dhe Sllobodan Millosheviçi po vriste shqiptarë, çfarë do duhej të bënte populli?

Në fjalën e fundit, Selimi tha se Serbia asnjëherë nuk e fshehu qëllimin ndaj shqiptarëve.

“Kur Serbia dhe Millosheviçi vrisnin bashkëmoshatarët e mi, helmonin nxënës dhe studentë, i largonin prindërit tanë nga puna, mbyllnin shkolla e spitale, na ndiqnin për të na vrarë, dhe zbatonin spastrim etnik e gjenocid, çfarë duhej të bënim ne, të mos reagonim? Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve”, tha Selimi.

Selimi theksoi se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, aq më tepër në një sallë gjyqi.

Para trupit gjykues, ish-ushtari i UÇK-së theksoi se historinë e vendit e kanë shkruar me çmimin e sakrificës qytetarët e saj, luftëtarët e lirisë dhe dëshmorët e atdheut.

“Të përpiqesh të ndërhysh me qëllim në ndryshimin e fakteve historike përmes akuzave, është të përpiqesh ta rishkruash historinë, historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet e aq më tepër në një sallë gjyqi”, tha Selimi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›