Historia e djalit gej që jeton JO ME i frikësuar me virusin HIV
Në Europën perëndimore dhe në SHBA të paktën 20 vitet e fundit është bërë nga grupimet LGBT një fushatë e madhe informuese ndaj komunitetit LGBT, gjë që e ka përmbysur realitetin e shifrave. Ne po botojmë më poshtë intervistën me një 25 vjeçar shqiptar, i cili është gej dhe jeton me partnerin e tij në Itali. Të dy janë mbartës të virusit. Kjo është një dëshmi emocionale, por edhe shumë informuese.
Intervistoi: Erjon Tela
Si e zbuluat që jeni i prekur nga virusi HIV?
Zbulimi ka qenë tërësisht i rastësishëm. Nëpërmjet një vizite rutinë disa vlera të sieroproteinave rezultonin pak të alteruara, gjë që denonconte një infeksion akut progresiv. Që atje mjekja midis analizave të ndryshme na përshkroi edhe testin e HIV, por duke qenë se prej vitesh ishim në një lidhje monogame ishim të sigurt për rezultatin negativ të testit deri në momentin e tërheqjes në reponsit.
Cili ishte reagimi i parë kur u përballët me rezultatin e analizave?
Në momentin që para teje të paraqitet një fletë me rezultatin pozitiv duket sikur koha ndalet. Sigurisht ndjesia e parë është ajo e frikës, dhe më pas vijojnë një sërë emocionesh negative. Të duket sikur gjithçka përfundon në atë moment, sikur jeta ka arritur në stacionin e fundit dhe etapa tjetër është vdekja. Sigurisht në momentin e “verdiktit” një infermiere dhe një psikologe nisin të të inkurajojnë dhe nisin të radhisin gjithë përparimet që shkenca ka bërë në drejtimin e kurimit të virusit por sinqerisht truri im gati e ka fshirë atë moment.
Ka ndryshuar mënyra juaj e jetesës tani?
Është e pamundur që një zbulim i tillë të mos ndryshojë jetën, por në rastin tonë ndryshimi ka qenë pozitiv (edhe pse mund të duket gati absurde), e them këtë sepse stili i jetës ka ndryshuar në formë pozitive. Fillimisht gjithçka të duket në ngjitje, analizat, frekuentimi i repartit special i kurimit të HIV, gjendja e ngarkuar psikologjike bëjnë që periudha e parë të jetë në tone të zymta, por pak nga pak gjithçka kalon. Jeta vazhdon rrjedhën e saj të zakonshme dhe përveç faktit se herë pas here duhet të bësh disa kontrolle pjesa tjetër mbetet e njejta. Është shumë e rëndësishme që të mos hysh në psikologjinë e të sëmurit, HIV-i nuk duhet të shndërrohet në mënyrë jetese, nuk duhet të ketë prioritetin në jetën e pacientit por kjo varet, është nga natyra e personit. Unë kam natyrë shumë pozitive dhe fati im është të kem një partner akoma më optimist.
Prindërit dhe miqtë tuaj janë të informuar për orientimin tuaj seksual? Po që ju jeni i infektuar me këtë virus?
Për momentin askush nuk e di, bëmë këtë zgjedhje sepse mbi këtë virus ka akoma shumë keqinformim. Flitet për të vetëm në ditën e luftës kundër HIV-it dhe ende në imagjinatën kolektive fytyra e këtij virusi ngelet ajo e spoteve të viteve 90. E vërteta është tërësisht ndryshe. Terapitë e reja të zbuluara vitet e fundit janë shumë efikase, në rreth një muaj prezenca e virusit në gjak eliminohet tërësisht dhe sot një mbartës i këtij virusi mund të jetojë një jetë të gjatë dhe të shëndetshme ashtu si një sieronegativ.
Tani që keni zbuluar që ju dhe partneri juaj jeni të prekur nga ky virus, a përdorni prezervativ gjatë marrëdhënieve seksuale?
Përdorja e prezervativit është e këshillueshme sepse kështu evitohet që viruset të replikohen dhe të krijojë mutacione të cilat mund të venë në rrezik efikasitetin e terapisë antiretrovirale.
A ju ndihmon shteti italian (apo ai shqiptar)?
Shërbimi shëndetësor shtetëror italian ofron gjithçka falas, duke nisur nga terapia e deri tek vizitat mjekësore e analizat, vlera e të cilave shkon në shifra me tre zero.
Cili është ndryshimi mes të qenurit mbartës i virusit HIV dhe të qenurit i sëmurë me AIDS?
Ndryshimi thelbësor është se AIDS është sindroma e imunodefiçitit që shkaktohet nga virusi HIV (virusi i imunodefiçitit human). AIDS është stadi në të cilin paraqitet një pacient me sistemin imunitar gati krejtësisht të shkatërruar nga virusi. Nëqoftëse terapia merret rregullisht pacientët e infektuar nga HIV nuk kalojnë asnjëherë në stadin e AIDS. Prandaj është shumë e rëndësishme marrja e terapisë me rregullsi. Sot terapia është shumë ndryshe nga ajo e disa viteve më parë. Konsiston në marrjen e një ose dy kompresash në ditë dhe efektet anësore janë gati inekzistente.
Shifra
70 raste të reja të prekur me HIV rezultojnë në vend
50 janë meshkuj, 17 femra dhe 3 fëmijë (vetëm 9 përqind janë homoseksualë)
15 fëmijë trajtohen pranë Pediatrisë në QSUT
555 raste janë në total të infektuar me HIV/AIDS
92 persona rezultojnë të kenë humbur jetën nga kjo sëmundje
70% e personave të prekur janë meshkuj
30% e të prekurve janë femra
222 persona trajtohen sot, me antiretroviral
5 raste të reja vetëm në nëntor
15-20 vjeç janë mosha më e prekur
(historia-ime.com)