Historia e rrëfyer nga njerëz të thjeshtë

Jeta familjare, shkollimi, puna, jeta kulturore, marrëdhëniet ndëretnike, modernizimi, angazhimi politik, momentet më të rëndësishme janë disa nga temat për të cilat flasin njëmbëdhjetë dëshmitarë të kohës. Ata janë njerëz të thjeshtë, të profesioneve dhe të etnive të ndryshme. Nuk janë historianë por dëshmitë e tyre mund t’u hyjnë në punë atyre që dëshirojnë të dinë për Kosovën e viteve të gjashtëdhjeta dhe shtatëdhjeta.
Nëse klikoni në uebfaqen www.kosovarhistory.com, do ta gjeni veten përballë një faqeje që tregon historinë e Kosovës të viteve të 1960-ta dhe ‘70-ta në një mënyrë të re. E tregon nëpërmjet videove të shkurtra në të cilat kosovarët rrëfejnë se si i kanë përjetuar këto dekada. Dëshmitarët e kohës, të cilët janë intervistuar, flasin rreth jetës së tyre familjare në atë kohë, arsimimit të tyre, kushteve të punës, procesit të modernizimit, rreth të jetuarit së bashku me grupet e tjera etnike si dhe rreth ngjarjeve të rëndësishme politike.
Video incizimet janë të grupuara në tri kategori: temë, dëshmitar dhe vende. Nëse zgjidhni kategorinë tema (p.sh. arsimi), do të gjeni njerëz të ndryshëm që flasin rreth saj. Nëse zgjidhni dëshmitar i kohës, do të gjeni incizime për të gjitha temat rreth të cilave flet dëshmitari i kohës. Nëse zgjidhni kategorinë vendet, do ta shihni një hartë të Kosovës me të gjitha vendet në të cilat janë intervistuar njerëzit.
Faqja e internetit “Historia e Kosovës e viteve 60-ta dhe 70-ta” është krijuar nga Qendra Multimedia, Prishtinë. Ajo është zhvilluar në kuadër të projektit “Laboratori i historisë së Kosovës”, që është mbajtur nga marsi deri në korrik të vitit 2009.
Projekti filloi me një trajnim të studentëve në metodën e Historisë Gojore. Pastaj një grup studentësh të përzgjedhur zhvilloi gjithsej 12 intervista me shqiptarë, romë dhe turq në vende të ndryshme të Kosovës.
“Qëllimi i projektit ka qenë që, përmes historive gojore të dëshmitarëve të gjallë, ne të njihemi për një periudhë të historisë së re të Kosovës, respektivisht, atë të viteve 60-ta dhe 70-ta. Pra, përtej atyre temave të mëdha ‘historike’ që i përshkruan historia, neve na kanë interesuar historitë e vogla jetësore, por edhe historitë e mëdha, por të para nga sytë e njerëzve të zakonshëm që kanë kaluar nëpër ato histori. Pra, karshi asaj që mund të quhet si ‘histori zyrtare’, neve na kanë interesuar perspektivat individuale. Kjo ‘histori alternative’ besoj që e pasuron dhe herë-herë e sfidon atë historinë zyrtare, e cila shpesh, sidomos në rastin e regjionit, është e ngjyrosur me ideologji dhe e shkruar konform ‘kallëpeve politike’”, shprehet Jeton Neziraj, udhëheqës i Qendrës Multimedia, realizuese e këtij projekti. Kjo qendër funksionon tash e 10 vite në Prishtinë dhe ka realizuar mbi 100 projekte të ndryshme kulturore, kryesisht në fushën e teatrit dhe letërsisë.
Sipas Nezirajt, historitë gojore janë një alternativë e mirë dhe shpesh edhe burim kredibil i historisë. Ai theksoi se përmes këtyre historive të vogla shpërfaqen dukuri e ngjarje të cilat historianët i kanë margjinalizuar ose, për qëllime të ndryshme, edhe i kanë 'harruar'.
Në këtë faqe interneti prezantohen histori të ndryshme, duke përfshirë edhe ato që gjejnë pak ose aspak vend nëpër librat e historisë. Ndër këto histori janë edhe ato të grave, të njerëzve të privuar socialisht, të minoritarëve dhe të njerëzve nga zonat rurale.
Neziraj thotë se dëshirojnë të vazhdojnë të intervistojnë edhe njerëz të tjerë dhe të kuptojnë më shumë edhe për vitet pasuese, sidomos ato të 80-ta, që njihen si vite të ‘ndryshimeve të mëdha’. Dhe kështu, të kuptohen pak më në esencë disa prej temave të mëdha, sidomos ato të marrëdhënieve ndëretnike, shqiptaro-serbe.
“Ne e dimë që historia serbe dhe ajo shqiptare, kur është në pyetje Kosova, kanë mospërputhje substanciale dhe në fakt, të dy këto histori vazhdojnë të zhvillohen si dy histori paralele. Përballë këtyre ‘dy historive’, natyrisht që jemi kurioz të dëgjojmë edhe një palë të tretë, ndoshta më kredibile, atë të dëshmitarëve të gjallë”, thekson Neziraj.
Ai shton se vazhdimi i këtij projekti varet edhe nga fondet, pasi që është një projekt jashtëzakonisht i vështirë.
“Ka qenë i vështirë të realizohet deri në këtë përmasë dhe do të jetë i vështirë të vazhdohet. Kërkohen njerëz entuziast dhe kërkohet infrastrukturë përcjellëse”, thotë Neziraj.
Mirëpo, projekti ka hasur në reagime pozitive dhe njerëzit që kanë punuar në të kanë marrë jashtëzakonisht shumë komplimente.
Incizimet do të jenë në dispozicion për lëndën e historisë nëpër shkolla, por ato do të jenë edhe pikënisje për hulumtime të reja të historisë së Kosovës.