S’pritet takim

Skenari i Dubrovnikut, ku Kryeministri Hashim Thaçi dhe ish-Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ia shtrënguan duart njëri-tjetrit, muajin e kaluar, nuk pritet të përsëritet të martën në New York.
Kryeministri Thaçi dhe homologu i tij serb, Ivica Dacic, pritet të marrin pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit, ku do të diskutohet raporti i rregullt i OKB’së për situatën në Kosovë, por ata nuk pritet të shtrëngojnë duart apo të realizojnë ndonjë takim.
Kohëve të fundit, është folur shumë për një takim mes udhëheqësve kosovarë dhe atyre serbë, në kontekst të bisedimeve të reja që pritet të fillojnë gjatë vjeshtës.
Por sipas të gjitha gjasave, një takim i nivelit të lartë politik nuk pritet të ndodhë në New York.
“Nuk pritet të ketë ndonjë takim mes dy kryeministrave, as shtrëngim duarsh”, ka thënë një zyrtar i lartë në Qeverinë e Kosovës, të hënën për Express.
Fillimisht ishte planifikuar që Kosova në këtë takim të përfaqësohet nga Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, por kjo ka ndryshuar kur është bërë e ditur se Serbia do të përfaqësohet nga Ivica Dacici.
Në Qeverinë e Kosovës udhëtimin e Dacicit në KS të OKB’së e shohin si një synim të këtij të fundit për të “rënë në sy” në arenën ndërkombëtare, pas zgjedhjes në postin e Kryeministrit.
Në Këshillin e Sigurimit megjithatë dy palët nuk janë të barabarta, pasi zyrtarët kosovarë që marrin pjesë në seancë nuk prezantohen në kapacitet shtetëror për shkak se ky mekanizëm nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Rusia dhe Kina dy shtete anëtare të KS të OKB’së me të drejtë vetoje kanë kundërshtuar pavarësimin “unilateral” të Kosovës përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Francës - tri shtete të tjera anëtare të këtij mekanizmi me të drejtë vetoje dhe përkrahëse të shtetit më të ri në Europë.
KS i OKB’së, ku çdo tre muaj diskutohet për situatën në Kosovë, shpesh ka shërbyer edhe si arenë përplasjesh mes zyrtarëve të Kosovës dhe të Serbisë.
Prania e zyrtarëve kosovarë në seancë mundësohet edhe në bazë të marrëveshjeve që i bëjnë shtetet anëtare. Aktualisht, gjatë muajit gusht, me Këshillin e Sigurimit kryeson Franca.
Kosova në seancat e KS të OKB’së është përfaqësuar nga ministrat e jashtëm, ndërkohë që aty për herë të parë si zë i kosovarëve do të jetë Kryeministri Hashim Thaçi.
Ndryshe në Raportin e tij, Sekretari Ban u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të jenë më konstruktivë në tejkalimin e dallimeve dhe të zbatojnë në jetë marrëveshjet e arritura përmes dialogut teknik.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...