E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e yllit të bejsbollit amerikan Joe DiMaggio

Nga martesa me Marylin Monro tek vlerësimi i Bill Clinton

batball3Lojtari i bejsbollit Joe DiMaggio u lind në 25 nëntor, 1914, në Martinez, Kaliforni. Ai ishte fëmija i tetë i Giuseppe dhe Rosalie DiMaggio, emigrantë italianë që erdhën nga Siçilia në Amerikë, në vitin 1898. Një vit pas lindjes së Xho-së, familja u vendos në North Beach, një zonë në San Francisco e predominuar nga italianë.

Babai i Joe DiMaggios sikurse edhe gjenerata përpara tij qe peshkatar dhe e mbante dëshira që një ditë djemtë e tij do të bëheshin peshkatarë si ai, e do të bashkoheshin në një biznes familjar. Ndërkohë Joe DiMaggio u rrit pa asnjë interes për peshkimin. Imazhi i Joe DiMaggio-s si biri i një peshkatari të varfër emigrant, që gjatë rritjes fitoi popullaritetit të madh, duke personifikuar ëndrrën amerikane, ngacmoi Ernest Heminguejn i cili e ve atë në gojën e personazhit të tij tek Plaku dhe deti: Do të kisha dëshirë të merrja me vete në peshkim DiMaggion e Madh thotë plaku, -thonë që babai i tij ka qenë peshkatar. Ndoshta ai qe aq i varfër sa çjemi ne, dhe do të kuptonte.

Karriera e hershme

Në vend që të ndiqte babain e tij në peshkim, Joe DiMaggio shkoi pas vëllait të madh Vinsit në fushën e bejsbollit, në San Francisco. Ishte 16 vjeç kur e braktisi shkollën e mesme për tiu dedikuar bejsbollit. Ai luante çdo ditë me rinjtë e tjerë në një fushë të gjerë ku parkoheshin makinat e shpërndarjes së qumështit dhe djemtë strapacoheshin të mblidhnin disa centë në ato kohë të vështira, për t’i vënë arna topit të rrjepur të bejsbollit. Të gjitha të dhënat në rininë e tij ishin që DiMaggio po formohej si ylli i ardhshëm i bejsbollit.

Në vitin 1932, vëllai i madh i DiMaggios, Vinsi, hyri në ligën e Pacifikut, The San Francisco Seals. Kur nga fundi i lojërave të sezonit u plagos, ai rekomandoi si zëvendësues të vëllanë, Joe DiMaggion. Pasi luajti në lojërat e fundit të sezonit të vitit 1932, DiMaggio zuri vend si lojtar i rregullt i skuadrës.

Arritjet

Tre vitet e parë të karrierës së tij, (gjatë Luftës së Dytë Botërore) DiMaggio i kaloi në shërbim ushtarak, por brenda territorit të SHBA, në Forcat Ajrore. Duke luajtur bejsboll për skuadrën e tyre dhe duke shërbyer njëkohësisht si instruktor i trajnimit fizik, vetë prezenca e tij në forcat e armatosura ishte frymëzuese.

Në 1946 ai u kthye tek Yankees, dhe në 1947 fitoi çmimin e Ligës Amerikane, si lojtari më i mirë (MVP),dhe udhëhoqi Yankees drejt serialit botëror. Pas fitores tre herë radhazi në serialin botëror (1949-1951), DiMaggio vendosi të dilte në pension pas sezonit të 1951-shit për shkak të dhimbjeve në shputën e këmbës. Kisha dhimbje gjithë kohën dhe loja mu bë si detyrë. Kur bejsbolli nuk të jep më kënaqësi, atëherë ai nuk është më lojë. -deklaroi ai .

Gjatë 13 sezoneve me Ligën kryesore të Bejsbollit, DiMaggio fitoi 9 kampionate botërore dhe tre çmime si lojtari më i mirë i Ligë amerikane. Nga viti 1936 deri në 1951 DiMaggio theu rekordin për hits në 56 lojra radhazi. Dhe ky rekord që vendosi ai ende nuk ka ndryshuar. Në vitin 1955, DiMaggio zuri vend në Baseball Hall of Fame.

Nga jeta e tij private

monroe-joe-dimaggioJoe DiMaggio u martua me Dorothy Arnold në 1939, me të cilin pati një djalë, para divorcit me të. Në 1952 një vit pasi la bejsbollin DiMaggio u takua me aktoren Marilyn Monroe. Njohja me të u iniciua nga vetë Joe nëpërmjet një personi të tretë. Me tu takuar Joe DiMaggio ra në dashuri çmendurisht. Ishte një romancë sensacionale amerikane: Ai i gjatë, i pashëm, heroi i bejsbollit kishte pushtuar zemrën e aktores më bukuroshe të Hollivudit. Merilin Monro atëkohë ishte një yll në ngjitje të karrieres së vet. Medias i erdhën menjëherë zërat për këtë marrëdhënie dhe filluan të shkruanin për ta pa u lodhur, megjithëse ata të dy preferonin të rrinin larg vëmendjes së medias.

U pëlqente të rrinin me njëri-tjetrin mbrëmjeve të patrazuar nga askush, në shtëpi apo në një qoshe të restorantit të Xho-së, e jo të ekspozoheshin publikisht. Mirëpo Merilini i pat treguar dikujt, në konfidencë, për planet e martesës me Joe DiMaggion dhe fjala kishte marrë dhenë. Në 14 janar, 1954, ata bënë martesën në Bashkinë e qytetit të San Franciscos, ku u ndoqën nga media dhe fansat. Martesën e tyre media e quajti “Martesa e shekullit.”

Gjithsesi, shqetësimet e para në martesë lindën që në fillim. DiMaggio, tashmë i dalë në pension kërkonte jetë familjare të rregullt, qetësi, ndërsa karriera e Merlinit ishte në lulëzim.

Ndërsa ishin në muaj mjalti në Japoni Monronë e kërkuan në Kore për një performancë para ushtarëve amerikanë që ishin stacionuar atje. Ajo ra dakord duke lënë të shoqin të zhgënjyer. Pasi çifti u kthye në SHBA tensionet filluan të turbullojnë martesën e tyre. DiMaggion e shqetësonte në veçanti aparenca shumë seksi e të shoqes në publik. Një moment që është përjetësuar tashmë edhe në kujtesën botërore ishte ai i hapjes së fustanit të saj të bardhë (si ombrellë) në shtator 1954, në New Jork City, skenë e xhiruar për filmin The Seven Year Itch., të Billy Wilder. Ndërsa xhirohej ajo skenë, rreth e qark ishin mbledhur turma njerëzish dhe si përfaqësues nga media (regjisori kishte siguruar vetë praninë e tyre). Kur fustani i saj i bardhë u ngrit lart duke zbuluar këmbët e Monrosë gjithë turma thirri me zë të lartë. Imagjinoni gjendjen e DiMaggios, që ishte i pranishëm. U bë si i çmendur nga zemërimi.

DiMaggio dhe Monroe u divorcuan në Tetor 1954, 274 ditë pasi qenë martuar. Në dokumentet e divorcit Merilin e akuzonte të shoqin për mental cruelty. Në 1956 ajo u martua me dramaturgun Arthur Miler, por edhe ajo martesë përfundoi në divorc në 1961, duke e lënë Monronë në një gjendje tepër të dobët psiqike. Në shkurt 1961, ajo u shtrua në një klinikë psikiatrike. Ishte DiMaggio që e nxorri që andej dhe e mori me vete në Florida , në një kamp relaksimi. Pavarësisht se thashethemet u shtuan duke aluduar për një rimartesë të tyre, ata qëndruan në statusin e miqve të mirë. Kur artistja 36-vjeçarja Merilin Monroe, simboli i seksit, vdiq e droguar me dozë të rëndë, në 5gusht 1962, DiMaggio bëri të gjitha përgatitjet për funeralin e saj. Për dy dekada rresht, deri para se të vdiste edhe vetë, (1999), ai dërgonte trëndafila disa herë në javë tek varri i saj në Los Angeles. Merilin Monro qe dashuria e tij e madhe. Ndoshta DiMaggio e kuptoi atë më mirë se kushdo tjetër. Pas saj ai nuk u martua më kurrë.

DiMaggio vdiq në 8 mars 1999, nga kanceri në mushkëri, në moshën 84 vjeç.

Joe DiMaggio ishte një nga heronjtë e rrallë të sportit, si Babe Ruth, Jackie Robinson, Lou Gheric, fama e të cilëve i kalon kufijtë e sportit, duke simbolizuar edhe aspekte të historisë dhe kulturës. Ish kryetari shumë i njohur i Bashkisë i Nju Jorkut Ed Koch tha se DiMaggio, përfaqësonte më të mirën e Amerikës, në karakter, fisnikëri dhe humanizmin e tij. Ai vendosi standarde të tilla që çdo prind do ti dëshironte për fëmijën e vet.

Ditën e vdekjes të Joe DiMaggios Presidenti Klinton tha: “Sot, Amerika humbi një nga heronjtë e saj më të dashur të këtij shekulli, Joe DiMaggion. Nuk kam asnjë dyshim që kur gjeneratat e ardhshme të kthejnë kokën pas tek gjërat më të mira të shekullit të XX, ata do të kujtojnë Joe DiMaggion dhe gjithçka arriti ai.

Përktheu: Albana M. Lifschin

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›