Topalli kap për zhelesh Arvizun: Njeri i vogël, i kthyer në ekstremist i majtë
Mazhoranca në ikje fyen dhe denigron ambasadorin amerikan
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka sulmuar ashpër ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu, për krahasimin që ky i fundit u bëri zgjedhjeve të 23 qershorit me ato të vitit 1992. në një postim në rrjetin social Facebook, Topalli shprehet se një krahasim të tillë nuk mund ta bëjë as edhe një ekstremist i majtë. Të dashur miq! Një vend të madh nuk e përfaqëson dot një njeri i vockël! Për më tepër me miopi të theksuar historike e politike!!! Për të mos i thënë fallsifikator i historisë! Të krahasosh Shqipërinë e 1992, që këputi vargonjtë e evil empire, me Shqipërinë anëtare të NATO-s , është njësoj si të vësh shenjën e barazimit midis Brezhnjevit dhe presidentit Reagan!!! I denjë për të punuar me Reis Malilen, jo me Hillary Clinton e John Kerry. As ekstremistët më të mëdhenj të së majtës nuk kanë guxuar kurrë një gjë të tillë, shkruante Topalli në rrjetin social Facebook. Pas deklaratës së Topallit, ka reaguar edhe Genc Pollo. Ky i fundit duke mos e përmendur me emër ambasadorin amerikan ka kërkuar ti japë atij një leksion demokracie duke deklaruar se personazhit dikush duhet ti sqarojë se kalimi nga një regjim totalitar në një sistem demokratik nuk është i krahasueshëm me një ndryshim të pushtetit që në demokraci ndodh (rëndom) përmes kutisë së votimit. Edhe për të mësuarit vlen shprehja “me mire vonë se kurrë”. Pas këtyre deklaratave ka reaguar edhe ministri i ardhshëm i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar ndaj sulmeve të mazhorancës në ikje ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Sipas Bushatit, qeveria në ike nuk do ta kuptojë se Arvizu përfaqëson Obama-n dhe flet vetëm në emër të qeverisë amerikane. Nuk duan të kuptojnë që Ambasadori është përfaqësues i Presidentit dhe flet në emër të SHBA?! Arrogancë provinciale që sovrani e refuzoi, shprehet Bushati. Arvizu është vënë në qendër të akuzave dhe sulmeve, të cilat kanë arritur deri në fyerje dhe denigrime nga ana e kryeparlamentares Jozefina Topalli, për cilësimin e zgjedhjeve të 23 qershorit, njësoj të rëndësishme ai ato të vitit 1992.