E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e zgjedhjeve lokale në Shqipëri, fitoret e PS dhe të PD

Edi Rama në zgjedhjet e vitit 2000

Analiza e rezultatit të zgjedhjeve lokale në 20 vite tranzicion. Detaje të fushatave elektorale të zgjedhjeve lokale, specifika e fitores së PS në 26 korrik 1992 dhe fitorja e PD në tetor 1996 pas dështimit të kësaj partie në zgjedhjet famëkeqe të 26 majit, ku PD u akuzua nga opozita dhe faktori ndërkombëtar si autore e manipulimit të zgjedhjeve

Partia Demokratike ka fituar dy prej pesë proceseve zgjedhore vendore të zhvilluara në 20 vite të tranzicionit në Shqipëri. Tre procese të tjera zgjedhore i ka fituar Partia Socialiste.

PD ka fituar zgjedhjet lokale të tetorit të vitit 1996, si dhe zgjedhjet lokale të 18 shkurtit të vitit 2007, në shkallë vendi, por duke humbur në shumicë dërrmuese bashkitë kryesore. Ndërsa PS ka fituar zgjedhjet lokale të korrikut 1992, zgjedhjet lokale te tetorit 2000 si dhe zgjedhjet lokale të vitit 2003. Nga këto zgjedhje, vlejnë për tu veçuar zgjedhjet vendore të 26 korrikut të vitit 1992, kur Partia Socialiste fitoi zgjedhjet përballë Partisë Demokratike, e cila kishte vetëm tre muaj që kishte fituar zgjedhjet parlamentare të 22 marsit, me rezultat të thellë ndaj PS.

Një analizë e detajuar e të gjitha proceseve zgjedhore të zhvilluara në Shqipërinë  e pas viteve 90 gjendet në librin e politologut Afrim Krasniqi Zgjedhjet në Shqipëri, (1991-2008). Më poshtë botohen pjesë nga libri i Krasniqit, kryesisht ato që kanë të bëjnë proceset zgjedhore lokale në Shqipëri.

Zgjedhjet lokale të 26 korrikut të vitit 1992

Kishin kaluar vetëm tre muaj nga fitorja e PD-së në zgjedhjet parlamentare të 22 marsit të vitit 1992, kur Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e para lokale të zhvilluara në sistemin politik shumëpartiak.

Vlen të theksohet se zgjedhjet lokale të vitit 1992, janë të parat zgjedhje lokale në historinë e Shqipërisë. Përvoja e dy proceseve zgjedhore parlamentare dukej e mjaftueshme për të përgatitur dhe zhvilluar një fushatë të veçantë, në të cilën nuk do të votohej për qeverinë qendrore. Fushata elektorale e zgjedhjeve lokale të 26 korrikut 1992 mbetet një nga fushatat më të qeta dhe qytetare. Kjo u arrit si rezultat i ndikimit të disa faktorëve, ndër të cilët më kryesorët ishin mbajtja e tyre tre muaj pas entuziazmit dhe votimit me shumicë absolute për rotacion pushteti në zgjedhjet parlamentare, vapa e nxehtë e verës 1992 si dhe qëndrimi larg fushatës i figurave kryesore politike. Këto janë zgjedhjet e para dhe të fundit në të cilat nuk pati një fushatë intensive elektorale nga ana e Presidentit Berisha, i cili sapo kishte lënë postin formalisht, duke mbajtur vendin në kryesinë e PD-së. Tashmë PD-ja drejtohej nga kryetari i ri (Eduard Selami) i zgjedhur me 16 prill në Kongresin e Jashtëzakonshëm. Në krah të tij ishin sekretari i ri i përgjithshëm, Tomor Dosti, një nga pinjollët më të njohur të disidencës dhe ish-të përndjekurve politikë, i ardhur nga kampet e internimit të Lushnjës, si dhe dy nënkryetarët e njohur, Arben Imami e Azem Hajdari. Problemet e krijuara në kongres, ku gara për kryetar midis Selamit dhe Imamit përfundoi me fitoren e të parit me një diferencë të thellë (411 nga 484 vota) dhe ku nënkryetari Hajdari u nis për studime të pjesshme në SHBA, krijoi ftohtësi në marrëdhëniet në lidershipin demokrat. Ato morën një zhvillim të ri më 23 qershor 1992, kur PD-ja vendosi përjashtimin e deputetit Gramoz Pashko, një nga figurave kryesore drejtuese të kësaj partie dhe ish-zv/kryeministër në Qeverinë e Stabilitetit. Pashko nuk u thirr në qeveri dhe më pas u bë kritik ndaj politikave preferenciale të PD-së ndaj grupeve mbështetëse. Ai e krahasoi ikjen e përkohshme të Hajdarit në SHBA me ikjen e Kadaresë më 1990, gjë që shkarkoi reagim ekstrem të Berishës dhe PD-së, deri në pezullimin e tij nga grupi parlamentar. Një faktor tjetër me ndikim në zgjedhje ishin edhe masat e ndërmarra nga qeveria në kuadrin e reformave ekonomike dhe strukturore. Një valë spastrimesh në administratë krijuan rotacion të zgjatur të pushtetit dhe vonesa në trajtimin e premtimeve elektorale. Po ashtu, një javë përpara votimeve qeveria shpalli vendimin e saj për liberalizimin e çmimit të bukës. Kjo masë që preku të gjithë qytetarët, pasi në psikologjinë dhe traditën shqiptare, për dekada me radhë çmimi i bukës kishte mbetur i njëjtë dhe vetë buka përbënte një nga produktet ushqimore më të preferuara të tryezave familjare. Në rrafshin elektoral ministrat e rinj të PD-së, të zgjedhur kryesisht nga degët e periferisë, nuk kishin krijuar ende autoritetin e duhur publik për t`u përballur me qytetarët në debate publike dhe mitingje elektorale. Kështu që një pjesë e mitingjeve u anuluan, të tjera u bënë formale, dhe një pjesë tjetër me sforcim, duke nxjerrë në to nëpunësit e administratës apo nxënësit e shkollave. Probleme u shfaqën edhe në përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkie. Demokratët kishin kandiduar në zgjedhjet parlamentare kapacitetet e tyre njerëzore më të njohura e më të kualifikuara, kështu që për të ishte e vështirë të hartohej një listë e dytë kandidatësh potencialë, vetëm tre muaj pas fitores së bujshme elektorale. Në rivalitet me PD-në, socialistët dukeshin në pozita më komode. Ata nuk vuanin për kandidatë, përkundrazi ia lejonin vetes të bënin një përzgjedhje kandidatësh potencialë në një listë të madhe kandidatësh, një pjesë e të cilëve konkurruan dhe humbën në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kështu, në Tiranë socialistët konkurruan me nënkryetarin e tyre, Luan Hajdaraga, një figurë e njohur e qarqeve pedagogjike, pa lidhje serioze me sistemin dhe regjimin e kaluar.

Rezultatet

Zgjedhjet lokale u zhvilluan në dy raunde, me sistemin mazhoritar. Në raundin e parë u votua edhe për Këshillat e Rretheve dhe ato të komunave e bashkive. Në zgjedhje morën pjesë 1.405.066 nga numri total prej 1.988.795 zgjedhësish. Në përqindje pjesëmarrja ishte 70,65%. Rreth 9% e votave rezultuan të pavlefshme. Rezultatet e votimit sipas partive politike nxjerrin fitues Partinë Socialiste, e cila mori 340.266 vota ose 45.43%. PD-ja siguroi 278.101 vota ose 37.13%, PSD-ja 40.065 vota ose 5.35%, ndjekur nga PR-ja me 33.726 vota ose 4.50% dhe PBDNJ-ja 33.223 vota ose 4.44% të votave. Siç shihet, koalicioni qeveritar fitoi 46.98% të votave ndaj 49.87% të koalicionit të majtë opozitar. Duke llogaritur së bashku votat për këshillat bashkiakë dhe komunalë rezulton se koalicioni qeveritar ka marrë 644.872 vota ose 51%, ndërsa Partia Socialiste 519.239 dhe së bashku me dy partitë e majta 535.713 vota ose 43% të votave. Në përfundim të zgjedhjeve, rezultatet ofruan surpriza në disa qytete. Demokratët fituan bashkitë e mëdha të Tiranës, Vlorës, Shkodrës, Durrësit, Elbasanit, Beratit, Lushnjës, qytetet të fituara prej tyre edhe në dy zgjedhjet parlamentare. Por ata humbën në shumë prej qyteteve të tjera, kryesisht të kategorisë së dytë dhe ato periferike. Fitoret më të bujshme të PS-së u shënuan në Gjirokastër, Fier, Lezhë, Kukës, Peshkopi etj. Zgjedhjet për bashkinë e Tiranës patën një domethënie të veçantë. PD kandidoi Sali Kelmendin, një mësues i angazhuar në poste administrative në Ministrinë e Arsimit, kurse përballë tij ishte socialisti Luan Hajdaraga, gjithashtu i ardhur nga fusha pedagogjike. Kelmendi nuk kishte dhe nuk mori asnjëherë post politik në PD, kurse Hajdaraga do të ishte nënkryetar i tretë i Partisë Socialiste dhe për disa vite deputet, ministër apo zv/ministër në qeveritë e Partisë Socialiste. Vetë rezultati i votimit, një diferencë 13,90%, është tregues i lehtësisë me të cilën fitoi PD dhe mbështetjes së saj në kryeqytet.

<

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›