Historia sipas Staraveckës, sot debati
Pak kohë pas botimi, libri me kujtime historike i Xhelal Staraveckës, bëhet objekt diskutimi në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, sot, ora 11.00. Shoqata kulturore Tomorri në bashkëpunim me shtëpinë botuese Naimi, organizojnë këtë takim mbi librin Përpara gjyqit të historisë të Xhelal Staraveckës (1912-1975), botuar në kuadër të 100 vjetorit të shtetit shqiptar dhe 100 vjetorit të lindjes së autorit. Marrin pjesë studiues të historisë, deputetë, përfaqësues të pushtetit vendor nga prefektura e Beratit, Fierit etj.
Moderator i promovimit është publicisti Fatos Lubonja, ndërsa studiuesit prof. dr. Pëllumb Xhufi, prof. dr. Shaban Sinani, Haxhi Kalluci, flasin mbi vlerat e librit.
Në librin e Staraveckës Përpara gjyqit të historisë janë të shumtë personazhet e historisë, personalitetet, kryesisht politike, të viteve 1912-1966, që ndriçohen përmes ngjarjeve, fakteve, kujtimeve të autorit. Nuk ka ngjarje të rëndësishme të organizimit të luftës antifashiste prej rrjedhës së Osumit e më në jug, prej fillimeve deri në fundin e vitit 1943, që të mos jetë e pranishme lufta çlirimtare e Staraveckës si komandant partizan. Vepra e tij trajton tri momente të rëndësishme: Mbretëria e Zogut dhe kryengritja e Fierit, lëvizja antifashiste e lufta partizane si edhe fati i mërgatës politike shqiptare në Perëndim.