PD: Rama dhe shpura e miliarderëve kanë frikë nga ligji dhe drejtësia - zotërojnë pasuri të paligjshme
Partia Demokratike hodhi dritë dje mbi arsyet e vërteta të PS në mos-votimin e ndryshimeve Kushtetuese për heqjen e imunitetit, duke deklaruar se Edi Rama dhe shpura e tij e miliarderëve kanë frikë nga ligji dhe drejtësia.
Zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi tha në një deklaratë për mediat se frika e kreut Rama dhe deputetëve socialistë nga drejtësia, ligji dhe zbatimi i tij është shkaku themelor i bllokimit nga ana e tyre i heqjes së imunitetit dhe të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
“Dy ditë më parë në një takim me të rinjtë eurosocialistë në Jalë, ish-Kryeministri Pandeli Majko zbuloi para shqiptarëve shkakun e vërtetë të bllokimit më datë 6 gusht nga Edi Rama të heqjes së imunitetit dhe bllokimit të statusit të vendit kandidat. Pyetjes së njërit prej të rinjve se përse Partia Socialiste bllokoi më datë 6 gusht heqjen e imunitetit dhe statusin e vendit kandidat për Shqipërinë Pandeli Majko iu përgjigj troç se: Partia Socialiste nuk mund të pranojë heqjen e imunitetit për faktin se këtë e pranojnë ministrat të cilët sipas tij paskan të tyre gjykatësit dhe prokurorët. Me një fjalë Zoti Majko pohoi publikisht dhe haptas se është frika e Edi Ramës dhe deputetëve socialistë nga drejtësia, ligji dhe zbatimi i tij, shkaku themelor i bllokimit nga ana e tyre e heqjes së imunitetit dhe të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”, u shpreh zëdhënësja e PD, Bardhi.
Duke marrë shkas nga qëndrimet publike të deputetit socialist, ish kryeministër i vendit, zëdhënësja e selisë blu tha se udhëheqja miliardere e PS është në panik nga vendimi i mazhorancës për thirrjen e referendumit popullor.
“Deklarata e Pandeli Majkos në Jalë, sipas së cilës deputetët e Partisë Socialiste nuk mund të pranojnë heqjen e imunitetit sepse kanë frikë nga drejtësia dhe zbatimi i ligjit, shpjegon shumë qartë panikun deri në palcë që ka ngërthyer udhëheqjen miliardere të Partisë Socialiste nga vendimi i mazhorancës për thirrjen e referendumit popullor për heqjen e imunitetit, shembjen e murit të korrupsionit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Ky zbulim i hapur i Pandeli Majkos, paralajmëron haptas shqiptarët se Edi Rama dhe kupola e miliarderëve të Partisë Socialiste jo vetëm që nuk do të pranojnë thirrjen e referendumit por ata do të bëjnë gjithçka, do të përdorin të gjithë pasuritë e tyre të mbrojtura nga muri katran i korrupsionit për sabotimin e tij, tha ajo, duke garantuar se, asgjë nuk do të mund të bllokojë të drejtën e qytetarëve të lirë shqiptarë për të zhveshur me votën e tyre zyrtarët e këtij vendi nga imuniteti, maska dhe mburoja e zezë e pasurimit të tyre të paligjshëm”.
Sipas saj, Pandeli Majko u tregoi të gjithë shqiptarëve se miliarderët në krye të PS-së, të cilën e kanë shndërruar në një instrument të interesave personale, nuk mund të pranojnë heqjen e imunitetit sepse frikësohen nga pasuritë e tyre të paligjshme dhe origjinën e tyre të dyshimtë.
Më tej, tha zëdhënësja e PD, frika për korrupsionin që u rëndon mbi supe, ishte e njëjta arsye që PS rrëzoi propozimin e PD edhe në 2003-shin, edhe pse atëherë, në krye të institucioneve ishin militantët ekstremistë të PS.
“E vërteta absolute është pra të dashur qytetarë, se miliarderët në krye të Partisë Socialiste dhe z. Rama që e ka kthyer Partinë Socialiste në një sh. p. k., të miliarderëve të saj, nuk mund të pranojnë kurrë të heqin imunitetin sepse tmerrohen nga e pasuritë e tyre të paligjshme, origjina e tyre nga fshehja e taksave, kontrabanda, grabitja e trojeve dhe pronave të të tjerëve, ndërtimet pa leje dhe trafiqet kriminale.
“Në tmerrin nga ligji dhe verdikti i drejtësisë për pasuritë e tyre të paligjshme, origjinën e tyre të dyshimtë, qëndron shkaku themelor i refuzimit nga Qeveria dhe deputetët socialistë në vitin 2003 të propozimit të Partisë Demokratike, asokohe në opozitë, për heqjen e imunitetit. Rikujtojmë këtu se në ato vite qeveria e zotit Rama kishte vendosur në krye të të gjitha institucioneve të vendit militantë ekstremistë të Partisë Socialiste. Kështu qeveria socialiste hodhi poshtë në vitin 2003 propozimin e Partisë Demokratike për heqjen e imunitetit edhe pse në krye të Gjykatës së Larte dhe Gjykatës Kushtetuese ishin dy ish-anëtarë të kryesisë së Partisë Socialiste, zotërinjtë Thimio Kondi dhe Fehmi Abdiu, dhe në drejtim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ishte ish-ministri socialist z. Ilir Panda”, deklaroi ajo.
Sikurse, shtoi zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi, Pandeli Majko dëshmoi qartë në pohimet e tij para të rinjve të FRESSH, se negociatat PD-PS për heqjen e imunitetit nuk ishin asgjë tjetër, veçse një farsë hipokrite e Edi Ramës për të mashtruar opinionin publik, pasi ai, as në shtator s’kishte ndërmend të votonte heqjen e imunitetit.
“Me deklaratën e tij në Jalë, z Majko dëshmon se negociatat e fundit PD-PS në të cilat Partia Demokratike pranoi të gjitha propozimet e Partisë Socialiste të paraqitura nga vetë Pandeli Majko, ishin thjeshtë një farsë hipokrite e Edi Ramës për të mashtruar opinionin publik dhe asgjë më tepër. Pohimi i hapur i Pandeli Majkos para të rinjve socialist, fakton në mënyrë të qartë se Edi Rama nuk kishte kurrë ndërmend të hiqte imunitetin në shtator sikurse deklaroi dhjetëra herë para datës 6 gusht, por vetëm sa u përpoq që me mashtrimin e radhës të mbulonte sado pak aktin e shëmtuar të bllokimit nga ai personalisht, për të tretin vit me radhë të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”, theksoi më tej në deklaratën për shtyp, zëdhënësja Silvi Bardhi.
Konstatimi i fundit i Partisë Demokratike lidhur me arsyet dhe motivet e lidershipit të PS, i cili bllokoi heqjen e imunitetit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, vjen pas deklaratës së 3 ditëve më parë të ish-kryeministrit socialist, Pandeli Majko gjatë një komunikimi nga Jala me të rinj të FRESSH. Majko u shpreh se opozita nuk mund të votonte heqjen e imunitetit pasi atë e kërkonin ministrat e qeverisë “Berisha” dhe kjo do të thotë se, gjyqtarë e prokurorë do vepronin kundër përfaqësuesve të opozitës.
Deklaratë sa shokuese aq edhe transparente në një pikëpamje tjetër. Sepse, në thelb bart frikën, tmerrin dhe panikun e miliona-zotëruesve të PS, të cilët janë të vetëdijshëm se pasuritë e tyre, në një mënyrë apo një tjetër, janë vënë në rrugë ekstraligjore. Me heqjen e “imunitetit”, privatizuesit e PS-së, do jenë më të ekspozuar në dritën e transparencës të pasurive qindramilionëshe që zotërojnë.