Historike, Kukësi siguron Europa League
Në javën e fundit të sezonit, duel në distancë me Teutën për titullin e nënkampionit
Altin Manallari
Zbardhen më në fund të gjitha verdiktet e mëdha të Kategorisë Superiore për sezonin 2012-2013. Më i fundit është zyrtarizuar dje me Kukësin që ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në Europa League. Por java e fundit (e 26-ta) do të ndajë edhe titullin simbolik të nënkampionit të vendit.
Pasditen e djeshme spikati triumfi i Kukësit në transfertën përballë Kastriotit me rezultatin e pastër 3-0. Armando Cungu kishte zbarkuar në Krujë me formacionin e tij më të mirë. Fillimisht rezultati është zhbllokuar nga autogoli i Pengilit (36) në portën e krutanëve. Më pas ata që garantuan 3 pikëshin e rëndësishëm për verilindorët ishin golat e Mziut (75) dhe Popoviç (78). Me këtë fitore, Kukësi ka rimarrë vendin e dytë në tabelën e klasifikimit me 49 pikë, një më shumë sesa Teuta e vendit të tretë dhe ka siguruar edhe matematikisht pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm të Europa League, duke shënuar kështu një arritje historike për klubin, i cili vetëm në këtë sezon u ngjit për herë të parë në Superiore. Verilindorët në ndeshjen e fundit presin në shtëpi Skënderbeun, ku synojnë një tjetër fitore për të festuar bashkë me korçarët si kampionë dhe nënkampionë të vendit. Një Flamurtar i rinovuar, me shumë emra të rinj në formacion, ka arritur të mposhtë me rezultatin 3-1 Vllazninë, e cila gjithashtu kishte hedhur disa lojtarë të rinj në fushën e lojës. Golat për vlonjatët u realizuan nga Idrizaj, Nelaj dhe Lena, ndërsa për shkodranët Shtupina. Tirana vuan shumë për të marrë një fitore 2-1 ndaj Bylisit në Selman Stermasi. Bardheblutë shënuan të parët me Gilman Likën (11), por dalja me karton të kuq e Ahmatajt në pjesën e dytë e la skuadrën me 10 lojtarë. Ballshiotët barazuan përkohësisht me Sefën (39). Por në minutën e 77-të Tirana është rikthyer në avantazh me golin e kosovarit Limani. Shkumbini ka marrë një fitore 2-1 ndaj Tomorit, por është i detyruar të luajë një kategori më poshtë sezonin që vjen, pas 19 vitesh qëndrimi në elitë. Në Kavajë, Besa dhe Apolonia janë ndalur te një barazim 1-1. Ndërsa në Korçë Skënderbeu ka fituar 1-0 ndaj Luftëtarit, por interesant ishte fakti që për herë të parë në histori në trupën e gjyqtarëve që gjykuan këtë takim ishin përfshirë dy gjyqtare femra. Verdiktet tashmë janë zbuluar: Skënderbeu kampion do të luajë në Champions League, ndërsa Kukësi dhe Teuta në Europa League. Po ashtu janë mësuar edhe 4 skuadrat që zbresin një kategori më poshtë: Apolonia, Tomori, Luftëtari e Shkumbini. Mbetet e hapur teorikisht vetëm beteja për vendin e dytë, atë të nënkampionit, ndërsa skuadra e tretë shqiptare që do të marrë pjesë në Europa League do të dalë nga finalja e Kupës së Shqipërisë mes Laçit dhe Bylisit.
Superiore (Java XXV)
TË PREMTEN
TeutaLaçi 1-0
Osmani 66
DJE
SkënderbeuLuftëtari 1-0
Plaku 51
KastriotiKukësi 0-3
Pengili 36 (ag), Mziu 75, Popoviç 78
Flamurtari-Vllaznia 3-1
Idrizaj 3, Nelaj 45, Lena 88 / Shtupina 53
BesaApolonia 1-1
Maliniç 40 / Dushku 64
Tirana-Bylis 2-1
G.Lika 11, Limani 77 / J.Sefa 39
Shkumbini-Tomori 2-1
Mile 20, 22 / Avdo 76
Klasifikimi
Skuadra N P
1. Skënderbeu 25 58 (CH)
2. Kukësi 25 49 (EL)
3. Teuta 25 48 (EL)
4. Flamurtari 25 45
5. Tirana 25 42
6. Laçi 25 37
7. Vllaznia 25 35
8. Kastrioti 25 34
9. Besa 25 31
10. Bylis 25 29
11. Shkumbini 25 26 (Kat. I)
12. Luftëtari 25 19 (Kat. I)
13. Tomori 25 16 (Kat. I)
14. Apolonia 25 12 (Kat. I)
Kategoria e Parë
Mbijetesa, 6 skuadra në ankth, rrezikon Dinamo
Kur duhet të luhen edhe 90 minutat e fundit të sezonit të Kategorisë së Parë, plot 6 skuadra janë në ankth për mbijetesën, mes të cilave edhe Dinamo. Blutë një ndihmë e kanë marrë dje nga rivali kryeqytetas, Partizani, i cili nuk i hapi rrugën Besëlidhjes, të cilën e ndali në një barazim 1-1, edhe pse të kuqtë kishin siguruar ngjitjen në Superiore. Tani lezhjanët janë më të rrezikuarit për të rënë në Kategorinë e Dytë. Vetë Dinamo nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 në transfertë ndaj Ilirisë në një sfidë të tensionuar, ku u rrah nga policia edhe lojtari i vendasve, Klodian Baku. Në javën e fundit, blutë do të presin Pogradecin. Bashkë me Dinamon (37 pikë) në rrezik për të rënë janë edhe 5 skuadra të tjera si Besëlidhja (35), Iliria (37), Butrinti (37), Burreli (39) dhe Himara (39). Dy nga këto skuadra pas javës së fundit do tu bashkohen të rënëve tashmë, Gramshit dhe Naftëtarit.
Historike, Kukësi siguron Europa League burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email