E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historike/Shqipëria firmos projektin për ndërtimin e TAP

07-02-2013 / Gazeta 55

Qeveria miraton në parim marrëveshjen trepalëshe me Italinë dhe Greqinë, e cila i hap rrugën gazifikimit të vendit dhe shndërrimit të Shqipërisë në një pikë nevralgjike për tregun e energjisë në Evropën Juglindore. Parashikohet një investim prej 2 miliardë dollarësh vetëm në segmentin shqiptar si dhe çelja e 20 mijë vendeve të punës


Berisha: Do bëhet gjithçka, që ndërtimi të nisë brenda këtij viti


Këshilli i Ministrave miratoi dje në parim Marrëveshjen trepalëshe Shqipëri-Itali-Greqi, për ndërtimin e Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), një nga projektet më të rëndësishme energjetike jo vetëm për Shqipërinë, që do të sjellë gazin nga fusha e Shah Deniz në Kaspik në Europë. Kryeministri Berisha, duke prezantuar tekstin e Marrëveshjes, e vlerësoi atë historike për nga rëndësia që ajo ka për zhvillimin e Shqipërisë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të saj. Vetëm në territorin e Shqipërisë, u tha ai, investimi arrin në 2 miliardë dollarë dhe krijohen direkt e indirekt gjatë ndërtimit e funksionimit të tij mbi 20 mijë vende të reja pune. “Leverdia e Shqipërisë për këtë projekt është e jashtëzakonshme, por edhe angazhimi i saj për të qenë partnerë në këtë projekt ka qenë i jashtëzakonshëm gjatë këtyre viteve. Marrëveshja finalizon një kuadër ligjor të domosdoshëm të bashkëpunimit dhe kalimit të gazsjellësit në territorin e vendeve tona. Investimi total i parashikuar deri më sot në projektin e madh të gazsjellësit Trans Adriatik është rreth 41 miliardë dollarë, nga të cilat 25 miliardë janë investime në fushën e gazit “Shah Deniz 2” për nxjerrjen e rezervave të gazit dhe pjesa tjetër investim për ndërtimin e gazsjellësit. Vetëm në territorin e Shqipërisë, investimi arrin në 2 miliardë dollarë dhe krijohen direkt e indirekt gjatë ndërtimit e funksionimit të tij mbi 20 mijë vende të reja pune”- u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se me këtë projekt, me pozicionin e saj gjeografik dhe depot natyrale të gazit prej disa miliarda metër kub, Shqipëria merr një pozicion nevralgjik në fushën e energjisë në rajon, ndërsa garantoi se projekti i viteve në vazhdim është ai për gazifikimin e vendit. Kryeministri siguroi se Shqipëria do të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet e saj, në kuadër të këtij projekti. “Ndërkohë, Shqipëria merr një pozicion nevralgjik në fushën e energjisë në rajon, pasi vetë pozicioni i saj gjeografik është shumë i rëndësishëm. Ajo është jo vetëm një vendkalim i gazsjellësit drejt Italisë, por ekziston edhe një potencial tjetër i madh, që gazi, krahas trajektores së gjertanishme, të shkojë drejt Ballkanit të Veriut. Gazi i gazsjellësit Trans Adriatik ka të gjithë shanset të shkojë drejt veriut të Ballkanit, nga Shqipëria, nëpërmjet gazsjellësit JAP. Natyrisht, ky është projekti më konkret dhe fillimi për punimet e tij do të mund të kapin fundin e këtij viti. Vendimi pritet të merret nga mesi i viti. Shqipëria ka bërë përgatitjet më serioze në trajektoren e saj, ka krijuar ekipet e shpronësimeve ku ai do të kalojë dhe ekipe të tjera dhe është e vendosur të bëjë gjithçka për pjesën e vet, në mënyrën më serioze. Për Shqipërinë, një vend pa gaz në përdorim ose me përdorim jashtëzakonisht rudimentar, të kufizuar, ky është një shans shumë i madh, sepse do të ketë mundësi të ndërmarrë gjatë mandatit që vjen, gazifikimin e Shqipërisë. Gazifikimi nënkupton përdorim e gazit për ngrohje e gatim, si dhe shpenzime më të ulëta për çdo familje shqiptare për ngrohe e gatim, pra, nënkupton një rritje të standardit të jetesës e mirëqenies për mbarë qytetarët shqiptarë, të cilët do paguajnë më pak për energjinë e tyre për ngrohje e gatim”- tha kryeministri. Ndërsa shtoi se Bashkimi Europian po studion e konkretizon çdo ditë e më shumë një projekt tjetër të gazsjellësit të quajtur JAP, Jonian Adriatik Pipeline, i cili fillon nga Fieri dhe përfundon në Slloveni. “Natyrisht, ky gazsjellës ndërtohet me vendosmërinë dhe vullnetin e BE-së, për këtë zonë që vuan për gaz, nuk ka sasinë e nevojshme, madje Shqipëria nuk e ka fare në përdorim - me anëtarësimin e Kroacisë në BE, dy prej tyre bëhen vende anëtare të BE-së”- theksoi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›