Shqipëria dhe Bullgaria të shndërrohen në lokomotiva të lobingut për Korridorin 8
E nderuara zonja Kryetare e Parlamentit znj.Caçeva,
Të nderuar zonja e zotërinj deputetë.
Kjo është hera e dytë që kam nderin të jem në këtë aule e ti adresohem deputetëve bullgarë. Faleminderit për këtë privilegj të madh. Tamam 5 vite më parë, bashkë me Kryetarin e Parlamentit kroat, Bebiç ne ishim në këtë sallë kur ju votuat për ratifikimin e protokollit të NATO-s për dy vendet tona. Gjatë këtyre 5 viteve ka patur shumë zhvillime në Shqipëri, në Bullgari e në botë. Ne sot jemi anëtarë të NATO-s, e bashkë kontribuojmë për paqen në botë. Vendi juaj i bukur ka bërë rrugën e tij te progresit. Ndërkohë që Kroacia në korrik do jetë edhe anëtare e BE bashkë me ju. Anëtarësimi i Kroacisë, i dyti vend në Ballkan, është i merituar. Ajo është një arritje për Ballkanin, dhe si e tillë edhe për ne. Ndërkohë midis dy vendeve tona është intensifikuar marrëdhënia e bashkëpunimit në të gjitha drejtimet. Ne jo vetëm jemi aq afër gjeografikisht, jo vetëm jemi takuar shpesh në histori, ne jo vetëm jemi bashkëpartner në NATO e në institucione ndërkombëtare të tjera, por koha që po jetojmë, integrimi, globalizmi na imponon të shohim për të gjetur shumë fusha të tjera bashkëpunimi. Dhe ne po i eksplorojmë ato.
Për të gjithë ata që nuk e njohin nga afër vendin tim, unë dëshiroj të flas shkurtimisht. Vendi im ka kaluar përmes një rruge të vështire e plot sfida. 20 vite më parë Shqipëria ishte një ndër 3 vendet më të varfra në botë, me 204 $ për frymë, sot ajo renditet një vend me të ardhura të mesme të larta. Shqipëria sot është një vend që ka fituar një status dhe rol të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare, rrjedhojë logjike e partneritetit në rritje me të gjitha strukturat e sigurisë rajonale dhe globale pas anëtarësimit në NATO. Shqipëria është një vend strategjik për sigurinë, paqen dhe prosperitetin e Ballkanit.
Bullgaria është vend mik i yni. Ne vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme që Bullgaria i ka dhënë dhe i jep procesit të integrimit të Ballkanit perëndimor. Prej 20 vitesh ju keni kontribuar në paqen e këtij rajonit përmes një politike të mençur që keni adaptuar. Dhe ne ju jemi mirënjohës. James Baker, kur erdhi ne Shqipëri 22 vite më parë tha: Liria funksionon. Ju, ne, Shqiptarët jemi dëshmitarë të kësaj. Ju tani jeni një realitet tjetër. Shqipëria tani është një vend tjetër. Vendi im sot ka 9000 $ për frymë, jeta ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë, jetëgjatësia ka një rritje të qartë. Vetëm 8 vite më parë, në Shqipëri investimet e huaja direkte ishin 38 milion, sot ato janë 35 herë më shumë, e siç thotë Organizata Botërore e Tregtisë përtej kapaciteteve të mundshme. Shqipëria është një vend shumë i bukur me alpe të ashpra e misterioze, me bregdet në gjithë gjatësinë e vet, gjë që na ka bërë të përqendrohemi në nxitjen e turizmit. Nga një vend krejt i izoluar, sot numri i turistëve është shume më i madh se numri i banorëve. Në vendin tim po ndërtohet një infrastrukturë krejt e re rrugore, që ne synojmë ta mbyllim në dy vitet e ardhshme. Investimi e financimi ne infrastrukture, përveç hapjes së vendeve të reja të punës, që kjo krijon, është dhe në funksion të turizmit, tregtisë e zhvillimit në tërësi. Rruga është treg, është ekonomi, zhvillim, prodhim, krijim i vendeve të reja pune. Disa vite më parë Shqipëria mbytej nga taksat e larta dhe nga informaliteti i madh. Gjatë viteve të fundit ne adaptuam një model tjetër ekonomik. Fillimisht përgjysmuam taksat, pastaj vendosëm taksën e sheshtë prej 10 %. Rezultati ishte se në tetë vite ne dyfishuam të ardhurat, fituam tre buxhete plus. Kjo na lejoi të rrisim rrogat e mësuesve, infermierëve, mjekëve, administratës, në disa kategori nga 130 në 170%. Kjo politikë na lejoi të rrisim pensionet çdo vit.
Ashtu si Bullgaria, edhe Shqipëria u rendit në majë të listës si një vend tërheqës për t’u vizituar, nga Lonely Planet. Kriza e post Lehman Brodhers u kthye në një stuhi për US, për eurozonën, e për gjithë botën. Asnjë nuk mund t’i shpëtonte kësaj krize, qe filloi si flluska e kredive te shtëpive, e që sot është kthyer në krizën e borxheve, në krizën e euros etj. Kriza nuk bypasoi as vendin tim. Sfidat vazhdojnë të jenë të mëdha. Por edhe rrugët për të kapërcyer janë të shumta. Ekonomia e vendit tim është një ekonomi e vogël, por e qëndrueshme. Ne besojmë se në një të ardhme të afërt ICT do jetë një degë e rëndësishme e rritjes ekonomike. Penetrimi i internetit sot është 62% nga 4,8% që ishte pak vite më parë. Kryeqyteti është renditur njeri nga 21 qytetet me shkallën më të mirë të përdorimit të internetit. Në 30 vitet e fundit në Shqipëri nuk kishte ndërtuar asnjë hidrocentral, edhe pse vendi ynë është plot me ujëra. Ne u angazhuam të vendosim energjinë, si gjithë bota, një prioritet. Kështu nga 2007 ka filluar ndërtimi i dhjetëra e dhjetëra hidrocentraleve. Disa prej tyre janë vërtet projekte gjigante. Për shkak te modelit që kemi adaptuar, në 4 vitet më të mëdha të krizës botërore, Shqipëria ruajti jo rritjet më të mëdha ekonomike që kishim jashtë krizës, por ruajtëm rritje 4 herë më të madhe se mesatarja e rajonit. Edhe në vitet e krizës së thellë, ne ia dolëm të mos biem as edhe një ditë në recesion. Ne bëmë çdo gjë për të hequr pengesat ndaj biznesit, bëmë gjithçka për të ulur taksat.
Ne kemi papunësi, por nuk kemi rritje të saj. Jemi përpjekur që rritja të përkthehet në mirëqenie, dhe kemi realizuar shumë reforma të tjera që kanë çuar në të rritjen e konkurrueshmërisë. Në këtë sfidë të madhe që përbën kriza, modeli ynë fiskal funksionon ne mënyrë optimale. Model që garanton rritje, qëndrueshmëri, shpërndarje e shndërrim të rritjes, në mirëqenie për qytetarët, një model që në doktrinë gërsheton në mënyrën më racionale standardet më liberale me shpërndarjen më të ndershme, në shndërrimin më të mire të rritjes në mirëqenie për qytetarët. Ne nuk ramë në krizë siç ka afirmuar Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndryshe edhe nga të gjitha vendet, që na rrethojnë. E vërtetë, ne nuk ramë në krizë për shkak të reformave që ndërmorëm, por nga kriza ne do nxjerrim mësime. Dhe një nga mësimet është tregu i punës. Ruajtja e fleksibilitetit të tregut të punës, investimi në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe ne po e bëjmë këtë. Ditët e fundit, qeveria ka ndërmarrë dy reforma të tjera. Ajo ka hequr TVSH-në për makineritë që përdoren në prodhim, në të gjitha kategoritë e biznesit në vend. Nga kjo masë përfitojnë qindra mijëra biznese, e këtu përfshihen edhe fermat. Reforma e dytë e para pak ditëve është heqja e taksës mbi të ardhurat personale për punonjësit që marrin deri në 300 dollarë. Kjo e bën Shqipërinë një nga vendet më tërheqëse për krahun e punës. Investitori që do të vijë në Shqipëri, do t’i sjellë makineritë pa TVSH, do punësojë qytetarë që kanë rrogën nën 300 dollarë pa taksën e të ardhurave personale. Para pak ditësh, vizitoi Shqipërinë Prof. Muhammad Yunus, nobelisti, “babai i mikrokreditit”. Ky gjeni i mikrokreditit gjeti një mënyrë, një skemë; që paraja të shkojë tek të varfrit, duke nxitur biznesin dhe që kjo para, të ketë rikthimin e saj pa humbje. Ne kemi instaluar projektet e para; biznesi social, trajnim profesional, mikrokredi.
Siç ju e dini Shqipëria është e rrethuar me shqiptarë. Shqiptarë në Shqipëri, shqiptarë në Maqedoni, shqiptarë në Kosovë, shqiptarë në Mal të Zi etj. Shqiptarët janë faktor i rëndësishëm në rajon. Ato janë faktor konstruktiv. Ne fakt, jemi i vetmi komb në Europë, të ndarë në 5 shtete. Një komb, i cili padrejtësisht është i ndarë në 5 shtete, por një komb që dëshiron të shikojë drejt një të ardhme të përbashkët. Ballkani është një prej rajoneve që ka ndryshuar më shumë. SHBA, Europa, kanë investuar në terma financiarë, militarë, diplomatik e politik për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Bullgaria ka një kontribut te çmueshem. Në këtë rajon filloi Lufta e Parë Botërore, në Ballkan, vetëm 10 vite më parë u bë lufta e fundit në Europë. Nuk ekziston një rajon tjetër që të ketë ndryshuar më shumë se Ballkani. Për paqen në këtë zonë, janë bërë shumë marrëveshje, por jo të gjitha janë implementuar tërësisht. Tirana zyrtare ka mbështetur dialogun Prishtinë-Beograd. Por marrëveshjet janë për tu zbatuar njëlloj si në Preshevë, Kosovë dhe Shkup. Modeli i paqes është modeli i Europës. Garantimi i paqes, është në modelin e Bashkimit Europian. Në BE, kufijtë bëhen të parëndësishëm. Prandaj dhe përshpejtimi i integrimit të Europës Juglindore, është zgjidhja. Por vendi im nuk mori as këtë vit statusin e vendit kandidat, sepse kusht ishin vendosur 3 ligje të cilat opozita nuk i voton, sepse si duket, gabimisht mendon se kjo, do i shkojë si kredit për qeverinë. Ky është një problem i brendshëm i yni që, me sa duket do të zgjidhet në zgjedhjet e ardhshme nga shqiptarët. Ndërkohë në mbi 94% e shqiptarëve mbështesin Shqipërinë në EU. Integrimi është objektivi ynë kombëtar madhor.
Dhe ne falënderojmë të gjitha forcat politike në Bullgari që na mbështesin në këtë projekt. Ne shqiptarët kudo në rajon jemi faktor, faktor konstruktiv. Ne jemi një vend multireligjioz, dhe me një harmoni të shkëlqyer fetare. Dhe kjo është një vlerë tjetër e vyer dhe e shtuar qe Europa duhet ta njohë. Shqiptarët në Shqipëri, shqiptarët në Kosovë, shqiptarët ne Maqedoni, shqiptarët në Mal të Zi, mbështesin integrimin në Europë. Integrimi është vendimtar, sepse në këtë proces, në një farë mënyre, edhe ideali kombëtar i bashkimit konvergon me interesat e integrimit europian. Unë dua të falënderoj Parlamentin, qeverinë tuaj, Presidentin Plevniev për mbështetjen që i keni dhënë dhe i jepni shqiptarëve në proçesin e integrimit. Vizita e Kryeministrit Borisov në Shqipëri, ishte një vizitë e rëndësishme.
Dua të falënderoj edhe z. Pirinski për vizitën që bëri në Tiranë për 100 vjetorin e Pavarësisë dy muaj më parë. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen që ju si vend anëtar i BE, u jepni shqiptarëve në proceset integruese. Unë ju ftoj të vini e të vizitoni Shqipërinë, ftoj investitorët bullgarë që të shohin edhe nga Shqipëria. Rrugën nga Shqipëria në Sofje e bëra vetëm për 6 orë me makinë. E me të drejtë Kryetarja e Parlamentit zonja Tsacheva më tha: imagjinoje po të ndërtohej korridori 8 sa shumë më shpejt që do bëhej.
Ju uroj shumë suksese, gjithë juve si përfaqësues të qytetarëve bullgarë.
Faleminderit e dashur Tsetska për këtë nderim që më bëtë.
Fjala e Kryetares së Kuvendit, mbajtur në Parlamentin e Bullgarisë