E Diel, 1 Nëntor 2026

Historinë nuk mund ta rishikojnë falsifikatorët. Kurse hipokritët vetëm zhurmërojnë e pështjellojnë

01-09-2012 / Nga Eden Babani

Para afro tri javësh, mora një e-mail prej mikut tim, Tanush Frashëri, me anën e të cilit më njoftonte se ato ditë një e përditshme e Tiranës e kishte intervistuar lidhur me temën shumë të debatuar për rishikimin e historisë. Pyetjet i kishte marrë përmes postës elektronike, me qenë se prej vitesh jeton në Villach (Austri),. Me të njëjtën mënyrë, kishte nisur përgjigjet. Më ngjalli kureshtje tematika e intervistës, ngase sot, megjithëse po flitet shumë, s’po bëhet aq sa duhet, për të ndrequr së paku çka mund të ndreqet e ku mund të ndreqet, fjala vjen, në tekstet shkollore.
Z. Tanush është ndër ata pak historianë të ditës që ka gërmuar pa u lodhur në arkivat e Italisë e të Austrisë, ndoshta edhe gjetkë, falë kulturës, gjuhëve që zotëron, dhe pasionit për punë. Përmend vetëm botimin e tij të fundit voluminoz (mbi 600  faqe) “Ali Këcyra – Shkrime për Historinë e Shqipërisë, hulumtuar ndër arkiva prej Tanush Frashërit”. Duke e njohur mikun tim si tepër të kujdesshëm e të rezervuar për të dhënë gjykime në ngut e sipër, duke qenë fanatik në gjurmimin e së vërtetës historike, duke qenë pinjoll i një familjeje me tradita atdhetare, madje edhe ish i burgosur politik nga regjimi i Hoxhës, kuptohet padurimi që më brente për të lexuar intervistën. Ai pati kujdesin dhe mirësinë të ma dërgonte të fotokopjuar faqen përkatëse të gazetës, bash ditën e botimit.
E para gjë që më ra në sy, ishte se botuesi e kishte parë të udhës ta ilustronte intervistën me një fotografi të Qemal Stafës, në shoqërinë Enver Hoxhës e të dy të tjerëve, që nuk është rasti t’ua zë në gojë emrat. Zhgënjim apo e papritur? As vetë nuk di ta shpjegoj atë çka provova kur pashë fotografinë, sido që tashmë, jemi mësuar të ndeshemi rëndom në faqet e shtypit me fotografi të Enver Hoxhën, të së vesë, Nexhmije Xhuglinit (Hoxha), të pasardhësit, Ramiz Alisë e të plot e plot udhëheqësve të tjerë të regjimit komunist. Sado që e merrja me mend, u nguta të lexoja, së paku, në ç’ ujëra notonte miku im.
Nuk mbeta i zhgënjyer. Atë çka mendonte e çka ishte thelbi e kishte thënë hapur e pa ekuivokë: historia jonë duhet rishikuar. Kush ka pasur rastin ta lexojë intervistën, do të më japë të drejtë.
Zhgënjimi më erdhi papritur të nesërmen dhe të pasnesërmen. S’ma nxiti intervista, por gjymtimi i saj (censura) prej redaksisë ose prej vetë gazetares. Për kureshtje të lexuesit tonë, po citoj dy pjesë nga dy mesazhet e njëpasnjëshme që mora prej mikut tim, lidhur me gjymtimin (censurimin).
I pari: “Artikulli është krasitur, sado pak. I është hequr sidomos prova se letrat e Ceno bej Kryeziut hapeshin, megjithëse gazetarja ma kërkoi dhe unë ia dërgova origjinalin serbokroatisht dhe përkthimin në shqip”.
I dyti: “I dashur Eden, me fal që padashur të kam thënë një të pavërtetë. Redaksia e gazetës më ka hequr nga përgjigjja e botuar pjesën për Enver Hoxhën”.
Kësaj here, jo vetëm për kureshtje të lexuesve të gazetës 55, por për hir të së vërtetës, si edhe të atyre që e kanë lexuar intervistën e z. Tanush, po sjell katër raste ku ka vepruar censuruara, me gjithë një kontekst të mjaftueshëm për të kuptuar brendinë e frazave të censuruara, të cilat, për lehtësi leximi, i kam nënvizuar.
I pari rast: “...ka dhe autorë që rishkruajnë apo shkruajnë për tema me të vërteta të fshehura në bodrumet e arkivave komuniste: veçoj Kastriot Dervishin, Uran Butkën, që me guxim preku tema tabu "Lufta civile në Shqipëri, 1943-45" (2006) dhe "Tivari".
Komenti im për rastin e parë: Pse të hiqeshin titujt e dy veprave të historianit të palodhur, Uran Butka, kur është e njohur, tashmë, që veprat e tij janë pritur mirë qoftë brenda, qoftë jashtë vendit, sidomos ajo kushtuar Masakrës së Tivarit? E para përgjigje që më vjen në majë të gjuhës, është se e vërteta për Masakrën e Tivarit u djeg së pari falsifikatorëve të historisë të lidhur me klanet serbe, të cilët e mbajtën fshehur gati 50 vjet njërën prej ngjarjeve më të dhimbshme të historisë sonë dhe synojnë ta fshehin ende.
I dyti rast: “Mbreti Zog ishte themeluesi i shtetit modern shqiptar, krijues i shtetit ligjor të mbështetur në legjislacionin më të përparuar të kohës; krijoi "një monedhë kombëtare — në vend të një duzine monedhash të ndryshme që qarkullonin më parë në vend – dhe për këtë qëllim u emetua kartëmonedha e cila e ruajti vlerën përballë arit (Swire), etj. Zogu si një kapiten i shquar e drejtoi anijen me dorë të sigurt midis tallazeve të Evropës së trazuar.
Komenti im për rastin e dytë: Tashmë dihen falsifikimet që i janë bërë periudhës së Mbretërisë. Ato s’janë një e dy, as aq sa mund të numëroheshin me gishtat e duarve, sikur qindra duar të kishte njeriu. A nuk paska të drejtë një historian jo komunist të shprehë gjykimin e vet për personalitetin e Ahmet Zogut, siç e kanë shprehur pambarimisht kolegët e tij komunistë, kur edhe pyetja ishte për glorifikimin a zbehjen e figurave historike? Aq më tepër që, në krizën monetare qê po përjeton sot bota, largpamësia e Mbretit Zogu i Parë vlen të merret si shembull shtetari jo vetëm në planin kombëtar, por edhe në atë ndërkombëtar. Të mos shkojmë larg, le të kujtojmë fqinjin tonë të jugut, i cili po përpëlite dhe mund të japë shpirt nga dita në ditë.
I treti rast: “...me arsyetime te stërholluara juridike, hedhin baltë mbi A. Këlcyrën se u ul në një tryezë me armikun (dhe harojnë si "rastësisht" se Lenini dërgoi Trockin të ulej me pushtuesin gjerman, kurse Stalini nënshkroi "Paktin e Mossulmimit" me nazistët dhe ngriti një dolli për udhëheqësin e dashur te popullit gjerman, Adolf Hitlerin)… Lista do të ishte e gjatë dhe do t’i kapërcente kufijtë e një interviste. Ndërsa objekt glorifikimi është bërë figura e Enver Hoxhës, një person i rëndomtë (1927-1940), që nuk binte në sy për asgjë: liceun e mbaroi duke dhënë edhe provime në vjeshtë, familjarët i siguruan përmes miqve një bursë studimi në Francë (Monpelje), për tre vjet akademikë (1930-1933), nuk mori asnjë provim dhe kësisoj, sipas ligjit, e humbi bursën; një i kushëriri, Babameto, që studionte në Paris për gazetari, i kërkoi një studenti, Hasan Jeros, që studionte për mjekësi, ta ndihmonin: i pari do t’i paguante hotelin e studentëve, kurse i dyti të ngrënat; në Paris nuk zuri libër me dorë, se nuk frekuentoi asnjë kurs universitar, përkundrazi ai u mor me qejfe, gjersa, nga mungesa e kontrollit se me kë shkonte, u sëmur nga Blennoragie (Blenorazhi), sëmundje sifilitike, që ju shkaktua nga genokoku (genocoque); H.Jero e shpuri në spital dhe i pagoi shpenzimet. Jero përjashton kategorikisht mundësinë, për aq sa qëndroi në Paris, që E. Hoxha të jetë marrë me politikë — rasti e pruri që Eqrem Libohova i gjeti një punë në konsullatën shqiptare në Bryksel, u largua nga Parisi dhe nuk u kthye më. Këtë individ të pavlerë haxhiografët duan ta ngrenë në rangun e një intelektuali që u mor me politikë e frekuentonte mjediset e majta”.
Komenti im për rastin e tretë: Të mos lëndohen e të mos fyhen fanatikët me kapele à la Xherxhinski dhe pasardhësit e korruptuar të Bllokut, që kanë uzurpuar të majtën e shqiptare.
I katërti rast: “Mungesa e nismës për rishkrimin e vërtetë të historisë vjen mendoj prej: 1- Apatisë së Institucioneve shkencore për të organizuar një grup historianësh të paangazhuar politikisht në asnjërin skaj politik - sidomos kriptokomustët, komunistët e djeshëm. 2- Klasa politike në dukje nuk përzihet në çështjet historike, ajo sidoqoftë ndikon duke u trazuar që të fusë në hullitë e interesave të veta ideologjike historinë (kujtoj çështjen e festës së çlirimit 28 (29) Nëntor)”.
Komenti im për rastin e katërt: Sërish më zënë rrugën falsifikatorët e historisë. Ata nuk kanë sesi të zhvlerësojnë “vlerat” e tyre, ngritur mbi abuzime dyzet-e-kusur-vjeçare, duke na imponuar një 29 nëntor fiktiv, huajtur prej Jugosllavisë së Titos.
I pesti rast, i cili mund të jetë censurë, por edhe pakujdesi e gazetares, është mosbotimi i tekstit që vijon, për çka z. Tanush, duke mos e njohur serbokroatishten, i është drejtuar z. Abedin Mliqi, përkthyes zyrtar i serbokroatishtes në Slloveni. “Letrat, të cilat Ceno bej Kryeziu ua dërgonte simpatizuesve të vet përmes legatës jugosllave në Tiranë, diktoheshin të gjitha nga Jaftiqi, si hapeshin me sugjerimin e Diniqit, dhe përktheheshin në serbishte, duke kompletuar kështu tërë korrespondencën e Ceno bej Kryeziut. Përkthimet (në shqip, T. F.)  i bënte Vuk Gjurashkoviç (...)”.
Nëse kjo është censurë e mirëfilltë, atëherë me ç’ qëllim u ngacmua i  intervistuari? Nëse është pakujdesi e gazetares, ajo duhet të mbante përgjegjësi profesionale e t’i kërkonte të falur z. Tanush, e para sepse kishin rënë dakord që ky t’ia dërgonte bashkë me faksimilen përkatëse dhe, e dyta sepse, sipas tij, është abuzuar tej mase me personalitetin e Ceno bej Kryeziut, duke i veshur atij edhe faje që nuk i përkasin.
Në botën e sotme mediatike shqiptare, flitet shpesh për rishikimin e historisë. Janë zhvilluar edhe debate të kësaj natyre, çka i hap rrugë mendimit të lirë. Sipas meje, kjo do të ishte pikënisja më spikatur për të arritur në një përfundim sa më të pranueshëm shkencërisht. Nga ana tjetër, kam përshtypjen se ndonjëherë debate të tilla janë hipokrite. Sepse, ç’nevojë ka ta intervistosh tjetrin dhe pastaj të vësh në veprim censurën?
* * *
Pak a shumë në të njëjtën kohë, një medie e huaj intervistoi Prof. Kristo Frashërin, lidhur me Njëqindvjetorin e Pavarësisë. Në fund të intervistës, gazetari kërkoi mendimin e Profesorit “...për nevojën e rishikimit të historisë, veçanërisht për disa ngjarje dhe figura të caktuara të historisë së Shqipërisë”.
Rastësisht - siç rastësia na vuri përpara dy historianëve me të njëjtin mbiemër, Frashëri, – pyetja përkonte me atë drejtuar z. Tanush Frashëri prej gazetares të së përditshmes tiranase. S’do mend, përgjigjet ishin të ndryshme:
Prof. Kristo Frashëri: “Që në fillim po them se thirrja për të rishikuar historinë është krejt pavend... Historinë e shkruajnë historianët në mënyre të ndryshme... Unë e kam rishikuar historinë pa më thirrur kurrkush...”
Tanush Frashëri: “...mozaikët e parë kanë nisur të vendosen në panelin e rishkrimit të historisë. Nderi i mozaikut të parë i takon prof. dr. Ndreçi Plasarit të ndjerë, që me botimin ëPolitikë antikombëtare e Enver Hoxhës’, në bashkëpunim me Prof. dr. Luan Malltezin, mohoi me guxim veprat e tij të shkruara në diktatin e partisë...“.
Dy përgjigje të ndryshme, dy anë të së njëjtës medalje, që bien ndesh njëra me tjetrën. Pse-ja nuk është vështirë të kuptohet. Ajo merret me mend lehtë, po aq lehtë sa merret me mend pse një kultivues i papërgjegjshëm nuk mund ta drejtojë dot drurin e shtrembër, kur vetë e ka bërë të rritet filizi asisoj, qysh në krye të herës.
Megjithatë, do pyetje do të dëshiroja t’ua bëja falsifikatorëve të historisë, përfshirë edhe Prof. Kriso Frashërin, “falsifikatorin serial të historisë së Shqipërisë”.  Mehmet Shehun, ku do ta futnin ata, në listën e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Enver Hoxhës, të shokëve të tij të armëve, apo në listën e superspiunëve, të poliagjentëve, të tradhtarëve, të armiqve të popullit? Mbase e ardhmja do ta renditë kryeministrin më jetëgjatë të periudhës komuniste përkrah kriminelëve me damkë, si vrasës të dhjetëra në mos qindra kundërshtarëve politikë gjatë Luftës dhe gjatë të ashtuquajturit ndërtim i socializmit. Ç’do të thoshin falsifikatorët e historisë për këtë të vërtetë tashmë të pranuar botërisht? Ç’do të thoshte Prof. Kristo Frashëri për botimin e fotove të retushuara në albumet e tij, me raste përvjetorësh të evenimenteve historike të diktaturës komuniste?
Prof. Frashëri, nga njëra anë e quan pavend thirrjen për rishikimin e historisë, meqë ajo u shkruaka ”në mënyra të ndryshme”. Nga ana tjetër thotë se ai e paska rishikuar, pa e thirrur kurrkush. Po. Ai e ka rishikuar, por nga këndvështrimi i falsifikatorit, duke botuar - që  të mos hyjmë aq thellë - Albume me fotografi të retushuara, sipas të cilave janë hequr ose janë shtuar personazhe në një akt me përmasa mbarëkombëtare, siç ishte ai i Shpalljes së Pavarësisë. Ja pse nuk mund ta pranojë historiani komunist plugimin e domosdoshëm që pret historia jonë e falsifikuar prej tij dhe prej shokëve të tij, shërbestarë të devotshëm të regjimit të Enver Hoxhës. “Enver Hoxha gënjente, - shkruante një e përditshme e Tiranës dy a tri muaj përpara, - Kristo Frashëri, por edhe historianë të tjerë, i kthenin këto mashtrime në të vërteta shkencore”.
Historinë nuk mund ta rishikojnë ata që e falsifikuan me ndërgjegje të plotë, ngase nuk kanë guximin të shkelin mbi vetveten. As hipokritët, që bëjnë sikur hapin debate, por censurojnë mendimin e lirë. Të dyja palët janë peng i alibive ose i retorikave boshe.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›