“Dialogu mbetet arma më e fuqishme për të luftuar për të ardhmen tonë”
Kosovë, Presidenti Nishani mban një ligjëratë në Institucionin e Arsimit Universitar AAB
“Çështja e statusit të Kosovës është e mbyllur dhe Shqipëria mbështet tërësinë territoriale të Kosovës, ndërsa çdo tentativë për hapjen e tyre kthen kohën mbrapa dhe cenon të ardhmen”
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Myqerem Tafaj si dhe nga Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Ramë Buja, zhvilloi një vizitë në Institucionin e Arsimit Universitar AAB, “Akademia e Arteve të Bukura”. Presidentit të Republikës dhe delegacionit zyrtar shqiptar iu ofrua një mirëseardhje tepër e ngrohtë dhe e përzemërt nga drejtuesit e këtij institucioni arsimor, nga pedagogë e studentë të shumtë që kishin dalë për të pritur dhe përshëndetur Kryetarin e Shtetit Shqiptar.
Kreu i shtetit shqiptar ka mbajtur një fjalim në këtë institucion arsimor, në prani të shumë përfaqësuesve nga bota akademike, të shoqërisë civile kosovarë, intelektualë, pedagogë dhe studentë. Një vend të rëndësishëm në fjalën e kreut të shtetit shqiptar zuri reforma në drejtësi, të cilën ai e cilësoi si një nga betejat më vitale që duhet të fitohet me çdo kusht. “Pavarësia e institucioneve kyçe kushtetuese dhe ndarja e pushteteve përbëjnë bazën e funksionimit të shtetit ligjor dhe demokracisë. Jo rrallë e shkuara ngatërrohet me të sotmen në mënyrën e mendimit dhe veprimit. Kjo situatë bëhet edhe më komplekse po t`i shtojmë implikimin e interesave ditore, për përfitime ekonomike dhe pushtet politik. Ja, pse beteja për drejtësinë mbetet nga sfidat më të forta, por edhe ajo më vitale, që ne duhet dhe do ta fitojmë me çdo kusht”, u shpreh Nishani.
Ai vlerësoi përpjekjet e rilindësve shqiptarë në ringjallen e shtetit shqiptar në 100 vjet, ndërsa shprehu nevojën për formimin e arsimit me standarde evropiane, i cili i shërben dijes, rritjes së standardit të jetesës dhe mirëqenies, nëpërmjet modernizimit, dixhitalizimit dhe kërkimit shkencor. Nishani iu drejtua të rinjve, studentë dhe studente, se tek ata sheh të ardhmen e Kosovës dhe të shqiptarëve.
“Si President i Republikës së Shqipërisë, te ju shoh të ardhmen e Kosovës dhe të shqiptarëve. Ne jetojmë në epokën e teknologjisë së informacionit dhe arritjeve të mëdha shkencore në të gjitha fushat, ndërsa festojmë 100 vjetorin e krijimit të shtetit të parë Shqiptar”, tha ai, duke theksuar se kombi shqiptar ka mbijetuar përmes sakrificave për të mbrojtur gjuhën dhe arsimin kombëtar.
“Ne Shqiptarët kemi luftuar pa reshtur kundër pushtuesve shekullorë për gjuhën dhe arsimin kombëtar dhe e kemi fituar me sakrifica të mëdha. Nuk ka komb tjetër në botë, që të ketë në altarin e tij të historisë kaq shumë dëshmorë në mbrojtje të arsimit kombëtar sa shqiptarët. Dhe nuk ka komb binjak me shqiptarët, kur bëhet fjalë për sakrificat prindërore dedikuar arsimimit të fëmijëve. Me armë dhe penë rilindasit tanë bënë përpjekje titanike për ringjalljen kombëtare, e cila çoi në formimin e shtetit të parë shqiptar njëqind vite të shkuara”, theksoi ai.
Apeli i presidentit shqiptar drejtuar të rinjve, studentë dhe studente të Kosovës ishte të kapim kohën globale të dijes.
“Jetojmë në një kohë globale dhe është e domosdoshme që të kapim kohën globale të dijes. Për këtë arsye, ne duhet, që bazuar në arsimin e traditës të formojmë arsimin me standarde evropiane, madje globale, i cili do të na pajisë me dijet dhe njohuritë e nevojshme për të qenë kompetitivë në botën globale të dijes. Ju, të dashur studentë dhe të nderuar akademikë, që jeni në kontakt të përditshëm me botën e dijes dhe të shkencës, jeni më të vetëdijshëm se kushdo tjetër për sfidat që arsimi dhe shkenca shqiptare duhet të përballojnë në rritjen sasiore dhe cilësore për të përgatitur brezat e shkencëtarëve dhe mësuesve që do ta bëjnë Kosovën, Shqipërinë dhe mbarë shqiptarët konkurrues dhe anëtarë të familjes së kombeve të zhvilluara”, theksoi kreu i shtetit shqiptar, Bujar Nishani.
Duke iu referuar bashkëpunimit mes dy vendeve Nishani tha se infrastruktura moderne që kemi ndërtuar lehtëson lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave dhe të bashkëpunimit intensiv në të gjitha fushat. Për këtë ai iu referua Rrugës së Kombit në sajë të së cilës është rritur 11 herë qarkullimi i njerëzve dhe 5 herë qarkullimi i mallrave, duke krijuar unifikim të tregut.
“Ne kemi ndërtuar tashmë një infrastrukturë moderne komunikimi ndërshqiptare dhe një infrastrukturë ligjore, që mbështet bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona me popullsi shqiptare. Kjo infrastrukturë lehtëson dhe nxit lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, si edhe bëjnë të mundur bashkëpunimin intensiv në të gjitha fushat. Vepra, si ‘Rruga e Kombit’ kanë unifikuar tregun nëpërmjet rritjes mbi njëmbëdhjetë herë të qarkullimit të njerëzve dhe mbi pesë herë të qarkullimit të mallrave. Ajo i ka dhënë gjithashtu një impakt zhvillimit ekonomik dhe ka shumëfishuar vlerën e pasurive të patundshme në të gjitha zonat ku kalon. Tashmë Kosova është shumë pranë detit. Konsiderojmë se ka ende shumë vend për rritjen, zgjerimin dhe intensifikimin e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, investimeve në infrastrukturë, turizëm, krijimin e një tregu unik energjetik, unifikimin e teksteve shkollore, shfrytëzimin e ujërave, mbrojtjen e ambientit, etj. Shkëmbimi tregtar prej 140 milion euro në vit është ende i ulët, gjeografia e studimit të studentëve shqiptarë në shtete të tjera me shumicë apo prezencë të konsiderueshme shqiptare është ende e varfër, investimet nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas janë ende në nivele jo të larta”, tha Nishani.
Një vend të rëndësishëm gjatë ligjëratës së kreut të shtetit zuri edhe procesi integrues rajonal, ku sipas tij shqiptarët duhet të shohin nga e ardhmja dhe do jenë të bashkuar një ditë në BE.
“Pa harruar të shkuarën, duke falur ne shohim drejt të ardhmes duke respektuar e mos harruar dhimbjet e të shkuarës dhe rruga e vetme pa alternativë janë fqinjët me të cilët na ndan e shkuara, po na bashkon e ardhmja. Dialogu mbete arma më e fuqishme për të luftuar për të ardhmen tonë. Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm, e cila është shndërruar në faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan, nënvizoi Nishani, i cili tha se, çështja e statusit është e mbyllur dhe se Shqipëria mbështet tërësinë territoriale të Kosovës, ndërsa çdo tentativë për hapjen e tyre kthen kohën mbrapa dhe cenon të ardhmen”.
Sipas tij, vendimi i GND hapi kapitullin e shtetit të Kosovës sovrane dhe të pavarur. Gjithashtu Nishani u shpreh se Shqipëria ka një politikë të jashtme të balancuar në shërbim të paqes dhe stabiliteti në rajon.
“Shqipëria ka formuluar vazhdimisht një politikë të jashtme, që është shquar dhe vlerësuar për qëndrimet e saj të balancuara, në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon. Kjo nuk do të thotë se ka bërë lëshime. Ne kemi ndjekur me vëmendje zhvillimet në rajon dhe kemi treguar kujdes që shqiptarët kudo në Maqedoni, Luginën e Preshevës apo Mal të Zi të gëzojnë të drejtat e tyre njerëzore dhe kombëtare, të zgjerojnë hapësirën e tyre demokratike, të jetojnë në paqe e siguri. Ata duhet të ndjehen qytetarë të lirë të vendeve ku jetojnë. Ne nuk kemi hequr dorë nga këto qëndrime të cilat janë të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe përbëjnë një nga kriteret e politikës së fqinjësisë së mirë”, deklaroi më tej, Presidenti Bujar Nishani në fjalimin e mbajtur në Institucionin e Arsimit Universitar AAB në Kosovë.