E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokatori i PS s’u ndahet metodave sovjetike

01-09-2012 / Gazeta 55

Lidershipi i PS-së nuk heq dorë nga bllokimi i imunitetit, edhe pse faktorit ndërkombëtar po i sos durimi. Kasneci Xhafaj e ka kushtëzuar sërish dje votimin me ndryshimet kushtetuese, të cilat i japin Edi Ramës pushtet në tavolinë. Mazhoranca shprehet e hapur për t’i diskutuar propozimet, por shpresat që bllokada ndaj statusit të hiqet mbeten të vakëta
 
Deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka ka reaguar dje pas deklaratave të selisë rozë se do të votojë imunitetin, pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga Partia Socialiste.
Në një deklaratë për mediat deputeti demokrat shprehet se heqja e imunitetit nuk bëhet për kredibilitet politik të mazhorancës, por është një çështje me rëndësi kapitale për PD-në dhe vendin. Ai e cilëson 6 gushtin si ditën e turpi për opozitën, ndërsa shprehet se Rama po bllokon imunitetin me qëllim që të bllokojë marrjen e statusit kandidat për Shqipërinë.
“Bllokimi i votimit nga Rama mesazhi më i keq për shqiptarët dhe jo vetëm. 6 gushti regjistron ditën e turpit për opozitën. Partia Demokratike pranoi çdo propozim të PS-së dhe variantin e shkruar. Pa më të voglin turp Rama urdhëroi mos votimin dhe bllokimin e imunitetit, i cili bëhet për të bllokuar statusin kandidat për Shqipërinë”, deklaroi Paloka. “Për mua si relator i kësaj çështje dhe jo vetëm për mua, si negociator së bashku me Majko, 6 gushti regjistroi ditën e  turpit për opozitën”, nënvizoi, Paloka. 
Sipas tij Rama po i jep jetë projektit të tij për ta kthyer vendin në metodat sovjetike, por që Shqipëria nuk ka kohë për të humbur, as me bllokatorët dhe as me anekdotat e Ramës të sundimit të pakicës mbi shumicën.
Reagimi i deputetit të PD-së Edi Paloka, erdhi pas ripërsëritjes së qëndrimit kushtëzues të PS-së, për heqjen e imunitetit.
Menjëherë pasi Konferenca e Kryetarëve ka vendosur të fusë në kalendarin e punimeve të Kuvendit shqyrtimin e propozimeve ligjore të Partisë Socialiste, që synojnë ndryshime të Kushtetutës, selia rozë, përmes sekretarit për çështjet ligjore Fatmir Xhafaj, bëri të qartë se opozita do të ndjekë dhe do të kërkojë të respektohen të gjitha procedurat ligjore në debatin që do të zhvillohet për këto propozime, për të cilat ftoi edhe maxhorancën t’i votojë.
Gjatë një konference për shtyp, ligjvënësi socialist ripërsëriti qëndrimin kushtëzues të opozitës mbi heqjen e imunitetit. Ai tha se opozita do të votojë heqjen e imunitetit vetëm pasi të jenë miratuar propozimet e PS për ndryshimet në kushtetutë.
Fatmir Xhafaj theksoi ne konferencë për shtyp se ndryshe nga sa deklaron mazhoranca qëndrimi i deritanishëm i deputetëve socialistë në kuvend nuk ka qenë bllokues, pasi sipas tij janë miratuar disa ligje të rëndësishme me shumicë të cilësuar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›