Megjithatë, pa Harrison Ford

Vetëm disa ditë pasi që nga mediat në Britani u publikua se aktori i njohur, Harrison Ford, do të reprizojë rolin e tij edhe në vazhdimin e filmit ‘Blade Runner 2”, producentët e filmit në fjalë njoftuan se, definitivisht s’do të ketë gjë nga kjo punë.
Kompania filmike Alcon Entertainment, e cila qëndron prapa vazhdimit të filmit tejet të suksesshëm të prodhuat qysh në vitin 1982, me regji të britanikut Ridley Scott, të mërkurën i ka demantuar pohimet, sipas të cilave Harrison Ford do të shfaqet sërish në rolin e ndjekësit dhe shkatërruesit të replikanëtve, Rick Deckard.
"Ne aktualisht jemi duke negociuar me Ridley Scott për atë se si do ta bëjmë filmin e ri, ndërkohë që përzgjedhja e aktorit ende as që na ka shkuar ndërmend. Kështu që, informacioni se Ford do luaj sërish rolin e Rick, nuk është fare e vërtetë”, thuhet në kumtesën e Alcon Entertainment.
Ndryshe, xhirimi filmit pritet të filloj diku nga gjysma e verës së sivjetme.