Hodhi foshnjën nga kati i katërt, babai dërgohet në gjyq për vrasje
TIRANE – Dërgohet i pandehur në Gjykatë për vrasje me dashje në rrethana cilësuese, babai i dyshuar për vrasjen e foshnjës së lindur nga gruaja e tij. Ndonëse pa përfunduar ende ekspertiza mjekoligjore në lidhje me gjendjen mendore të të akuzuarit, Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatë dosjen penale ndaj shtetasit Hysen Biba, 29 vjeç.
Ndaj tij është ngritur akuza për vrasje me dashje në rrethana cilësuese, në lidhje me hedhjen e foshnjës nga dritarja në ditën e tretë të lindjes. Ngjarja e rëndë ndodhi në datën 30 korrik 2012, kur Hysen Biba hodhi foshnjën e porsalindur nga dritarja e katit të katërt të maternitetit “Koço Gliozheni” në kryeqytet. Bashkëshortja e të akuzuarit, shtetasja Lule Biba, lindi më 27 korrik, por tri ditë më pas, më datën 30 korrik 2012, fëmija i saj u hodh nga dritarja e katit të katërt. Bashkëshorti i nënës së fëmijës shkoi në maternitet dhe pasi qëndroi rreth dhjetë minuta në dhomën ku ndodhej e shoqja, rrëmbeu fëmijën nga duart e saj dhe e hodhi nga kati i katërt.
Foshnja nuk vdiq menjëherë, por më pas, si pasojë e dëmtimeve të rënda që pësoi prej rënies nga lartësia. Prokuroria ka lënë të paqartë nga ana e saj motivin se përse i akuzuari e rrëmbeu fëmijën nga duart e nënës dhe e hodhi nga kati i katërt. Në kërkesën për gjykim të organit të akuzës hidhen dyshime, por nuk ka asnjë gjë konkrete që Hysen Biba ka pasur probleme emocionale në muajt para se të ndodhte ngjarja.
Ndërkohë, nga dëshmia e dhënë prej shtetases Lule Biba, ajo ka thënë se i shoqi “kishte kohë që ushtronte dhunë”. Gruaja ka shpjeguar se disa herë kishte ikur nga banesa, por ishte kthyer serish te Hysen Biba për të mos prishur marrëdhëniet mes dy familjeve. Prokuroria ka administruar një deklaratë të autorit të ngjarjes, ku ai thotë se e hodhi foshnjën nga dritarja e katit të katërt pasi dyshonte për atësinë e fëmijës, por organi i akuzës nuk ka kryer asnjë veprim hetimor për të sqaruar këtë pistë të hetimit, e cila vetëm sa përmendet, por nuk shpjegohet në kërkesën e drejtuar Gjykatës. Pak ditë më parë, Hysen Biba u dërgua te Mjekësia Ligjore për t’iu nënshtruar ekzaminimeve në lidhje me gjendjen mendore të tij, ndërsa vlerësimi i specialistëve pritet të paraqitet në Gjykatë.
Sipas të dhënave të hetimit nga Policia, dy javë para hedhjes së foshnjës nga kati i katërt, Hysen Biba e kishte dhunuar gruan e tij. Në deklarimet e veta pas ngjarjes, i pandehuri e ka pranuar krimin dhe ka pohuar se gjithçka kishte ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. Por ndërsa pranoi autorësinë e ngjarjes, Hysen Biba ishte i paqëndrueshëm dhe i paqartë në shpjegimin e motivit të ngjarjes. (PANORAMA)