E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holandë-Spanjëfinalja spektakolare

JOHANESBURG- Holanda dhe Spanja do të ndeshen të dielën në orën 20.30 në stadiumin Soccer Siti në finalen e madhe të Kupës së Botës. Nën drejtimin e anglezit Hauard Ueb dy skuadrat europiane do të diskutojnë për herë të parë mes tyre trofeun më të rëndësishëm të botës së futbollit. Specialistët e kanë quajtur këtë finale si një fitore të futbollit të bukur ndaj atij skematik, duke qenë se Spanja e Holanda janë nga skuadrat e vetme që japin spektakël në fushë. Spanja në këtë Botëror ka konfirmuar atë çfarë bëri në Europianin e vitit 2008: presing konstant, një formë atletike të shkëlqyer dhe mbi të gjitha një qarkullim topi të jashtëzakonshëm. Merita për këtë u shkon palexhatorëve të Barcelonës, një thesar që Del Boske i shtoi shpejtësinë e Serxho Ramos, regjinë e Ksabi Alonsos dhe sigurinë e Iker Kasijas. Ndoshta do të flitej edhe për potencën e Fernando Torres, por për momentin sulmuesi i Liverpulit nuk është se ka treguar ndonjë gjë të madhe. Pikërisht Torres është dyshimi më i madh për finalen, dhe ndoshta ai do të qëndrojë sërish në stol ashtu si në takimin me Gjermaninë, për t’i lënë vend Pedros.
Por, nëse në shtëpinë e Spanjës ekziston të paktën një dyshim në lidhje me formacionin që do të zbresë në fushë, tek Holanda çdo gjë duket e kristalizuar. Do të rikthehet nga skualifikimi Van Der Viel, që do të zërë vendin e tij në mbrojtje në vend të Bularuz. Në mesfushë, do të rikthehet De Jong, partneri i Mark Van Bomel në digën që mbron prapavijën holandeze. Përsa i përket sulmit, çdo gjë është e paracaktuar. Van Persi do të jetë pika e referimit, Shnajder do të luajë në qendër pas tij, ndërsa Kajt dhe Roben në krahë. E megjithatë, problemi i holandezëve është portieri Stekelenburg, i cili ka një dhimbje në fundshpinë dhe është në rrezik për të luajtur. Finalja mes Spanjës dhe Holandës do të jetë ndeshja e fundit e kampionatit botëror, që nisi më 11 qershor në Johanesburg të Afrikës së Jugut. Turneu afrikan dhuroi emocione të shumta, ndërsa trofeu do t’i shkojë një skuadre që nuk e ka fituar asnjëherë më parë. Po ashtu, është hera e parë që një skuadër e europiane triumfon jashtë kontinentit të vjetër.
(BalkanWeb) Lidhje te tjera Shakira tifoze me Spanjën: Mezi pres të këndoj Waka Waka

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›