Holandë, dorëheqja e Kryeministrit, Mark Rut i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme
Kryeministri holandez Mark Rut dhe kabineti i tij kanë dhënë dorëheqje pas dështimit të arritjes së marrëveshjes mbi reduktimin e buxhetit të vendit, kriter ky i kërkuar nga Bashkimi Evropian. Dorëheqja e tij i hap rrugën zgjedhjeve të parakohshme në Hollandë.
Shërbimi për informim i qeverisë, tha se Rut është takuar me mbretëreshën Beatriks e cila ka pranuar dorëheqjen e tij, dhe i ka kërkuar që të merret me çështjet shtetërore me qeverinë kalimtare.
Dorëheqja erdhi pasi që Gert Uilders dhe partia e tij e Lirisë, aleati kryesor në qeveri, janë larguar nga bisedimet, që synonin përmbushjen e rregullave të BE-së për deficitin buxhetor.
Pa Partinë e Lirisë, kryeministri Mark Rut i koalicionit të krahut të djathtë nuk e ka më shumicën në parlament.
Forca qeverisëse në fjalë nuk është pjesë e koalicionit qeverisës, por mbështeste në Parlament maxhorancën, e cila gëzonte një shumicë prej vetëm pak deputetësh.
Sipas liderit të Partisë së Lirisë, nuk është e pranueshme që Holanda të ndryshojë buxhetin e saj, për t’u vendosur në linjë me rregulloren e Bashkimit Europian për buxhetet.
Që prej datës 5 mars, dy partitë kryesore të qeverisjes, ajo Liberale e kryeministrit Rutte dhe Partia Kristian-Demokrate, janë përpjekur të gjejnë një marrëveshje të përbashkët, së bashku me Partinë e Lirisë, për buxhetin e ri të vendit.